Belinda Balluku (Foto Infrastruktura.gov.al)
Zv.kryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, deklaroi se në kushtet e krizës qeveria shqiptare do të vijojë të mbrojë 100% abonentët me mburojë sociale energjetike, jo vetën familjarët por edhe bizneset e vogla.
Ministrja Balluku theksoi se nga kjo krizë kanë përfituar prodhuesit e energjisë elektrike që po gjenerojnë të ardhura të larta si pasojë e rritjes së çmimeve, ndërsa kostot operacionale të tyre kanë qenë të njëjta.
“Në këtë kuadër vetë KE ka vendosur miratimin e një kufiri për të ardhurat e larta nga prodhuesit e energjisë elektrike dhe rishpërndarjen e të ardhurave të tepërta dhe shpërndarjen e këtij fitimi për shtresat në nevojë. Pr.ligji i propozuar vjen në këtë frymë, për krijimin e kontributit të solidaritetit të përkohshëm dhe të detyrueshëm për prodhuesit e energjisë elektrike, që do të derdhet në një llogari të posaçme dhe do të përdoret nga shteti për financimin e paketave sociale për qytetarët dhe bizneset e vogla”,- tha Balluku në Kuvendin e Shqipërisë, përcjell “ATSH”.
Sipas saj, norma e zbatueshme për llogaritjen e kontributit të solidaritetit është në masën 50% të të ardhurave të krijuara mbi çmimin 8.5 lekë për kËh duke mos cenuar punën e tyre.
“Në Shqipëri operojnë 3 kompani që e kanë tregtuar energjinë 4 deri 5 herë më çmime më të larta se nga viti 2021 duke gjeneruar të ardhura të larta, pa shpenzuar kosto shtesë”, tha ajo.
Balluku theksoi se, qeveria shqiptare ka në plan të sekuestrojë rreth 70 milionë euro nga fitimet e kompanive private të prodhimit të energjisë elektrike në formën e një taksimi special.
“Fitimet e realizuara nga prodhuesit e energjisë elektrike, të cilët, për shkak të çmimeve shumëfish të rritura gjatë vitit 2022, kanë realizuar fitime pa rritje kostosh, do të tatohen për këto fitime shtesë me tarifën 33%. Të ardhurat e pritshme vlerësohen të jenë 8.3 miliardë lekë”, bëhet e ditur në relacionin e projektbuxhetit 2023, publikuar nga Ministria e Financave. (Irma)