Banka e Shqipërisë bën bilancin e vitit 2022 dhe prognozën për 2023
2022-12-26 16:33:25


Banka e Shqiperise (Foto: Monitor)

Në komunikimin e fundit për këtë vit me median, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se 2022 ishte një tjetër vit sfidues për ekonominë shqiptare, në nivel makro dhe mikroekonomik, për stabilitetin monetar e financiar, si dhe për vendimmarrësit e sektorit publik. Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se efekti i goditjes së huaj vijon të jetë prezent në ekonominë shqiptare. Megjithatë, trajektorja e inflacionit duket se ka shënuar një kthesë drejt reduktimit në tremujorin e katërt, ndërsa aktiviteti ekonomik vijon të jetë nën presionin e çmimeve të rritura dhe të pasigurisë së shtuar.

“Përditësimi i parashikimeve për të ardhmen sugjeron se inflacioni do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. Po ashtu, ekonomia shqiptare pritet të rritet në të ardhmen, ndonëse ritmi i rritjes pritet të vijë në ngadalësim në afatin e shkurtër dhe të rritet drejt potencialit në afatin e mesëm. Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se normalizimi i deritanishëm i qëndrimit të politikës monetare ka kontribuuar në zbutjen e presioneve inflacioniste, nëpërmjet kontrollit të pritjeve për inflacionin, reduktimit të pasigurisë dhe ruajtjes së stabilitetit në tregjet financiare, si dhe garantimit të qëndrueshmërisë së monedhës tonë kombëtare.”- u shpreh Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mos ndryshojë qëndrimin e politikës monetare në nivelin 2.75%. Ky vendim sipas Bankës së Shqipërisë faktorizon reduktimin e inflacionit brenda dhe jashtë vendit në muajin nëntor, si dhe na mundëson një rivlerësim të shpejtësisë së normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, në funksion të respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe të ruajtjes së ritmeve pozitive të rritjes ekonomike.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rritje të lehtë në muajin tetor dhe një reduktim të moderuar në muajin nëntor. Normat respektive të inflacionit në këto dy muaj ishin 8.3% dhe 7.9%.Në këndvështrimin e shportës së konsumit, ecuria e inflacionit në këto dy muaj u përcaktua nga rënia e çmimit të naftës dhe të kostove të transportit, si dhe nga luhatje në kahe të kundërta të çmimeve të artikujve ushqimorë. Inflacioni i artikujve të tjerë të shportës shfaqi luhatje më të pakta. Gjithsesi, me përjashtim të çmimit të energjisë elektrike, norma e inflacionit të thuajse të gjithë artikujve të shportës mbetet në nivele të larta historike dhe shfaq shenja të qarta ndikimi nga goditja e huaj.”- u shpreh guvernatori Sejko.

Gent Sejko (Foto: Banka e Shqiperise )

Në këndvështrimin makroekonomik, ecuria e inflacionit u përcaktua nga reduktimi i efektit direkt të inflacionit të importuar. Ky fenomen sipas Bankës Qëndrore ishte i pranishëm dhe në ecurinë e inflacionit të partnerëve tanë kryesorë tregtarë. Megjithatë, përtej efektit direkt, niveli i lartë i inflacionit vazhdon të ushqehet nga transmetimi i tyre në koston e mallrave dhe shërbimeve, si dhe nga kërkesa relativisht e qëndrueshme për mallra e shërbime në vend, e cila siguron një shkallë të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve, veçanërisht në tregu e punës.

“Analiza e informacionit të disponuar sugjeron se aktiviteti ekonomik ka vijuar të rritet në gjysmën e dytë të vitit. Megjithatë, në ngjashmëri me tremujorin e dytë, ritmi i rritjes ekonomike ka shfaqur shenja ngadalësimi, si pasojë e pasigurive për të ardhmen, e rritjes së kostove të prodhimit dhe e reduktimit të kërkesës së huaj. Këto pasoja janë shfaqur në formën e shtrenjtimit të faturës së importeve, si dhe të një ecurie më të ngadaltë të investimeve private e publike.Përkundrejt tyre, tregu i punës në tremujorin e tretë shfaqi një ecuri mjaft pozitive. Punësimi në ekonomi u rrit me 4.2% në terma vjetorë, norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6%, ndërkohë që paga mesatare në sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 12.4%. Kjo ecuri dëshmon se kërkesa agregate në vend mbetet solide, e mjaftueshme për të gjeneruar rritje punësimi dhe pagash. Ajo ilustron, po ashtu, faktin se bazat e rritjes ekonomike të vendit janë relativisht të shëndetshme.”

Inflacioni (Foto: Businessmag)

Tregjet financiare vazhdojnë të jenë të qeta. Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka pasur tendenca forcimi thotë Banka e Shqipërisë, ndërsa transmetimi i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, si në vend ashtu edhe në Eurozonë, po shfaqet gjithnjë e më i plotë.

“Megjithatë, edhe pse normat e interesit të produkteve kryesore financiare, - depozitave, kredive dhe letrave me vlerë të qeverisë - kanë ardhur në rritje, ato vijojnë të mbeten akomoduese për rritjen. Në përgjigje të tyre, kredia vjetore vijon të shfaqë flukse mujore pozitive, ndonëse ritmi i rritjes ishte në ngadalësim gjatë muajit tetor. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë është e kënaqshme dhe shfaq tendenca përmirësimi. Projeksionet tona të skenarit bazë, sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe presionet inflacioniste do të vijnë në reduktim gjatë dy viteve të ardhshme.”- vijon Guvernatori.

Projeksionet janë që Inflacioni të shënojë një pikë kthese gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë të vitit 2024. 

“Ky parashikim bazohet në reduktimin e pritur të inflacionit në ambientin botëror, në reduktimin progresiv të efekteve të raundit të dytë në vend, si dhe në ruajtjen e normave pozitive të rritjes ekonomike gjatë periudhës në vijim. Rritja ekonomike pritet të mbetet e moderuar edhe në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm dhe të konvergojë gradualisht drejt normave të saj historike në periudhën në vijim, duke ofruar një raport më të balancuar midis kërkesës dhe ofertës në vend.”

Këshilli Mbikëqyrës rikonfirmonpër mediat se  presionet e larta inflacioniste mbeten rreziku kryesor mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.