Juliana Shalla ne Londer
Juliana Shalla jeton prej 7 vitesh në Angli dhe është integruar mjaft mirë në shoqërinë e vendit ku jeton, ku jep mësim në gjuhën angeleze për shtetasit shqiptarë. Edhe pse shumë milje larg vendit të saj, ajo e ruajti fort dashurinë që kishte për atdheun, duke u angazhuar në mësimin e gjuhës shqipe në shkollat shqiptare në Londër. Gjithashtu prej katër vitesh Juliana merret me zbulimin e talenteve të rinj shqiptarë në Angli dhe me promovimin e artistëve të rinj. Në një intervistë për Radio Ejani Juliana tregon për integrimin në një vend të huaj si dhe punë që bën me fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë që jëtojnë në Angli.
Juliana Shalla me veshje kombetare
CMG: Sa vite keni që jetoni në Angli dhe si jeni integruar me jetën atje?
Juliana Shalla: Unë kam 7 vite që jetoj në Angli. Në mars të vitit 2015 kemi ardhur këtu. Kam pasur vështirësi si çdokush që ka peripecitë e veta në fillim. Ka pasur vështirësi për t’u integruar, por e mira ishte që unë kisha studiuar për gjuhë angleze dhe e kisha pak më të lehtë integrimin në krahasim me të tjerët që nuk kishin njohuri të anglishtes. Kështu që u integrova më shpejt me jetesën këtu sepse gjuha angleze ishte një ndihmesë shumë e madhe sepse isha në komunikim me të gjithë njerëzit për të ditur se çfarë doja të bëja. Unë mendoj se kushdo që do të shkojë në një vend të huaj është gjuha që i penalizon.
CMG: Ju jepni mësime të gjuhës angleze për emigrantët e tjerë që nuk e njohin këtë gjuhë në mënyrë që dhe ata të integrohen mirë në Angli.
Juliana Shalla: Unë kur kam ardhur në Angli kam filluar të punoj me përkthime sepse ka pasur shumë nevojë nga shqiptarët për përkthime në spitale apo zyra, duke i ndihmuar ata. Pastaj meqë kisha mbarua studimet për mësuese të gjuhës angleze, mendova të aplikoja dhe të punoja dhe në profesionin tim si mësuese sepse është normale që pasi të integrohesh duhet të shohësh se ku do ta gjesh veten në të ardhmen. Kështu që vazhdova me kurse të gjuhës angleze nëpër kolegje dhe kohët e fundit edhe privatisht. Para dy vitesh kur filloi pandemia bëja kurse online sepse këtu ka shumë shqiptarë që kanë ardhur nga Greqia dhe Italia dhe u ndeshën me gjuhën angleze sepse nuk kishin njohuri. Atë periudhë unë isha në shtëpi, dhe ngaqë për arsye të pandemisë nuk kishim mësim i vazhdova online kurset. Unë vazhdoj akoma me kurset ku kam 5 grupe të moshave të ndryshme, por zakonisht punoj me të rriturit. Këto grupe janë sipas niveleve, ku ka fillestarë dhe të avancuar.
Juliana Shalla gjate mesimit me nxenesit shqiptar ne Angli
CMG: Gjithashtu ju ndihmoni dhe studentët shqiptarë që kanë dëshirë të studiojnë në Britaninë e Madhe.
Juliana Shalla: Ky ka qenë synimi sepse edhe unë kur kam ardhur këtu 7 vite më parë pashë vështirësitë e mëdha që kalova dhe shoh këta të rinj që kanë ardhur këtu dhe nuk dinë të orientohen. Ky ka qenë dhe qëllimi që po i ndihmoj studentët shqiptarë sepse aty ku unë punoj kemi komunitete të ndryshme dhe unë jam përfaqësuese e studentëve shqiptarë. Unë përpiqem që t’i ndihmoj në çdo lloj mënyre që dhe ata të ecin. Unë kam tre vite që punoj me agjensitë që regjistrojnë studentët në universitete apo kolegje ku kam ndihmuar shumë shqiptarë. I ndihmoj këta studentë duke i orientuar aty ku ata kanë dëshirë të studiojnë dhe me rregullat që janë këtu.
CMG: Si ju kontaktojnë shqiptarët që kanë nevojë për ndihmë?
Juliana Shalla: Ata që vijnë nga Shqipëria mund të më gjejnë në faqet “Albanian students London”, që është faqe në Facebook. Kemi një faqe tjetër që është “UK Albanian Teacher Students Forum” si dhe websiti “Education Services”. Kështu që mund të futen në këto faqe dhe unë kam dëshirë që t’i ndihmoj që dhe ata të ecin përpara.
CMG: Jeni e kënaqur me punën që bëni në Angli?
Juliana Shalla: Unë jam shumë e kënaqur sepse këtu ke shumë mundësira dhe kjo është e mira. Në Shqipëri nuk munda që t’i arrija gjërat e mia edhe pse studiova gjithë ato vite, por punoja mësuese me orë dhe më transferonin nga një zonë në një tjetër, ndaj ishte e pamundur që të ecja përpara. Ndërsa këtu të paktën merita jote të vlerësohet dhe nuk është si në Shqipëri që nuk ta vlerësojnë atë çfarë ti jep. Të gjitha gjërat i kam arritur me shumë sakrifica falë mbështetjes së bashkëshortit tim, por jam e lumtur sepse po bëj atë që kam dëshiruar dhe është një punë në fushën e edukimit ku jam arsimuar dhe nuk punoj në një profil tjetër. Pra në atë fushë që unë kam studiuar, në atë po punoj dhe këtu.
CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar në Angli?
Juliana Shalla: Do të thoja se është i organizuar mjaftueshëm, por jo siç duhet dhe kjo më habit që pse nuk jemi shumë të bashkuar.
CMG: E vizitoni shpesh Shqipërinë dhe për çfarë ju merr më shumë malli?
Juliana Shalla: Unë vij shpesh dhe më merr malli për çdo gjë sepse jemi rritur atje. Më merr malli për familjarët, për miqësinë, shoqërinë dhe çdo gjë tjetër. Unë vij në Shqipëri pothuajse dy herë në vit dhe shpresoj që të vij këtë vit përsëri.
CMG: Pushimet verore i kaloni në Shqipëri apo diku tjetër?
Juliana Shalla: Preferojmë që të vijmë shpeshherë në Shqipëri, por kemi qenë edhe në vende të tjera.
CMG: Përveç profesionit të mësueses keni pasione të tjera në jetë?
Juliana Shalla: Patjetër që kam pasione të tjera. Unë merrem shumë me studentët dhe fëmijët, duke i motivuar sa më shumë për të ecur në jetë duke zbuluar talentet. Katër vite më parë këtu në Angli kam filluar “Albanian Talent Show” me fëmijët shqiptarë, thjesht për faktin që kur isha mësuese në Shqipëri kisha qejf gjithmonë që t’i motivoja fëmijët që kishin talent në këngë apo recitime. Kjo gjë më mungonte këtu dhe fillova që të merrem me organizime të tilla me fëmjët, duke promovuar kulturën dhe vlerat tona shqiptare. Gjithashtu unë jam pjesë e një rrjeti të komunitetit ku janë gjithë të huajt dhe unë përfaqësoj Shqipërinë. Pra unë që jam e forumit shqiptar merrem me fëmijët që ftohen në komunë për aktivitete artistike, dhe kam parë që ka shumë mbresa të mira nga ata që na ftojnë. Në këto aktivitete ne marrim pjesë me këngë, valle, veshje kombëtare dhe gatime tradicionale. Fëmijët kanë shumë dëshirë të marrin pjesë në këto evente. Unë kam dhe djalin tim që me flamurin shqiptar në dorë ka shumë qejf që kur bëhen të gjithë bashkë ndjehen krenarë që janë nga Shqipëria. Ne duhet ta promovojmë kulturën tonë dhe unë bashkë me fëmijët marrim pjesë në këto evente për të promovuar kulturën shqiptare. Këtë gjë e kam si pasion sepse më pëlqen.
CMG: Së fundi një urim për festat e fundvitit për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Juliana Shalla: Unë i uroj shumë suksese Radio Ejani sepse është një mundësi shumë e mirë për ne që jetojmë në diasporë dhe kemi tashmë një mundësi për të treguar diçka të bukur. Ju uroj të gjithë dëgjuesëve gëzuar festat, mbarësi, shëndet dhe të arrijnë qëllimet e tyre, sidomos studentët që çfarëdolloj synimi që ata kanë t’i arrijnë me sukses.
Intervistoi: Gazmend Agaj