Qeveria amerikane shpall emergjencën e energjisë në Teksas mes stuhisë së Arktikut
2022-12-26 15:44:28

Foto: VCG

Departamenti i Energjisë në SHBA shpalli një emergjencë energjetike në shtetin e dytë më të madh të vendit, Teksas, në mes të një stuhie dimërore në Arktik.  

Këshilli i Besueshmërisë Elektrike të Teksasit (ERCOT), operatori shtetëror i rrjetit që u shërben 90 për qind të klientëve elektrikë, kërkoi që të tejkalojë kufijtë e caktuar të ndotjes së ajrit për të rritur prodhimin mes kërkesës rekord të energjisë në shtet, bën të ditur “Xinhua”.

 “Ndërsa shumica dërrmuese e njësive gjeneruese të ERCOT vazhdojnë të operojnë pa asnjë problem, një numër i vogël i njësive kanë pasur vështirësi operimi për shkak të motit të ftohtë ose reduktimeve të gazit”, thuhet në dokument.  

Mediat lokale raportuan se një pjesë e prodhimit të energjisë shkoi jashtë linje pasi kërkesa për energji arriti një maksimum të papritur në Teksas të premten, duke cituar zyrtarë të ERCOT, të cilët pranuan se kërkesa për energji ishte nënvlerësuar në parashikim.  

Megjithatë, ERCOT njoftoi të shtunën pasdite se rrjeti elektrik i shtetit i ka rezistuar temperaturave të ngrirjes në pjesën më të madhe të shtetit, duke pritur që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë me kërkesën.  

Sipas Departamentit të Energjisë, kërkesa për energji në Teksas arriti një kulm dimëror të të gjitha kohërave prej mbi 74.000 megavat të premten në mëngjes.  

Në fillim të kësaj jave, meteorologu i “AccuWeather” Jon Porter e quajti stuhinë e Arktikut testin më të madh të rrjetit të energjisë shtetërore që nga stuhia e dimrit të shkurtit 2021, e cila vrau më shumë se 200 persona në Teksas dhe e shtyu rrjetin shtetëror në prag të dështimit total.  

“AccuWeather” vlerëson se Teksasi pësoi 130 miliardë dollarë dëme ekonomike për shkak të stuhisë së dimrit të vitit 2021 që çoi në ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike në të gjithë shtetin. (Elona)