“Një karrige për shkrimtarë”, ekspozitë dhe një album nga Roland Tasho
2022-12-26 16:15:49


Roland tasho dhe karrigia e tij (foto newsbomb.al)

Ekspozohet për herë të parë karrigia prej druri e Roland Tashos, kufotografi ka mbledhur firmat e 43 shkrimtarëve, nga viti 1998 deri në vitin 2000. Cikli nis me çiftin Kadare e mbyllet me Ben Blushin. Hstoria e mbledhjes së firmave ka nisur kur fotografi Roland Tasho, mbi një karrige normale, që mund ta gjeje në çdo familje shqiptare, vendosi të ftojë shkrimtarët që të hidhnin firmat e tyre. Në 1998, ai “i rrëmbeu” familjes një prej katër karrigeve tipike të tryezave shqiptare dhe e nisi me çiftin Kadare e Mira Meksin, në studion e kësaj të fundit.

Kështu nisi aventura e fotografit Roland Tasho, rreth 15 vjet më parë, për të përfunduar vetëm tani. E vërtetë që zanati i tij është fotografia, por kësaj here kishte vendosur të fotografonte njerëz “jo të thjeshtë”. Pikërisht shkrimtarët dhe përkthyesit, me natyrën e tyre të vështirë, por edhe të dashur e të mirë pa fund. Nuk qe fort e lehtë, por më në fund arriti të fiksojë portretet e 46 shkrimtarëve, 12 prej të cilëve nuk jetojnë më. Të gjithë i ka mbledhur në një album, të titulluar “Një karrige për shkrimtarë”, të realizuar në bardh e zi.

Eksozita u hap në ambientet e Qendrës Ndërkombëtare të Librit, ku morën pjesë shkrimtarë protagonistë, por edhe të afërm të tyre, pasi një pjesë e shkrimtarëve nuk jetojnë më.

Kjo eskpozitë është kartolina më e bukur që mund të zgjidhej në këtë fundviti, pasi është një homazh e nderim ndaj gjithë atyre që kanë kontribuar në pasurimin e gjuhës e kulturës sonë. Objektivi i fotografit të njohur fiksoi portretet e shkrimtarëve të shekullit të kaluar, sikur ta dinte se fotot e shkrepura prej tij do t’i rezistonin kohës, plakjes dhe vdekjes.

shkrimtaret dhe karrigia e tyre (foto:nwsbomb.a)

Nga Kolë Jakova, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Robert Shvarc, Qamil Buxheli, Dhimitër Xhuvani, Shuteriqi, Teodor Keko, Vath Koreshi, Llazar Siliqi, Teodor Keko, Moikom Zeqo, etj., kanë firmosur në karrige dhe Tasho u ka bërë portrete. Por te kjo karrige u ulën edhe shkrimtarë të tjerë si Visar Zhiti, Elvira Dones, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Ervin Hatibi dhe Fatos Lubonja, të gjithë u fotografuan nga Roland Tasho.

Shumë prej shkrimtarëve, në këtë ritakim me veten përmes imazheve të Tashos, rikthehen pas në kohë. Kujtojnë vitin  e vështirë ’98 kur u bënë shumë prej fotografive për projektin e Tashos, që në ato kohë u dukej i çuditshëm, ndërsa sot tek shohin portretet dhe karrigen me vlera muzeale, ky projekt i gëzon.

Vetë fotografi Roland Tasho flet për idenë dhe të veçantën e fotografimit të shkrimtarëve.

Nga ekspozita e portreteve me shkrimtaret qe firmosen (foto:newsbomb.al)

“Motivi i fotografimit të shkrimtarëve ishte gjetja e një karrigeje të vjetër ku secili nga shkrimtarët la firmën e tij. Paraprakisht duhej thyer një mur që ekzistonte midis fotografit dhe personazhit që do të prezantohej dhe duhej të konsumoheshin edhe ca filma, sepse ky proces është bërë me filma dhe jo me mënyrën digjitale”, shprehet fotografi i njohur.

Në vitin 1997 atij i ishte  propozua nga Ministria e Kulturës realizimi i një albumi me portretet e shkrimtarëve të botuar në Francë dhe ishin 13 të tillë. Projekti i nisur dhe i lënë në mes, pasi Tasho u largua me një bursë për në Paris,u transformua në një projekt më të madh, në një ide më gjithëpërfshirëse me kthimin e tij, pasi vendosi të fuste në album jo vetëm shkrimtarët e përkthyer në Francë, por të gjithë shkrimtarët dhe përkthyesit tanë më të mirë.

Në fillim ai kishte planifikuar që të përdorte si objekt simbolik një makinë shkrimi, ku të firmosnin të gjithë, por ajo duke qenë metalike paraqiste vështirësi, prandaj edhe vendosi që në vend të saj, të merrte një karrige, të thjeshtë e të vjetër shtëpie, e cila u tjetërsua në një objekt me vlera dokumentare dhe shpirtërore.

Fimrat mbi karrige( foto: dosja.al.)

Portret pas portreti shkrimtarët shqiptarë pranuan të fiksoheshin në imazhin e kuruar nga Roland Tasho. Çdo fotografi ka një histori, por imagjinoni sa histori shkrimtarësh bëhen bashkë këtë fundvit në muret e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit! Po këtu do të mund të gjeni dhe karrigen e vjetër, një karrige si ajo që, thuajse për vite të tëra, e kanë pasur në shtëpitë e tyre të gjithë shqiptarët. Karrigia është e nënshkruar nga vetë shkrimtarët dhe të gjithë mund ta sodisin atë të ekspozuar bashkë edhe me portretet e shkrimtarëve. Gjithashtu, një album me këto fotografi, me titull “Një karrige për shkrimtarët”, i dhjeti i fotografit, gjendet aty.

Roland Tasho zbulon përmes këtij projekti se po punon edhe për një tjetër ide, atë të vajzave të larguara nga ky vend.

 Neritana Kraja