Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit
2022-12-23 13:47:07

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e ndërmjetëm të Politikës Monetare, si dhe vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%.

Gjithashtu të pandryshuara mbeten edhe norma e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 1.75% dhe norma e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 3.75%, përcjell “ATSH”.

Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2022, ka rritur me 2.25 pikë përqindje normën bazë të interesit duke e çuar atë në 2.75%, niveli më i lartë që prej vitit 2014.

Por, tendenca ngadalësuese e inflacionit dhe sidomos e komponentit bazë gjatë muajve të fundit duket se kanë bindur bankën qendrore ta ngadalësojë disi ritmin e normalizimit monetar. (Irma)