Foto nga VCG
Kina ka bërë përpjekje për të siguruar furnizimet mjekësore të nevojshme për parandalimin dhe kontrollin e COVID-19, pas lehtësimit të masave të saj epidemike në fillim të dhjetorit, që u pasua nga një rritje e infeksioneve dhe kërkesa në rritje për ilaçe.
Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore e Kinës u ka kërkuar autoriteteve rregullatore mjekësore në të gjitha nivelet që të marrin masa të ndryshme, të tilla si dërgimi i personelit në fabrika për inspektime dhe forcimi i inspektimeve të cilësisë, për të siguruar furnizimet mjekësore të nevojshme, si ilaçet terapeutike, reagentët testues, vaksinat, maskat mjekësore dhe veshjet mbrojtëse.
Edhe ndërmarrjet farmaceutike janë përpjekur të sigurojnë furnizimin.
Provinca Shandong e Kinës Lindore është baza më e madhe e prodhimit të lëndëve të para për barna për uljen e temperaturës në vend. Shumë kompani të kësaj province fokusohen në tregjet e eksportit, por kanë rregulluar shpejt kanalet e tyre të shpërndarjes dhe kanë rritur kapacitetet e prodhimit për të siguruar furnizimet e brendshme.
Organet e qeverisjes vendore kanë ndihmuar gjithashtu kompanitë lidhur me lëndët e para dhe transportin për të siguruar stabilitetin e zinxhirit të furnizimit industrial për produktet kryesore. Lëndët e para dhe preparatet janë prodhuar me kapacitet të plotë, tha për Grupin Mediatik të Kinës Zhang Haibo, drejtor në Departamentin e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të provincës Shandong.
Zhang vuri në dukje gjithashtu se ata do të zhvillojnë bashkërendim ndërmjet ndërmarrjeve të prodhimit, institucioneve mjekësore dhe qarkullimit tregtar, ndër të tjera, dhe do të organizojnë shpërndarjen e barnave për të shtuar furnizimin me to.
Kompanitë farmaceutike në të gjithë vendin kanë marrë gjithashtu masa, si transformimet teknologjike dhe linjat e reja të prodhimit, për të zgjeruar kapacitetin prodhues dhe për të përmbushur kërkesat e tregut.
Foto nga VCG
Tan Guanghua, menaxher i përgjithshëm në Departamentin e Biznesit Farmaceutik të Kompanisë Farmaceutike “Xiangxue” të Guangzhou-t, në provincën Guangdong të Kinës Jugore, tha se ata kanë hapur dy linja të reja prodhimi për të prodhuar barna me patentë kineze dhe për të rritur kapacitetin e prodhimit ditor me rreth 50 për qind.
Për reagentët e zbulimit të antigjenit, Zhou Jian, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i departamentit të industrisë së produkteve të konsumit në Ministrinë e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, tha në një konferencë shtypi më 14 dhjetor se të 42 prodhuesit janë përfshirë në një “listë të bardhë “ të qeverisë dhe atyre u kërkohet të prokurojnë dhe të ruajnë materialet kryesore për të siguruar furnizim të mjaftueshëm të reagentëve.
Zhou tha se vaksinat e vendit mund të plotësojnë nevojat e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, ndërsa Kina ka ndërtuar linjën më të madhe të prodhimit në botë të vaksinës së COVID-19, me një kapacitet vjetor prej më shumë se 7 miliardë dozash dhe një prodhim prej mbi 5.5 miliardë dozash.
Në përgjigje të kërkesës në rritje për maska N95, Kina ka shtuar prodhimin e tyre, shtoi Zhou.
Foto nga VCG
Shumë klinika të improvizuara të etheve janë ngritur në nivel bazë në qytetet në provincat Jiangsu dhe Zhejiang të Kinës Lindore, në provincën qendrore Henan dhe në provincën jugore Guangdong për të ofruar trajtim në kohë për njerëzit me simptoma të COVID-19.
Mjekët në klinikat e improvizuara do të diagnostikojnë pacientët dhe do të japin barna, duke krijuar lehtësi për banorët që kanë nevojë urgjente për shërbime mjekësore.
Në provincën Guizhou të Kinës Jugperëndimore, disa klinika në lagje kanë hapur shërbime këshillimi në internet që japin receta dhe shpërndajnë ilaçe. Disa institucione mjekësore kanë krijuar kanale të posaçme trajtimi për grupet më të prekshme të njerëzve, si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe foshnjat.
Shangai ka zgjeruar kapacitetin e klinikave të etheve në qendrat e shërbimit shëndetësor në lagje, degët dhe klinikat e fshatrave për të pritur numrin në rritje të pacientëve.
Kina ka një sistem me tre nivele për klasifikimin e spitaleve, me spitale parësore, dytësore dhe tretësore. Spitalet parësore dhe dytësore zakonisht pranojnë pacientë nga lagje dhe distrikte të caktuara. Në Shangai, këto dy nivele spitalesh deri më tani u janë përgjigjur 60 për qind të të gjitha kërkesave të trajtimit.
Spitalet tretësore kanë numrin më të madh të shtretërve dhe ofrojnë shërbime mjekësore gjithëpërfshirëse. Shumë spitale tretësore në Shangai kanë zgjeruar kapacitetin e tyre të reparteve të terapisë intensive dhe kanë rritur inventarët e tyre të barnave.
Bashkia e Pekinit u kërkoi spitaleve të saj tretësore të luajnë rol në trajtimin mjekësor, të shfrytëzojnë plotësisht ekipet e ekspertëve dhe të ofrojnë trajtim specifik për të sëmurët rëndë që janë prekur nga koronavirusi i ri, në përputhje me kushtet e tyre, dhe të bëjnë çdo përpjekje për të shtuar përqindjen e shërimit dhe për të zvogëluar vdekshmërinë, sipas një zëdhënësi në një konferencë shtypi të mbajtur në Pekin të shtunën.