Turizmi shqiptar dhe global në ndërrimin e viteve
2022-12-23 14:59:02

Plazh shqiptar (Foto Java News)

Plazh shqiptar (Foto Java News)

Niveli i turizmit në vitin 2021 ishte 72 për qind më i ulët se në vitin 2019, thuhet në të dhënat e Organizatës Botërore të Turizmit. Turizmi botëror përjetoi një rritje me 4 për qind në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020, ku numri i turistëve u rrit me 15 milionë, duke shkuar në 415 milionë në total, Dy kontinentet më të goditura janë Evropa dhe Amerika, të cilat shënuan një rritje më të lartë të turizmit më 2021 krahasuar me vitin 2020. Evropa regjistroi një rritje prej 19 për qind, ndërsa Amerika me 17 për qind. Por, të dyja mbeten 63 për qind nën nivelet e para pandemisë COVID-19.

Sektori i turizmit në Shqipëri në vitin 2022 vlerësohet si i suksesshëm.Sipas Ministrisë së Turizmit, deri në 30 tetor kanë mbërritur në Shqipëri 7.1 milion turistë të huaj, duke shënuar një rekord, krahasuar me vitet e mëparshme. Në sezonin e sivjetëm veror në Shqipëri ka  patur rreth 4 herë më shumë vizitorë nga Spanja,  97,1% më shumë vizitorë nga Anglia, rreth 3 herë më shumë vizitorë nga Holanda, më shumë se dyfishim i vizitorëve nga Sllovenia dhe po ashtu dyfishim i vizitorëve që vijnë nga vendet skandinave”, ka njoftuar ministrja e turizmit Mirela Kumbaro. Organizata Botërore e Turizmit e renditi Shqipërinë në vend të parë në botë përsa i përket rimëkëmbjes krahasuar me periudhën para pandemisë, me një rritje me 18% krahasuar me vitin 2019.

Për vitin e turistik 2022 dhe pritshmëritë e vitit 2023 flet në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, gazetarja, ekspertja e turizmit dhe botuese e revistës “Travel” Flora Xhamani Baba

Ekspertja e turizmit Flora Xhamani Baba në intervistë për CMG

Ekspertja e turizmit Flora Xhamani Baba në intervistë për CMG

CMG:Fundi i vitit bën bilance. Me çfarë bilanci paraqitet turizmi shqiptar në vitin 2022?

Flora Xhamani Baba:Bilanci padyshim është pozitiv. Ky ka qenë viti më i mirë i Shqipërisë  në turizëm dhe me pritshmëri të mirë, por dhe sepse trysnia e madhe e mbylljes e ushtruar prej dy viteve të shkuara të pandemisë 2020 dhe 2021 brenda Shqipërisë apo jashtë saj, solli fluksin e madh. Ky nuk ishte një fluks i natyrshëm ardhur si pjesë e rritjes graduale prej 20-30 për qind të përvitshme që kishte Shqipëria deri në 2019, por ishte praktikisht një hov që i dha shumë dorë turizmit dhe për të rikuperuar pak humbjet e dy viteve të kaluara, por dhe për të plotësuar ulje-ngritjet e theksuara që shkaktoi kriza, lufta, pandemia siç ishin rritjet galopante të çmimeve, rënia drastike e shifrave të euros dhe të gjitha valutave të tjera me të cilat operon Shqipëria. Kjo do të thotë se ishte një lloj kompensimi dhe mund ta emërtojmë vitin më të mirë të Shqipërisë në turizëm sepse ka rezultuar i tillë edhe në shifra.

CMG: Pothuajse gjithmonë krahasimi me vitin më të mirë të turizmit në Shqipëri bëhet me vitin 2019, duke patur parasysh se dy vitet që pasuan për shkak të pandemisë Covid 19, ndryshuan parametrat.A mund të merret tani viti 2022 si referues për një vit të suksesshëm në turizmin shqiptar?

Flora Xhamani Baba: Mendoj se po. Në sajë të parashikimeve të ekspertëve të ekonomisë dhe të turizmit nuk kanë pritshmëri aq të larta për vitin 2023 sa kishin për vitin 2022. Kjo për faktin se hapja masive, shtimi i linjave ajrore low cost nëpërmjet disa kompanive ajrore bëri që Shqipëria të zbulohej nga turistë që nuk i kishim në vitet e shkuara. Mund të themi se këta janë turistët spanjollë që kanë shënuar rritje të ndjeshme.

Revista Travel Balkans (Foto Bukinist)

Revista Travel Balkans (Foto Bukinist)

CMG: Viti 2022 e zgjeroi gjeografinë e turistëve që vizituan Shqipërinë. Si e komentoni këtë?

Flora Xhamani Baba: Po, unë mendoj se do ta marrim për disa vjet rresht vitin 2022 si pikë referimi sepse pritet, megjithëse urojmë të mos ndodhë kështu, që 2023 të mos jetë kaq i mirë në shifra sa viti 2022. Sa i përket gjeografisë së turistëve është shumë interesante sepse filloi të ndryshojë qysh në 2020 prej pandemisë, sepse duke qenë se burimet e ardhjeve nga Europa u mbyllën kryesisht, erdhën pak njerëz me iniciativa pothuajse personale duke filluar nga shtetet e afërta si Serbi, Bullgari edhe Itali gjithashtu. E veçanta ishte se erdhën turistë nga Lindja e Mesme në mlnyrë masive në vitin 2020, që ishin në njëfarë mënyre shpëtimtarë për turizmin tonë bashkë me turistët nga Kosova. Kjo sepse kishte një prurje të konsiderueshme turistësh nga vendet arabe, të cilët ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë në ekonomi edhe për shkak të tipologjisë së turistit. Ata ishin turistë të pasur që kishin shpenzime të nivelit të lartë, madje dhe më të larta se sa turistët që na vijnë nga Europa, sepse nëse turistët nga Europa Qendrore, Lindore dhe Veriore deri diku vinin me paketa turistike të parapaguara me shuma të përcaktuara, turistët arabë ishin krejtësisht të lirë në shpenzimet e tyre. Kjo do të thotë se një pjesë e mirë e shpenzimeve të tyre shkoi për blerje të ndryshme, suveniresh etj. Ata nuk kategorizohen as turistë kulturorë dhe as detarë, por ishin turistë urbanë dhe e gjithë infrastruktura urbane duke filluar nga tregjet, marketet apo suveniret përfituan nga ardhja e këtyre turistëve. Ndërkohë tur-operatorët e hoteleve dhe restoranteve nuk ishin kaq të lumtur sepse ata negocionin vazhdimisht për akomodimin dhe gastronominë.

CMG: Thatë më parë se ekspertët e turizmit nuk presin që viti 2023 nuk do të jetë shumë i suksesshëm. Përse?

Flora Xhamani Baba: Sepse fluksi ndodhi dhe tani çdo gjë që do të ndodhë është rrjedhojë. Të mos harrojmë se turizmi shqiptar ka një sërë problematikash, disa prej të cilave janë akute. Këto janë shërbimi dhe burimet njerëzore. Janë dy problematikat më të thella që kemi, por nëse burimet njerëzore janë një problematikë globale, sidomos në Europë, ne vuajmë dhe për shërbim gjë që e ul ndjeshëm cilësinë e ofertës sonë turistike. Kjo na çon drejt turizmit masiv, i cili gjeneron problematika të tjera të trafikut, të mungesës së shërbimeve elementare, të mos shfrytëzimit të duhur të kapaciteteve. Nëse gjenerojmë fluks nga 15 korriku deri më 20 gusht, që është i papërballueshëm për kapacitetet tona kryesisht bregdetare, kjo çon në mungesë shërbimi, mungesë të cilësisë së parametrave për të cilat një turist vjen. Pra kemi të bëjmë me një humbje të parametrave të ofertës cilësore për të cilën një turist paguan, ndërsa ne e justifikojmë këtë me rritjen e fluksit. Këto ndikojnë në uljen e ofertës turistike, largimin e turistëve cilësorë që janë gati të shpenzojnë shuma më të mëdha.

Mendoj se kjo vjen dhe për shkak të mosorganizimit të duhur të një oferte më të shtrirë në kohë, e cila duhet të nisë që në muajin maj, pasi ne kemi një klimë të jashtëzakonëshme. Për fat të keq ne si ekspertë në terren e dimë mirë se si është fluksi i turistëve në maj, korrik apo gusht dhe maji, qershori, shtatori dhe tetori nuk shfrytëzohen në masë të kënaqëshme. Ndoshta nuk mund të shfrytëzohet 100 për qind, por duhet ta kalojë shifrën 50 për qind që të kalojë koston e mirëmbajtjes së strukturave turistike, por dhe të ketë përfitime.

Alpet shqiptare (Foto Tirana Today)

Alpet shqiptare (Foto Tirana Today)

CMG:Është një lajm pozitiv që mediat më të njohura botërore Shqipërinë e kanë sjellë në faqet e tyre të para, duke e konsideruar si ende të pazbuluar. Po panorama turistike globale e vitit 2022 si u paraqit?

Flora Xhamani Baba: Edhe panorama globale ka qenë optimiste, madje dhe shpresëdhënëse për të ardhmen sepse ekzistonte një frikë sikur me ardhjen e Covid 19 dhe me të ashtuquajturën “shkretëtirë të lëvizjes” do të kishte shumë ndryshime të papritura. Por është shtuar me 30 për qind fluksi i lëvizjeve turistike nëpër botë dhe afërsisht 600 milion njerëz kanë lëvizur nga njeri vend në tjetrin gjatë vitit 2022, duke i dhënë shpresë Organizatës Botërore të Turizmit për të bërë bilance pozitive jo vetëm për vitin 2022, por dhe për të ardhmen.

Rritja e lëvizjeve turistike tashmë është kthyer në një stil jetese dhe gjithë ky fluks i madh që gjeneron bota po i detyron ata që të shohin politika të tjera në organizimin e ofertës turistike globale duke e çuar drejt turizmit të qëndrueshëm. Ky ka qenë fokusi dhe më parë për turizmin e qëndrueshëm, me ruajtje të burimeve natyrore, të qasjes miqësore me mjedisin, por turizmi masiv ka sunduar të gjithë panoramën turistike botërore.

Tashmë po shkohet globalisht drejt sloganit të turizmit “for people to people” (nga njeriu te njeriu), që nënkupton se nuk duhet të jetë më i rëndësishëm destinacioni si plazhi, qyteti, muzeu ku turistët shkojnë, por duhet të jenë njerëzit. Që turizmi të jetë një stil jetese ne nuk duhet t’i drejtohemi më destinacionit, por njeriut. Eksperienca më e bukur në turizëm duhet konsideruar ajo që ti shkëmben. Mendoj që kjo është një qasje shumë pozitive. Të gjitha organizimet, duke filluar që nga panairet globale po shkojnë drejt këtyre përvojave njerëzore, duke shpresuar që të ruhet mjedisi.

CMG: Jemi në prag të festave të  fundvitit. Ju si eksperte e turizmit që ndiqni në terren pothuajse të gjitha stacione turistike shqiptare, si hotele, bujtina, cila do të ishte oferta juaj për të gjithë ata që duan të kalojnë sa më bukur këto festa?

Flora Xhamani Baba: E kam të vështirë të përgjigjem sepse për mua e gjithë Shqipëria është e bukur  dhe do të doja që njerëzit të shkonin kudo, mjafton që ata të udhëtojnë. Dhjetori është një muaj shumë i bukur për të udhëtuar madje ndonjëherë edhe më i bukur se vera, sepse e tillë është atmosfera që krijohet për festat e fundvitit. Unë do të sugjeroja të vizitohen qytetet e vogla.

CMG: Korça vazhdon të mbetet në krye të listës së turizmit dimëror, por dhe gjatë gjithë vitit. 

Flora Xhamani Baba: Madje sa i përket efikasitetit të ofertës turistike, ndryshe nga zona bregdetare Korça nuk mbyllet asnjëherë. Gjithashtu Alpet e Veriut, Shkodra, apo Puka pavarësisht se frekuentimi nuk është shumë i lartë sa në qytetet e mëdha sepse në këtë qytet apo në Ersekë e Gramsh nuk shkohet enkas, por qasja është shumë e mirë. Në qytetet e vogla, ashtu siç sugjeron Organizata Botërore e Turizmit marrëdhëniet njerëzore dhe atmosfera është më e ngrohtë, dhe në to do të gjesh atë që nuk e gjen dot në qytetet e mëdha. Nëse ti shkon në një bar në Leskovik apo Përmet dhe Ersekë të thonë “Mirë ardhshi!”, “Rrugë të mbarë!”. Këto shprehje nuk i gjen në asnjë guidë turistike dhe energjinë njerëzore e merr drejtpërdrejt dhe të pastër.

Vizitoni qytetet e vogla, bujtinat tradicionale, të cilat krijojnë një atmosferë pothuajse familjare kudo në jug, veri apo Shqipërinë e mesme! Në këto qytete ka njësi agroturistike që të krijojnë ndjenjën e familjaritetit, që të gjithë e kërkojnë në kohët e sotme

CMG: Jeni botuese e revistës “Travel”. Si ka ecur kjo revistë turistike, a ka interes tashmë që bota është digjitale?

Flora Xhamani Baba: Jemi ende të mbrojtur nga bashkëpunëtorët tanë të shumtë, të cilët kuptojnë përpjekjet tona për ta treguar Shqipërinë të bukur, me gjithë problematikat që ajo ka.Misioni i revistës “Travel” është të jetë një guidë për destinacionet e reja turistike. Është e vetmja revistë turistike në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor që përfshin jo vetëm të gjitha trevat shqiptare, por dhe destinacione ballkanike, prandaj quhet “Travel Balcans”. Nuk është vetëm puna e stafit që e prodhon, por dhe kontributi i shumë bashkëpunëtorëve tanë, të cilët i falenderoj.

Intervistoi Eda Merepeza