Foto: RTSH
Në vigjilje të Krishtlindjes, në sheshin “Skënderbej” u mbajt një koncert festiv për qytetarët, të cilët shijuan jo vetëm dritat shumëngjyrëshe, por edhe tingujt festivë të muzikës për fëmijë dhe jo vetëm.
Gjatë fjalës së tij para qytetarëve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, bëri thirrje për më shumë dashuri për njëri-tjetrin dhe uroi që viti 2023 t’i gjejë shqiptarët më të bashkuar, citon “RTSH”.
Teksa renditi të gjitha ngjarjet e mëdha që ndodhën gjatë këtij viti në Tiranë, që nga titulli i saj si “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, samiti i BE-së, koncertet e Dua Lipës, Rita Orës apo Ermal Metës, Veliaj tha se kur shqiptarët bëhen bashkë janë të pamposhtur dhe mund të arrijnë të bëjnë punë të mëdha.
“Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm dhe jam kaq i lumtur që po e mbyllim me njëri-tjetrin me dashurinë që i kemi dhënë njëri-tjetrit. Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm dhe 365 ditët e këtij viti jo të lehtë i kemi mbushur me historitë tona të qytetit. Është shumë bukur që kemi njëri-tjetrin, sepse aseti që kemi në këtë qytet nuk janë pllakat, as rrugët, por njerëzit! Ndaj përqafohuni fort, sepse pasuria më e madhe jeni vetë ju dhe 1 milion zemrat në Tiranë. Kur jemi bashkë hallet përgjysmohen dhe gëzimi dyfishohet, duhet të vazhdojmë të jemi bashkë. Kur jemi bashkë ne shqiptarët bëhemi të pamposhtur”,- tha Veliaj. (Elona)