Rrëzimi i avionit në 2019-n në Etiopi, nga mosfunksionimi i sigurisë
2022-12-26 15:10:24

Foto: VCG

Rrëzimi i avionit Boeing 737-8 Max i “Ethiopian Airlines”, ku humbën jetën 157 persona, u shkaktua nga një funksion i gabuar i sigurisë, thanë autoritetet etiopiane në raportin e tyre përfundimtar, përcjell “Xinhua”.  

Më 10 mars 2019, avioni që fluturonte nga Addis Ababa për në Nairobi u rrëzua disa minuta pas ngritjes, duke vrarë të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhin në bord.  

Një raport përfundimtar mbi aksidentin arriti në përfundimin se asgjë nuk ishte e gabuar përpara nisjes dhe përplasja ishte për shkak të një dështimi të veçorisë së sigurisë, tha Dagmawit Moges, ministri etiopian i Transportit dhe Logjistikës.  

“Sensori i këndit të majtë të veprimit (AOA) të avionit dështoi menjëherë pas ngritjes, duke dërguar të dhëna të gabuara në sistemin e kontrollit të fluturimit. Të dhënat e gabuara nga ana e tyre aktivizuan Sistemin e Rritjes së Karakteristikave të Manovrimit (MCAS), i cili në mënyrë të përsëritur ngriti pjesën e përparme të avionit në një pikë ku pilotët humbën kontrollin”,- citohet të ketë thënë Moges nga agjencia shtetërore e lajmeve etiopiane “ENA”.  

Sensorët AOA në avion i japin komanda MCAS-it që të drejtojë automatikisht poshtë pjesën e avionit nëse ai rrezikon kuotën.  

Moges vuri në dukje se raporti përfundimtar u ndërtua mbi raportet paraprake dhe të përkohshme që u publikuan më parë.  

Incidenti bëri që kompania ajrore e Etiopisë, së bashku me shumë linja të tjera ajrore në mbarë botën, të ndalonin avionët Boeing 737 MAX.  

Në shkurt, kompania ajrore e Etiopisë fluturoi avionin e tij Boeing 737 MAX për herë të parë që nga incidenti tragjik. (Elona)