Presidenti turk zotohet të lehtësojë ndjeshëm inflacionin në vitin 2023
2022-12-23 14:22:40

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u zotua të ngadalësojë ndjeshëm inflacionin në muajt e ardhshëm dhe të lehtësojë qytetarët nga barra e kostos së lartë të jetesës.

“Shpresojmë se do të jemi dëshmitarë të rënies së inflacionit në muajt e ardhshëm. Le ta bëjmë 2023-shin pikën e kthesës së çlirimit nga telashet e kostos së jetesës”,- deklaroi Erdogan gjatë fjalës së mbajtur në Parlament, citon “Xinhua”.

Bota po lufton me valët e krizës ekonomike, por Turqia ka arritur objektivat e saj të rritjes, tha Erdogan, duke shtuar se ai besonte se vendi do të shohë një normë rritjeje prej 4-5 për qind deri në fund të vitit 2022.

Erdogan tha se qeveria e tij do të shpallë një rritje të re të pagës minimale këtë javë, si pjesë e paketave ekonomike për të luftuar vështirësitë financiare të vendit.

Ai tha se Banka Qendrore Turke uli normën e saj të interesit në 9 për qind në nëntor dhe u bëri thirrje biznesmenëve që ta shfrytëzojnë këtë avantazh për të bërë investime të reja.

Inflacioni i Turqisë u zbut në 84.39 për qind në nëntor nga niveli më i lartë i 24 viteve prej 85.5 për qind në muajin e kaluar, duke u ngadalësuar për herë të parë në 18 muaj. Rënia ishte në përputhje me pritjet dhe i detyrohej kryesisht efektit statistikor të bazës së lartë në të njëjtin muaj të vitit 2021.

Presidenti Erdogan mbështet normat e ulëta të interesit me shpresën për të nxitur rritjen ekonomike dhe punësimin. Politika monetare ka dobësuar lirën turke me më shumë se 50 për qind që nga shtatori 2021 dhe ka nxitur një largim nga monedha. (Irma)