Festat e fundvitit/Ambasadori i Kinës, vizitë në Bashkitë e Kuçovës dhe Dimalit
2022-12-26 14:49:54

Foto nga Facebook

Ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, i shoqëruar nga kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë në Kuvend, Bardhyl Kollçaku, vizitoi Bashkinë e Kuçovës, ku u prit nga kryebashkiaku Kreshnik Hajdari. Në një mesazh në “Facebook”, ambasadori thotë se në takim, veç kujtesës për miqësinë tradicionale mes Kuçovës dhe Kinës, biseduan edhe për forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

“Kënaqësi e madhe që erdha në Kuçovë bashkë me z. Bardhyl Kollçaku, kryetarin e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë në Kuvend me rastin e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dhe u takova me kryebashkiakun z. Kreshnik Hajdari. Kemi kujtuar miqësinë tradicionale mes Kuçovës dhe Kinës dhe kemi biseduar thellësisht për forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen. Bashkërisht kemi shpërndarë dhuratat e festave të përgatitura nga Ambasada Kineze për fëmijët dhe familjet në nevojë, me shpresën që këto dhurata t'u sjellin ngrohtësi, lumturi dhe forcë”,- thuhet në mesazhin e ambasadorit.

Po ashtu, ambasadori i Kinës u ndal edhe në Bashkinë fqinje të Dimalit, ku së bashku me kryetaren e bashkisë Juliana Memaj shpërndarë dhuratat e festave.

“Buzëqeshjet entuziaste dhe performancat e mrekullueshme të fëmijëve më sollën shumë ngrohtësi. Bashkia Dimal ka një histori të gjatë, burime të pasura natyrore dhe kulturore, popull të sjellshëm dhe miqësor dhe potencial të madh zhvillimi. Iu uroj sinqerisht banorëve në Dimal shëndet dhe lumturi në vitin 2023”,- përfundon mesazhi i ambasadorit. (Elona)