Kina nxit shtimin e përpjekjeve diplomatike për rifillimin e marrëveshjes bërthamore të Iranit
2022-12-26 21:16:34

foto nga MPJ

Ministria e Jashtme e Kinës u bëri thirrje të hënën të gjitha palëve në bisedimet bërthamore të Iranit të mbeten të përkushtuara për dialog e negociata dhe të shtojnë përpjekjet diplomatike për ta futur marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015, të njohur si zyrtarisht Plani i Përbashkët i Veprimit, përsëri në rrugën e duhur sa më shpejt të jetë e mundur.

Zëdhënësja e diplomacisë kineze Mao Ning i tha këto në një konferencë shtypi kur iu përgjigj një pyetjeje mbi procesin e fundit të negociatave për marrëveshjen bërthamore të Iranit.

Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian tha të premten e kaluar se ai dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell kanë rënë në një mendje mbi hapat përfundimtarë për rinisjen e negociatave mbi zbatimin e marrëveshjes bërthamore të Iranit gjatë takimit të tyre të fundit.

Amir-Abdollahian theksoi gjithashtu se "dritarja e marrëveshjes është e hapur nga ana e Iranit, por jo përgjithmonë."

Duke theksuar se Kina i ka vënë re raportet përkatëse, Mao u shpreh se bisedimet për çështjen bërthamore të Iranit kanë hyrë në fazën kritike përfundimtare.

Megjithëse negociatat ndeshen me një gjendje të ndërlikuar serioze, ka ende shpresë për të arritur një marrëveshje, shtoi ajo.

Zëdhënësja vuri në dukje se Irani ka treguar vullnet të mirë kohët e fundit dhe shprehu shpresën se palët do të reagojnë pozitivisht e do të gjejnë mënyra për të punuar me Iranin dhe për të hedhur hapa pozitivë e konstruktivë për të arritur rezultat sa më parë.

Ajo theksoi që çështja bërthamore iraniane nuk duhet të lidhet me probleme të tjera. (Artan)