Ambasadori kinez Zhou Ding viziton Kuçovën dhe Dimalin
2022-12-27 14:10:05

Ambasadori kinez në Tiranë Zhou Ding bëri të premten e kaluar një vizitë në qytetet Kuçovë dhe Dimal, i shoqëruar prej kryetarit të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë të Kuvendit shqiptar, Bardhyl Kollçaku. Z. Zhou u takua me kryebashkiakët e dy qyteteve, Kreshnik Hajdari e Juliana Memaj, dhe u dhuroi nxënësve e familjeve vendore në vështirësi ekonomik artikuj mësimorë dhe ushqime.

Në fjalën e vet ambasadori Zhou theksoi që Kina dhe Shqipëria kanë një miqësi të vjetër tradicionale. Shumë familje shqiptare kanë kujtime të çmuara nga shkëmbimet me miqtë kinezë. Kina, me një qytetërim prej 5000 vjetësh, tani është ekonomia e dytë më e madhe e botës. Në dekadën e kaluar, qeveria kineze, me konceptin e zhvillimit të vënies së popullit në qendër të punës, zbatoi strategjinë e rigjallërimit rural, duke nxjerrë gati 100 milionë banorë të fshatit nga skamja dhe duke çuar përpara modernizimin e tipit kinez. Sipas tij, nxitja e zhvillimit ekonomik e rural janë edhe objektivi e përgjegjësia e organeve të pushtetit të niveleve të ndryshme në Shqipëri. Qytetet Kuçovë dhe Dimal kanë pozicion të favorshëm gjeografik, burime të pasura natyrore e kulturore dhe banorë miqësorë e punëtorë. Ambasada e Kinës është e gatshme t’i ndihmojë këto dy qytete të forcojnë bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë me qytetet e ndërmarrjet kineze për të realizuar zhvillimin e përbashkët, vuri në dukje përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Shqipëri.

Z. Kollçaku dhe dy kryebashkiakët e falënderuan ambasadorin Zhou që solli dhurata të bukura për banorët vendorë në prag të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri. Sipas tyre, në vitet ’60-‘70 të shekullit të kaluar, shumë ekspertë dhe teknikë kinezë banuan dhe punuan në këto dy qytete, duke dhënë kontribut të rëndësishëm për zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe duke krijuar miqësi të thellë me banorët. Ata shprehën gatshmërinë për të nxitur trashëgimin e kësaj miqësie te brezi i ri, për t’i dhënë impuls të ri zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ambasadori Zhou bisedoi me përfaqësues të banorëve dhe pa shfaqjet e bukura artistike të përgatitura nga nxënësit vendorë.