Edicioni i 61-të i Festivalit të Këngës në Rtsh këtë vit u mbajt për katër netë me radhë në datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor. Autorët e Festivalit në këtë edicion premtuan më shumë cilësi, ndërsa ky festival ka patur mjaft materiale të mira muzikore. Këngëtarja Rovena Dilo pati një rikthim të denjë në këtë festival, duke i dhënë vlera me këngën e saj “Motit”, ndërsa Elsa Lila garoi me këngën “Evita”, një dedikim për vajzën e saj që mban të njëjtin emër dhe që e ndiqte nga salla. Kjo këngë është kuruar mjaft mirë deri në detaje si teksti, muzika, orkestracioni dhe padiskutim edhe interpretimi i Elsës, duke e sjellë në mënyrë sa më të përsosur artistikisht. E veçanta këtë viti ishte dhe prania e një familjeje të tërë në skenën e një festivali, ku këngëtarja Albina Kelmendi solli në konkurim këngën “Duje”, këndoi dhe performoi në skenën e festivalit bashkë me dy motrat, vëllain dhe prindërit e saj. Shumë energjike erdhi këtë vit edhe këngëtarja Manjola Nallbani me këngën “Duaj”. Ky festival kishte në konkurim 26 artistë, nga të cilët 10 të rinj dhe 16 artistë BIG, ku 13 konkuruar në natën e parë dhe 13 të tjerë në natën e dytë konkuruese. Në konferencën për shtyp përpara festivalit, ekipi realizues theksoi disa detaje për median.
Moderatorja e Festivalit Arbana Osmani u shpreh se:
“Këtë vit Festivali në Radio Televizionin Shqiptar në thelb ka muzikën, më shumë se çdo vit tjetër. Ne kemi dashur që të sjellim këngë të cilat nxjerrin në pah vokale të jashtëzakonshme. Këtë vit në Festival kemi këngëtarë të cilët nuk janë vetëm këngëtarë, po janë gjithashtu edhe tekstshkrues, janë autorë, luajnë në instrumenta të ndryshëm muzikor”.
Ndërsa artisti Bojken Lako theksoi: “Është një mision i yni, që të hapim rrugën për artistë të tjerë të rinj, për diversitet muzikor, për muzikë të mirë, për producentë të mirë dhe për kompozitorë të mirë”.
Festivalin e 61-të të Këngës në Rtsh e prezantoi Arbana Osmani, ndërsa regjisor i tij është bashkëshorti i saj Eduart Grishaj, të cilët së bashku me stafin organizativ këtë vit sollën një ndryshim në mënyrën e votimit. Risia ishte se për herë të parë vota e publikut përcaktonte fituesin e festivalit nëpërmjet mesazheve, fitues i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2023. Ndërsa juria kish të drejtën e vlerësimit të tre çmimeve të para, atë të kritikës dhe çmimi i medias.
Sipas moderators Arbana Osmani “Deri vitin e kaluar çmimi i parë shkonte në Eurovizion, ndërsa këtë herë është menduar që kënga që do të shkojë në Eurovizion të zgjidhet 100 përqind nga publiku Edhe për t’i dhënë edhe më shumë vëmendje festivalit. Tjetër gjë që, ndryshe është konceptuar që këtë vit, këngët nuk u publikuan përpara, çka do të thotë se këngët u publikuan në nëtët konkuruese”.
Nata e tretë ishte tejet e veçantë për të ngjitur në skenë artistë të mirënjohur të skenës, për të kënduar në duet me artistët konkurentë këngët më të njohura të festivalit ndër vite. Një orkestrim mjaft i mirë ishte ai i këngës “Ante i tokës sime” të cilën artistja Rovena Dilo e solli me shumë emocion, me të njëjtën veshje që ka patur në kohën kur fitoi çmimin e parë me këtë këngë, por këtë herë e sjellë mjaft bukur me këngëtaren Soni Malaj. Në skenë u ngjitën dhe shumë emra të njohur, Valentin Markvukaj i grupit “Djemtë e Detit” në natën e dueteve, ku bashkë me Enxhi Nasufin dhe Edea Demaliaj risollën pas shumë vitesh këngën “Mos qaj”. Këngëtarja Fifi në natën e dueteve ngjiti në skenë këngëtarin Flori Mumajesi me këngën e interpretuar më parë në atë skenë nga Haxhi Dauti. Gjithashtu në natën e dueteve interpretuan krah artistëve në garë edhe artistët e mirënjohur Luan Zhegu, Redon Makashi, Altin Goci, Aleksandër Gjoka, Bojken Lako, etj. Të ftuar në natën e tretë e mbyllën mbrëmjen të ftuarit specialë të festivalit, Grupi nga Ukraina, “Kalush Orchestra”, fituesit në fuqi të Festivalit Europian të Këngës për të interepretuar këngën “Stefania”.
Në natën finale të Fest'61 u ndanë këto çmime :
Çmimi Nevv Artist - Erma Mici
Çmimi i Karrierës - Rovena Dilo
Çmimet e jurisë së festivalit të 61 të këngës në Rtsh
Çmimi i tretë - 2 Farm
Çmimi i dytë - Albina Kelmendi
Çmimi i parë i Fest'61 - Elsa Lila
Çmimi i Publikut - Albina Kelmendi, e cila do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2023.
(Përgatiti : Sava Lena)