Dritëhijet e amnistisë fiskale, sipas sipërmarrësit Alban Zusi
2022-12-22 12:06:11

Ende vijon të jetë prezent debati për miratimin apo jo të amnistisë fiskale në Shqipëri. Sipërmarrjet bëjnë llogaritë për të mirat dhe të keqijat që mund të sjellë ky hap në ekonomi.

Në një intervistë për Revistën “Monitor”, Kreu i Shoqatës së Industrialistëve  Ushqimorë Alban Zusi thotë se ka një kategori  biznesi që ka nevojë për mbështetje.

“Së pari do doja të flisja për pozitivitetet që mund të ketë një amnisti e mundshme fiskale, pastaj do të flasim dhe për pjesën e shqetësimeve. Paraprakisht ne dimë të gjithë që prej afro 30 vitesh biznesi shqiptar operon në një mjedis informaliteti shumë të lartë, dikush thotë 50%, dikush 40%, por ka sektorë që mund te jetë dhe 80%. Në këto kushte padiskutim që kemi operatorë biznesi, të cilët për hir të mbijetesës në këtë mjedis xhungle kanë qenë të detyruar të bëjnë evazion fiskal, në të kundërt ata nuk do të mbijetonin dot. Kjo kategori padiskutim që duhet mbështetur për t’u legalizuar, për t’u formalizuar dhe për të mos u penalizuar dhe në këtë rast flasim për kapitale të krijuara nga puna. A jemi në gjendje ose a është ky momenti për ta bërë këtë amnisti se që një ditë kjo gjë duhet bërë, por a është ky momenti? A janë kushtet? A janë rrethanat? Këtu fillojnë pikëpyetjet dhe tërheqjet e vëmëndjeve nga ana jonë”- shprehet Zusi.

Sipërmarrësi Zusi ngre disa pikëpyetje për këtë proces dhe atë që pason.

“Së pari nëse e bëjmë sot, a kemi kushte që pas këtij momenti të vendosim një vizë të kuqe dhe bizneset të mos kenë më nevojë që të punojnë në informalitet, pra të bëjnë evazion? A i kemi krijuar kushtet dhe premisat që biznesi nuk do të jetë i detyruar dhe këtu flasim gjithmonë për biznesin që punon, për biznesin që prodhon, për  biznesin e ndershëm. Elementi i dytë që ne ngrejmë: A janë të gjitha siguresat e nevojshme në këtë reformë të faljes fiskale për të garantuar që nuk do të na hyjnë paratë e pista në treg dhe do të jenë vetëm paratë e djersës, vetëm paratë e mundit, vetëm paratë që vijnë nga biznesi korrekt, por që ka qenë detyruar për shkak të rrethanave të bëjnë evazion fiskal për të mbijetuar në treg?, shtron ai pyetjet

Sipas sipërmarrësit Alban Zusi, aministia fiskale është thikë me dy presa për shkak të rrezikut të futjes së parave të pista në treg.

“Nëse do të na futen paratë e pista në treg, atëherë ka shumë gjasa që ne të dëmtohemi dy herë, përveç se nga informaliteti ka gjasa që bizneset tona të fillojnë të bëhen të konkurueshme nga paratë e pista. Këto nuk kanë më problem nëse norma e hetimit është 5, 6, 10%  apo të dalin dhe me humbje, por mjafton që të jenë në treg, duke ricikluar para. Mund të targetohen fare mirë me këto para disa kategori biznesesh, të cilat duket që kanë një lloj funksionaliteti, një lloj pozitiviteti dhe që mund të krijojnë xhiro të mjaftueshme për të vazhduar riciklimin e parasë së pistë në treg. Këto janë shqetësimet kryesore.” – thotë Zusi.

Si do të ndikonte shtimi i euros në treg për eksportuesit?  Sipërmarrësi Zusi e sheh me shumë shqetësim këtë.

“Nëse ne do të kemi një proces të vrullshëm të futjes së euros në treg, e cila mund të shkaktonte një tronditje të kursit të këmbimit, padiskutim që do të ndikonte shumë tek bizneset eksportuese. Tashmë ne bizneset eksportuese i kemi hedhur goxha në knock-out me zhvlerësimin e euros gjatë 4-5 viteve të fundit veçanërisht në dy vitet e fundit. Edhe këtë vit rënia e euros në këto nivele historike të ulëta nga 122 në 116-117 ka krijuar një vështirësi të jashtëzakonshme dhe padiskutim që po ndihet në treg, po ndihet në nivelin e ulët të investimeve që bëjnë eksportuesit. Ata po ndjejnë aftësinë e ulët për të thithur burime njerëzore të kualifikuara dhe për të rritur pagat e burimeve njerëzore të kualifikuara, pra të shtresës së mesme dhe të menaxherëve. Por nëse do të kishim dhe një fluks tjetër të eurove të ardhura nga jashtë padiskutim që edhe ky do të ishte një problem shumë i madh për industrinë e eksportuesve.”- shprehet Alban Zusi

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në mënyrë të përsëritur  se amnistia fiskale do të bëhet në Shqipëri dhe se për këtë duhet treguar durim dhe këmbëngulje.