Palestina paralajmëron zgjerimin e vendbanimeve nën qeverinë e re izraelite të Netanjahut
2022-12-26 13:44:41

Foto: VCG

Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO)  paralajmëroi për përshkallëzimin e aktiviteteve të vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor me formimin e qeverisë së re izraelite.

ë premten, Benjamin Netanjahu, kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, njoftoi se ai ka arritur të formojë një qeveri koalicioni me disa parti të tjera të vijës së ashpër dhe ultra-ortodokse.

"Ngritja e partive fashiste sioniste kërcënon një përshkallëzim të paprecedentë në aktivitetet e vendbanimeve dhe konfiskimin e tokave palestineze”,- njoftoi Zyra Kombëtare e PLO për Mbrojtjen Tokësore dhe Rezistencën e Vendbanimeve në një raport dërguar “Xinhua”.

Në raport thuhej se Netanjahu do të reduktonte ndjeshëm pjesëmarrjen e tij në miratimet e ndërtimit në vendbanime pasi ky autoritet t'i transferohej Partisë Sioniste Fetare të udhëhequr nga Bezalel Smotrich, sipas marrëveshjeve të koalicionit. Raporti i PLO thotë se Izraeli kishte ndërtuar 3100 njësi vendbanimesh në Jeruzalemin Lindor në vitin 2022.

Udhëheqësit dhe zyrtarët palestinezë kanë paralajmëruar vazhdimisht se zgjerimi i vendbanimeve izraelite dhe konfiskimi i tokave palestineze në Bregun Perëndimor do të minonte zgjidhjen me dy shtete.

Më shumë se 700.000 kolonë izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, sipas shifrave zyrtare palestineze.

Në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor, të gjitha të pretenduara nga palestinezët dhe që atëherë i ka kontrolluar ose bllokuar këto zona. (Elona)