Albina Kelmendi dhe familja (Foto nga instagrami)
Përfundoi edhe për këtë vit, edicioni i 61-të i Festivalit të muzikës së lehtë Shqiptare në Radio Televizionin Shqiptar. Juria profesioniste e këtij festivali si kantautori Elton Deda, artisti Genc Salihu, profesoreshë e kantos Alma Bektashi, muzikanti Zhani Ciko dhe poetja Rita Petro dhe vlerësuan me çmimin e parë këngëtaren Elsa Lila, me këngën “Evita”. Në këtë rikthim pas 25 vjetësh ajo erdhi si një profesioniste e vërtetë, si artiste e një kalibri botëror, duke u treguar të gjithëve se si bëhet art, duke emocionuar jo vetëm publikun, por edhe vetë artistët. Emocion që të çonte në një tjetër dimension, ashtu e thjeshtë dhe madhështore, me një tekst të ndjerë, muzikë të mbështetur nga një progresion frymëzues harmonik dhe e orkestruar në mënyrë të shkëlqyer, nën dirigjimin e artistit italian Enrico Melozzi. Kjo këngë do të mbetet gjatë në memorie, jo vetëm si një nga këngët më të realizuara të Elsës, por edhe një nga këngët me një standard të lartë profesional, ndër më të mirat e Festivalit të Rtsh-së ndër vite. Elsa Lila u shpreh pas fitores:
Manjola Nallbani fest 61 (Foto nga instagrami)
- “Ndjej, ndjej shumë në këtë moment dhe e kam të vështirë ta përmbledh, gjithnjë lëmsh, e një histori që më kthehet mbrapsht, para shumë vitesh. Gjithë kjo ndodhi sonte falë jush, falë mbështetjes tuaj, falë inspirimit që më keni dhënë, falë dashamirësisë së jurisë, falë një orkestre të mrekullueshme, falë një stafi të palodhshëm dhe falë vajzës time që më dha kaq frymëzim. Ju falenderoj nga zemra, për gjithë emocionet, dashurinë dhe mbështetjen që më keni dhuruar në të trija netët e festivalit . Ka qenë një nder i madh për mua të jem këtu sërish këtu përballë jush dhe kënaqësia më e madhe që mora ishte që ju u emocionuat me këngën, e perceptuat, e përthithët dhe s’ka kaluar dy ditë dhe më duket shumë e çuditshme që e këndoni. Ju falenderoj nga zemra!”, ka përfunduar Elsa Lila.
Fituese e çmimit të dytë të festivalit të Rtsh-së nga juria profesionale u shpall këngëtarja nga Kosova Albina Kelmendi, një talent e zbuluar vite më parë në “The Voice of Albania” ku u vlerësua me çmimin e dytë dhe trajnere e saj ishte artistja Elsa Lila. Ajo konkuroi në këtë festival së bashku me familjen me këngën “Duje”. Albina Kelmendi pas fitores së çmimit të dytë nga juria u shpreh:
“Jam mësuar me çmime të dyta, ja kam marrë dorën. Faleminderit shumë, faleminderit jurisë që më kanë vlerësuar. Kjo do të thotë shumë për mua, ka vlerë shumë të madhe, mundohem shumë të shpreh mirënjohjen time që ndjej brenda, por asnjëherë nuk arrij. Kam shumë mirënjohje brenda, duke filluar nga orkestra dhe të gjithë ata që kanë punuar për këtë festival. Faleminderit edhe një herë juria, publikut, të gjithëve!”, tha Kelmendi.
Juria e Festivalit të 61-të të Këngës vlerësoi me çmimin e tretë Grupin 2 Farm, të cilët u rikthyen me grupin e krijuar dy dekada më pare.
Solisti i 2 FARM Kastro Zizo tha: “Falenderoj orkestrën e Rtsh-së përulem.Falenderim i jashtëzakonshëm për të gjithë artistët, gjithë stafin, familjarët tanë. Bëni dashuri, dhuroni sa më shumë dashuri.
Anbeta Toromani dhe Kledi Kadiu (Foto nga instagrami)
Këngëtarja Rovena Dilo u rikthye në skenë, duke i shtuar vlerat festivalit me këngën e saj “Motit”, me të cilën u vlerësua nga juria me Çmimin e Karrierës. Në konferencën për shtyp Rovena Dilo u shpreh rreth këngës “Motit”:
“Kjo këngë ka një tekst dashurie, por që ka një mesazh për mentalitetin, për atë që ne bëjmë jashtë dëshirës tonë, pra të drejtuar nga ajo që turma thotë”
Në këtë edicion u nda edhe çmimi Best Neë Artist, të cilin e fitoi këngëtarja e re Erma Mici.
Shumë e veçantë ishte edhe këngëtarja Manjola Nallbani me paraqitjen e saj, e cila elektrizoi skenën e festivalin, por edhe publikun me këngën “Duaj”. Për mediat ajo u shpreh se, në këtë festival solli një këngë të kompozuar nga Kledi Bahiti me tekst të shkruar nga vetë ajo. Një këngë ritmike, me të cilën artistja përcolli një mesazh, sidomos pas kohës që kemi kaluar të gjithë, pas gjithë situatave, njeriu gjithmonë e shumë kupton në jetë se duhet të zgjohet në mëngjes e të bjerë në darkë në gjumë, duke thënë thjesht “Duaj”.
Pjesë e stafit organizativ ishte dhe kompozitori i mirënjohur Shpëtim Saraçi, i cili ka bërë një punë të jashtëzakoshme me orkestrimet e gjithçka tjetër, të cilat kanë ardhur nën kujdesin e kantautorit Bojken Lako. Ndërsa këngët në këtë festival janë shoqëruar live nga Orkestra Sinfonike e Rtsh-së, e cila mban titullin “Nderi i Kombit”, si dhe erdhën të dirigjuara nga artistët, Oleg Arapi, Alfred Kaçinari, Jetmir Barbullushi, Markelian Kapidani dhe artisti italian Enrico Melozzi.
Në festivalin e këngës në Rtsh u interpretuan 26 këngë, 16 nga artistë Big dhe 10 këngë nga artistë të rinj, nga të cilët u eleminuan 5 prej tyre. Në këtë festival erdhi me një material shumë të mirë muzikor kantautori Petrit Çarkaxhiu, artisti i cili prej vitesh ka sjellë shumë hite që këndohen nga të gjithë, si lider i grupi të famshëm Jericho, por që në këtë festival erdhi si solist me një këngë dedikuar nënës së tij “Emri i saj mirësi”. Shumë e veçantë ishte dhe paraqitja e këngëtares Rezarta Smaja me këngën “N’Eden”. Shumë emocion përcolli interpretimi i kantautorit Gjergj Kaçinari, i cili për herë të parë në skenë kishte babain e tij në dirigjim, kompozitorin e mirënjohur Alfred Kaçinari. Ndërsa Serxho Hajdini erdhi në këtë festival me këngën “Vështirë”.
Festivali i 61-të këtë vit u prezantua nga Arbana Osmani, ndërsa në regji ishte bashkëshorti i saj Eduart Grishaj, si dhe me prezencën herë pas here të aktores Olta Daku. Për herë të parë vota e publikut përcaktoi fituesin e festivalit nëpërmjet mesazheve. Në fund të mbrëmjes finale, publiku votoi këngën “Duje” interpretuar nga Albina Kelmendi dhe familja e saj, të cilët sipas rregullave të vendosura këtë vit, do përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovizion vitin e ardhshëm. Albina Kelmendi pas fitores së trofeut tha:
“Këtë kupë do ta ndajmë së bashku. A ka mundësi një duartrokitje për tekstshkruesen dhe autorin e këngës. Nuk kam fjalë, shumë faleminderit. Këtë kupë nuk mund ta ngre pa njeriun e zemrës, Valonin. Ju duam shumë! Do ju përfaqësojmë në mënyrën më më të mirë të mundshme.Faleminderit!”.
Natën e tretë u ngjitën në skenë artistët Big për të interpretuar disa nga këngët më të mira të festivaleve ndër vite, të cilat erdhën në duet me artistë të njohur, apo edhe interepretues të atyre këngëve dikur. Moment shumë emocionues ishte edhe ngjitja në skenë e “Artistes së popullit”, “Nderi i Kombit” Margarita Xhepa, e cila përcolli një temë mjaft delikate, duke sjellë historinë e një gruaje, si dhe duke i dhënë një mesazh të gjitha grave shqiptare të cilat kanë nevojë për fuqinë, për t’i thënë “jo dhunës” dhe se nuk është kurrë vonë për të rifilluar jetën. Natën e tretë e mbyllën të ftuarit specialë të festivalit, Grupi nga Ukraina, “Kalush Orchestra”, fituesit në fuqi të Festivalit Europian të Këngës të cilët interepretuan këngën “Stefania”.
Orkestra Simfonike e Rtsh-së (Foto nga instagrami)
Ndërsa në natën e katërt u rikthye pas më shumë se dy dekadash në skenën e festivalit një tjetër artist, “Mjeshtër i Madh i Skenës”, “Nderi i Kombit” Mirush Kabashi, i cili interpretoi poezinë “Ah moj Demokraci!" shkruar nga Pano Taci.
Në fund të konkurimit të artistëve ishin të ftuar balerinët e mirënjohur shqiptarë në Itali Anbeta Toromani dhe Kledi Kadiu të cilët interpretuan një potpuri vallesh popullore shqiptare. Ndërsa vajza e artistit Robert Aliaj Dragot, artiste e suksesshme në Belgjikë Gala Dragot, interpretoi këngën “Contagious", por edhe një duet të improvizuar me babain e saj këngën në shqip “Dy gjysma molle”.
Kështu përfundoi edhe për këtë vit, Festivali i 61-të i muzikës së lehtë shqiptare në Radio Televizionin Shqiptar. Festivali është konceptuar si një festë muzikore në fund të vitit, që publiku të festojë duke shijuar muzikën shqiptare. Pas festës së muzikës sot besimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjen dhe pas disa ditësh Vitin e Ri. Ne ju urojnë të gjithëve Gëzuar!
Përgatiti: Sava Lena