Zelensky vizitë në SHBA, Biden miraton më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën
2022-12-23 14:52:44

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë takimit në Uashington me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky, u zotua të ofrojë ndihmë ushtarake, duke përmendur në veçanti baterinë e raketave tokë-ajër Patriot, që sapo u miratuan për Ukrainën, në një këst të ri të ndihmës për sigurinë, që arrin në 1.85 miliardë dollarë amerikanë, shkruan “Xinhua”.

Paketa e armëve e miratuar nga presidenti Biden, sipas një liste nga Pentagoni, përfshinte gjithashtu municione ajrore precize, të cilat nuk i shpjegoi në detaje në lidhje me llojin dhe sasinë. Sipas raporteve të mediave amerikane, ato mund të jenë të ashtuquajturat “Joint Direct Attack Municions”, të cilat do t'i transformonin bombat memece të padrejtuara në bomba të zgjuara, duke shtuar dhe një sistem udhëzimi preciz.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, presidenti Biden theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të siguruar që Ukraina të vazhdojë të ketë aftësinë për të mbrojtur veten për aq kohë sa duhet.

Presidenti ukrainas u tha gazetarëve se ai i paraqiti homologut amerikan idenë e një formule globale për një samit paqeje dhe ofroi hapa shumë specifikë që SHBA-ja mund të bëjë për të ndihmuar në zbatimin e tyre.

Ndërsa gjatë një fjalimi në Kongresin amerikan, presidenti ukrainas tha se plani i paqes që ai propozoi përmban 10 pika. Po ashtu ai theksoi se samiti mund të mbahet dhe se presidenti Biden mbështeti nismën e paqes.

Në fjalimin e tij para ligjvënësve amerikanë, Zelensky kërkoi më shumë armë nga Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar të pamjaftueshme artilerinë që vendi disponon. (Irma)