Jeta e ngjyrshme e të moshuarve kinezë në TikTok
2022-12-26 21:46:34

 

Ndër përdoruesit e TikTok-ut, një pjesë e konsiderueshme janë të moshuarit. Zonja Wang, 64 vjeç dhe dy shoqet e saj, 65-vjeçarja Guo dhe 66-vjeçarja Xiu Rong, hapën në TikTok një llogari me emër “Po vjen zonja Wang”. Tre shoqet xhirojnë së bashku video të shkurtra me temë gatimin e gjellëve dhe i publikojnë ato në TikTok. Në krijimet e tyre ato shfaqin procesin e gatimit duke e shoqëruar me këngë e valle, pasi kjo mënyrë e veçantë tërheq shumë shikues. Deri tani numri i admiruesve të llogarisë “Po vjen zonja Wang” i ka kaluar 1 milion. Shtimi i admiruesve u ka sjellë atyre përfitime ekonomike. Shumë kompani i kanë ftuar ato të xhirojnë reklama, ndërsa tani llogaria e tyre mund të sigurojë rreth 1.400 dollarë të ardhura mujore.

Anëtarja e “Po vjen zonja Wang”, zonja Guo i tha gazetarit të “The New York Times” se në fakt tre shoqet nuk i dijnë mirë këngët dhe vallet, por çdo herë para xhirimit të një videoje të re, djali i zonjës Wang, një kompozitor, i ndihmon ata të përgatisin këngët dhe vallet e radhës. Kështu, me përpjekje të përbashkëta, interpretimet e tyre e tyre bëhen mjaft tërheqëse.

Në artikullin e gazetës “The New York Times” vihet në dukje se zonja Wang dhe shoqet e saj janë vetëm disa prej përfaqësuesve të të moshuarve të shumtë kinezë që shfaqin jetën e tyre në TikTok. Krahas tyre në TikTok mund të gjesh gjithashtu këngëtarë në moshën 80-vjeçare, kërcimtar tangoje 70 vjeç, madje edhe 86-vjeçar aktiv në lojërat e internetit etj.

Gjyshi Tang, i moshës 86 vjeç, është një përfaqësues tjetër i të moshuarve kinezë në TikTok. Ai aktualisht  jeton i vetëm. Në vitin 2020, ai filloi të transmetojë drejtpërdrejt këndim në TikTok në llogarinë me emrin “Gjyshit i pëlqen këndimi”. Gjyshi Tang tregon se në vitin 2019 ishte larguar nga vendlindja për t’u shpërngulur në Hainan të Kinës Jugore. I sapoardhur në një qytet të panjohur, gjyshi Tang e ndjente veten të vetmuar dhe e përdori TikTok-un më tepër për të larguar vetminë. Interpretimi i tij në TikTok tërheq gjithmonë shumë shikues dhe mjaft prej tyre zhvillojnë aktivisht shkëmbime me gjyshin Tang. Në këtë mënyrë, ai e zbuloi përsëri kënaqësinë e jetës.

Sipas “The New York Times” Kina është një nga vendet me moshën më të ulët të daljes në pension në botë. Mosha mesatare e daljes në pension e meshkujve kinezë është 60 vjeç, ndërsa për femrat kjo moshë është 55 vjeç. Kështu që të moshuarit kinezë kanë mjaft kohë të zhvillojnë aktivitete sociale në internet. Njëkohësisht një numër i madh i të moshuarve kinezë nuk duan të qëndrojnë gjatë gjithë ditës në shtëpi vetëm duke u kujdesur për familjen, ata kërkojnë një jetë më të ngjyrshme edhe për veten e tyre pas daljes në pension. Prandaj në platforma sociale, si për shembull në TikTok, janë aktivë më shumë të moshuar. (Fani)