Çështjet e sigurisë, OSBE organizon vizitë në Serbi për gazetarët shqiptarë
2022-12-26 15:50:40

Foto: RTSH

Prezenca e OSBE-së ka organizuar një vizitë 3-ditore në Serbi për gazetarë e zyrtarë shqiptarë që mbulojnë çështjet e sigurisë dhe armëve të vogla e të lehta (AVL). Dhjetë gazetarë të mediave të ndryshme në Shqipëri vizituan Beogradin për të mësuar rreth praktikave më të mira rajonale dhe për të shkëmbyer përvoja për çështjet e sigurisë, bën të ditur “RTSH”. Në takime morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, Policia e Shtetit, Komisioni Kombëtar i AVL-ve si dhe nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Kjo vizitë shkëmbimi përvojash u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Serbi dhe me kontributin e Zyrës Qendrore për Evropën Lindore dhe Juglindore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SEESAC) dhe të PNUD-it në Serbi.

“Roli i medias në rritjen e ndërgjegjësimit për uljen e rrezikut nga armët e vogla dhe të lehta është pjesë thelbësore e projektit ‘Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të AVL-ve’”,- tha Xhenis Ballco, zyrtare vendase e projektit.

Gjatë vizitës, gazetarët shqiptarë u njohën nga anëtarët e rrjetit “Media kundër dhunës” se si ky rrjet, i përbërë nga 90 gazetarë, i ndihmoi ata për të përmirësuar cilësinë e raportimit. Po ashtu, ata patën mundësinë të ulen së bashku me autoritetet shqiptare, për herë të parë, e të diskutojnë se si të përmirësohet bashkëpunimi mes palëve të interesuara në këtë fushë. Gazetarët dhe zyrtarët shprehën angazhimin për të rritur dialogun mes tyre për çështjet që i shqetësojnë.

Veprimtaria kishte për qëllim rritjen e rolit të medias në fushatat e ndërgjegjësimit të publikut dhe vlerësimin e nevojave të gazetarëve për ngritjen e kapaciteteve në lidhje me raportimin cilësor, mbështetur në praktikat më të mira të Ballkanit Perëndimor. Vizita do të pasohet me ngritjen e kapaciteteve dhe veprimtari të tjera mbështetëse për gazetarët. (Elona)