Ekspozita "Muri", 12 artistë në kërkim të vetvetes
2022-12-23 12:10:43

Të njohur si “Grupi 86”, artistë të mirënjohur dhe me një karrierë të pasur artistike si Adrian Devolli, Arben Meksi, Leon Çika, Luan Boriçi, Mira Kuçuku, Agron Polovina, Fatmir Tufina, Fatmir Minga, Violeta Kongo, Llambrini Dena, Mariana Goxhabelliu, si dhe dy autorë që fatkeqësisht janë ndarë nga jeta në kulmin e karrierës së tyre, Mustafa Arapi e Arben Bajo, janë bashkuar në ekspozitën “Muri”, që është çelur në Galerinë e re të Artit “Kalo” të Tiranës.

Arben Meksi këtë radhë ka ardhur me 4 punime në karikaturë, duke zgjedhur të trajtojë tematikat globale. Për Meksin, gjinia e karikaturës nuk është në momentet më të mira. Ndërsa Ardian Devolli rrëfen më shumë për ekspozitën “Muri” dhe si shkrihen dhe dialogojnë  punët e secilit artist në galeri.

“Duke e parë në tërësi ekspozitën, mendoj se vizitori do mbetet i kënaqur, sepse kalon nga një situatë në tjetrën. Ka punë shumë të mira”, u shpreh ai.

Ekspozita kolektive do të qëndrojë e hapur për 10 ditë në Galerinë “Kalo”.

Këtë vit kuratore e ekspozitës është Marjana Goxhabelliu, e cila flet për Radio Ejani.

CMG: Marjana, nëse ndodheni përballë një pasqyre, cilat janë disa nga të vërtetat që ja thua më shpesh vetes ?

Marjana Goxhabelliu: Unë jam një pasqyrë e vërtetë sepse edhe vetë përpiqem që përherë të nxjerr anën time me të mirë dhe t'ua reflektoj këtë gjë edhe të tjerëve. Më pëlqen sepse ndjesia pesimiste nuk më ka përshkruar asnjëherë dhe jam një person që veten e shoh gjithmonë në përmirësim.

CMG: Çfarë është arti për ju ?

Marjana Goxhabelliu: Teatri për mua është frymëmarrje dhe një episod i rëndësishëm i çdo dite që kalon. Nuk e di nëse një ditë mund të ketë kaluar pa bërë art. Unë mendoj që jeta ime është e lidhur aq ngushtë sa askush nuk më nxjerr sot prej kësaj bote kaq magjepëse që të ofron dhe mbush me jetë .

CMG: A kanë qenë fillimet tuaja të lehta ?

Marjana Goxhabelliu: Kam pasur shumë vështirësi. Të krijosh emër kërkon një punë të palodhshme dhe tepër të madhe, por unë kam qenë  e palodhur dhe kjo gjë më ka karakterizuar përherë. Ajo që më ka ndihmuar dhe që dukshëm ka qenë një plus për mua ka qenë fakti se kam qëndruar me njerëz të rëndësishëm përherë pranë. Kanë qenë ata njerëz që më kanë ndihmuar dhe suportuar për të vazhduar përpara. Çdo gjë në fakt lidhet edhe me natyrën, unë jam një grua që nuk heq dorë lehtë.

CMG: Të jesh një grua në art  është e vështirë ?

Marjana Goxhabelliu: Ne jetojmë në një shoqëri maskiliste dhe çdo gjë lidhet me gjininë, me atë çfarë je. Rrallëkush është i gatshëm të ndajë gjininë nga të qenit artist. Arti nuk ka gjini, nuk njeh as formë dhe as kufinj. Përpiqem që të jem unë ajo gruaja e fortë që mund të thyejë barrier, por është gati e pamundur. Megjithatë mendoj që me civilizimin e vendit tonë janë shtuar edhe intelektualët që nuk e shohin një grua vetem të aftë në punët e shtëpisë, por edhe në karrierë .


CMG: Ekspozita "Muri", pse ky titull?

Marjana Goxhabelliu: Ekspozita "Muri " është e veçantë dhe e rëndësishme për këdo që vjen ta ndjekë pasi ndodh ballafaqimi mes artistit dhe asaj që ka realizuar. Në mur ndodhet çdo gjë dhe aty dallon dhe artisti më i mirë. Ne e kemi pranuar kështu këtë ekspozitë që të na tregojë anët më të mira dhe të na përmirësojë vazhdimisht.

CMG:  Ju ishit kuratore e ekspozitës, a ishte e vështirë dhe sfiduese?

Marjana Goxhabelliu: Unë e pata shumë të lehtë sepse kolegët janë  mirëkuptues gati të gjithë pa perjashtim. Jemi të sinqertë dhe të vërtetë me gjërat që duam të arrijmë dhe në fakt kemi pasur dhe mbështetjen e drejtorit të galerisë, i cili në çdo moment e ka hapur derën për ne dhe na ka suportuar.

CMG: Ju vetë morët pjesë me punime të ndryshme ?

Marjana Goxhabelliu: Unë mora pjesë me tre punime, njëra ishte “Gjunjëzimi”, “Ishulli i artë” dhe “Ikja”. Të tjera janë të ndryshme, por janë me elementë reale. Doja të theksoja pikturën "Gjunjëzimi", një pikturë reale sepse na ndodh edhe ne që të gjunjëzohemi përballë realitetit apo asaj që ndodh rreth nesh. Çdo pikturë ka një dozë të forte realiteti brenda saj.

CMG: A flet piktura, sipas jush ?

Marjana Goxhabelliu: Piktura flet dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe sepse edhe ne kemi folur shpirtërisht para se të ndodhemi në realizimin final. E vërteta është që unë përpiqem të ofroj tablo reale që çdo njeri kur ta shohë të gjejë veten, pra piktura t'i flasë .

CMG: Cilat janë qëllimet tuaja të ardhshme ?

Marjana Goxhabelliu: Une kam qëllimin që të njoh veten dhe limitet e mia. Ende dhe sot nuk kam arritur në njohjen e plotë të vetes dhe të sfidave të mia ndaj për këtë arrij të punoj çdo ditë .

CMG: Kush të motivon në jetë ?

Marjana Goxhabelliu: Familja është themeli, profesioni dhe miqtë gjithashtu. Pa pasur artin dhe takimet artistike unë nuk do të mund të jetoja apo të perceptoja veten. Terapia më e mirë jane takimet ku flasim se si mund t'i bëjmë gjërat më mirë. Një mbështetje shumë të madhe kam marrë nga familja ime, e cila më është gjendur gjithnjë pranë në çdo hap apo vendim.

Intervistoi : Megi Latifi