Krishtlindja, besimtarët e krishterë luten për më shumë paqe dhe mbarësi
2022-12-26 11:23:11

Foto: RTSH

Besimtarët e krishterë në mbarë botën festuan të dielën Krishtlindjen. Në Tiranë, mesha e Krishtlindjes u mbajt në Katedralen e Shën Palit, e drejtuar nga kreu i Dioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj i cili uroi të gjithë besimtarët kudo ndodhen, bën të ditur “RTSH”.

“Në këtë ditë të bekuar tingëllon me thjeshtësi, butësi dhe forcë fjala e engjëjve: Lavdi hyjit në lartësitë qiellore e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë. Unitet dhe vlera për familjen tonë shqiptare që mblidhet në këto festa. Rinia shqiptare të rizbulojë të ardhmen e vet në tokën e vet, sepse e ardhmja na përket ne. Të varfrit kurrë të mos dorëzohen përballë pikëllimit që ndonjëherë ballafaqohet me jetën e tyre. Fëmija hyjnor ka një mesazh paqe në pasojat që po mbjell lufta, aty ku është krisma e armëve, akoma më shumë e qara e këtij fëmije na thërret për reflektim”,- tha Dodaj. Ndërkohë mesha e besimtarëve ortodoksë u mbaj nga kryepeshkopi Anastas Janullatos në katedralen "Ngjallja e Krishtit", ku u përcollën mesazhet e paqes.

Krishtlindja është festa e dytë më e rëndësishme në kalendarin e besimtarëve katolikë dhe ortodoksë, pas Pashkës. Kjo festë simbolizon unitetin dhe ngrohtësinë e të qenit të gjithë pranë familjes. (Elona)