Me mbledhjen e jurisë mori jetë zyrtarisht edicioni i 8-të i konkursit për Çmimin Letrar “Kadare”. Natasha Lako, Alfred Peza, gazetari nga Shkupi Nazim Rashidi, Ermir Nika dhe Irena Myzeqari do të përzgjedhin veprën më të mirë në prozë për vitin 2023. Fituesi do të shpallet në fund të muajit shkurt dhe do t’i akordohet 10 mijë euro, ndërsa vepra do të botohet e promovohet nga UET PRESS.
Aplikimet për këtë edicion janë të hapura deri më 17 janar të vitit 2023, ku autorët e interesuar mund të dërgojnë 15 faqet e para të veprës në dorëshkrim dhe një përmbledhje të shkurtër të saj.
Juria do të përzgjedhë mes garuesve dhjetë më të mirët, që do të jenë edhe pretendentët për çmimin e madh. Ashtu si edhe në edicionet e kaluara, pritet që këtë vit interesi të jetë i madh. Edicionin e kaluar, fituese u shpall shkrimtarja Vera Bekteshi me romanin e saj “Pusulla të Verdha”. Në fjalën përshëndetëse gjatë akordimit të Çmimit, ajo zbuloi se kishte konkurruar tri herë me tri vepra të ndryshme, derisa u shpall autorja fituese për 2022-shin. Shkrimtarja, e cila është shquar veçanërisht për librat me kujtime si “Vila me Dy Porta”, solli një roman mbi plagët e tranzicionit dhe njerëzit me aftësi ndryshe.
Të tjerë fitues të shquar të Çmimit Kadare kanë qenë Gani Mehmetaj dhe Musa Ramadani, nga Kosova, Rudolf Marku, Virgjil Muçi, Shkëlqim Çela e Loer Kume. Përgjatë viteve, në këtë konkurs kanë garuar edhe emra të tjerë të njohur si poetja Mimoza Ahmeti, shkrimtarët Zija Çela e Bardhyl Londo, publicisti Mustafa Nano, poeti Primo Shllaku, Ylljet Aliçka, Gazmend Krasniqi e shumë të tjerë.
Ky çmim, i cili mori edhe bekimin e shkrimtarit Ismail Kadare, për të mbajtur emrin e tij, u ngrit si një projekt për promovimin e letërsisë shqipe e që të krijonte një traditë të gjatë.
Po ashtu synimi i këtij çmimi është edhe nxitja e kritikës shqip. Po ashtu, gjatë tetë edicioneve është ruajtur edhe tradita e konkurrimit të veprave në prozë letrare, për t’i qëndruar besnik edhe emërtimit, në nder të shkrimtarit të madh shqiptar, i cili njihet në radhë të parë si romancier.
Ermir Nika, së fundmi edhe drejtor i botimeve UET PRES, si edhe Irena Myzeqari ndajnë emocionet e tyre për Radio Ejani, rreth kësaj pjesëmarrje.
CMG: Ky është edicioni i dytë që ju merrni pjëse si anëtar jurie i këtij konkursi, cilat janë emocionet tuaja këtë vit?
Ermir Nika: Përballja me veten është përherë shumë e vështirë dhe e vërteta është që edhe këtë herë unë po përballem me veten. Çmimi “Kadare” është një çmim që nuk fitohet lehtë dhe kërkon një punë shumë të madhe. Nga aspekti im personal ndihem disa herë në përgjegjësi për të bërë të duhurën dhe më të mirën.
Është një nga momentet që unë duhet të jem vërtet i ndershëm sepse çmimi flet edhe pas dhënies së tij. Pra, shumë mirë i them një kolegu që nuk ka mundur të fitojë: “Lexo vepren e atij që fitoi”. Por, mos harrojmë që në këtë fushë ku ne e nisëm udhën nuk kemi qënë kurrë vetem por me të tjerët, ndaj çmimet dhe disfatat do t’i ndajmë me të tjerët.
CMG: Sa e kanë shqiptarët kulturën e çmimit?
Ermir Nika: Dikur kanë qenë shumë emocional. Pra, nëse nuk e merr dikush e sheh sikur nuk vlen si çmim. Por prapë është prirja që çmimin do ta marrë njëri dhe nëse nuk e fitoj unë, por dikush tjetër na takon të dyve. Nesër në botën e kërkimit shkencor do të shihen të gjitha veprat.
Çmimi nuk do të thotë që edhe një libër tjetër nuk ishte i mire, por një vepër e mirë dallon. Në këtë pikë është historia, e cila përligj çdo veprim të jurisë. Këtu fillon..
CMG: Cilat janë tipet apo karakteret, të cilat i gjejmë si pjesëmarrës?
Ermir Nika: Unë kam njohur tipa të ndryshëm, por kam gjithnjë detyrimin që t’i shpjegoj apo t’iu tregoj çdo dilemë që mund të kenë pasur.
Ka edhe një etikë profesionale që më jep detyrim të mbaj qëndrim. Unë jam pjesë e pesë anëtarëve, në fund ne e sjellim dikë në finale. Të gjitha natyrave të ndryshme që na vijnë kemi detyrimin etik t’iu shpjegojmë, pasi natyrat janë nga më të ndryshmet.
CMG: Fitoret përkthejnë dy ekstreme, ata që fitojnë dhe entuziasmohen ose ata që humbin dhe nuk marrin pjesë më kurrë?
Ermir Nika: Janë të pashmangshme këto reagime sepse mendoj që nëse kalon faza finale më pas zbresim me këmbë në tokë dhe shohim dy ekstremet. I kemi pasur të dyja aty. Ka autorë që rivijnë sërish dhe sjellin dorëshkrime sërish, ka dhe autorë që zgjedhin të protestojnë me veten duke mos ardhur sërish.
CMG: Shqiptarët janë kudo. A është këtë vit prioritet që të marrin pjesë edhe nga diaspora shqipfolëse?
Ermir Nika: Po është një iniciativë ne po qëndrojmë në pritje. Pjesëmarrja e tyre është pelegrinazh në tokën e shenjtë të gjuhës. Është fat i madh që të gjykosh për to. Për mua është emocion i madh për ata autorë dhe kudo tjetër. Asnjë autor nuk ka kushte as optimale dhe secili prej tyre e nisin nga zero. Është fat i madh që të gjykosh të rinjtë në një eopkë ku dishepujt e letërsisë shqipe nuk janë më. Unë e kam ndarë jetën me shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë, të cilët i kanë dhënë shumë letrave shqipe.
CMG: Fjala “dorëshkrim” është zgjedhur rastësisht?
Ermir Nika: Jo absolutisht, ne e kemi zgjedhur që të kemi mundësi të mos e humbasim si fjalë dhe duhet patjetër ta fortifikojmë në këtë epokën moderne.
Është një formë shumë e shenjtë sepse çdo vepër vjen nga një dorëshkrim. Ndaj u mbështetëm shumë këtu pasi nëpërmjet dorëshkrimeve kanë dalë vepra të mëdha.
CMG: A ka pasur pjesëmarrje deri në këtë fazë ku ndodhemi?
Ermir Nika: Unë mezi pres që në fund të ditës të shoh nëse më ka ardhur një sinjal në celuluar nga një libër i ri që mund të ketë mbërritur. Unë nxitoj ta hap si liber, por nuk e lexoj shpejt. Dua kohën time për të lexuar dhe kjo më jep shumë emocion. Megjithëse do thoja që ndër vite kemi pasur shumë pjesemarrës dhe ata janë autorë dhe jo autore.
CMG: Cili është tipari që ke njohur tek vetja që prej momentit kur je bërë anëtar i jurisë?
Ermir Nika: Unë vetëgjykohem shpesh dhe kjo sa mund të jetë diçka e mirë mund të jetë edhe e dëmshme psikologjikisht. Megjithatë e kam menaxhuar siç duhet.
CMG:Cfarë është për ju Çmimi “Kadare”?
Ermir Nika: Është një mundësi e artë, e cila i jep mundësine çdokujt për të lulëzuar.
Irena Myzeqari, gjithashtu është në vitin e dytë në pjesëmarrjen e saj në këtë konkurs më të madhin në Shqipëri.
CMG: Si ndiheni që jeni pjesë e kësaj jurie?
Irena Myzeqari: Të jesh pjesë e një jurie nuk është thjesht fakti që je e rëndësishme, por je në një grup njerëzish me dinjitet dhe akadamikë të cilët ndajnë përvojat me njëri- tjetrin. Këtu nis përgjegjësi shumë e madhe. Emocioni është deri diku sepse etaloni më i rëndësishëm në këto momente është përgjegjësia.
CMG:Ju keni pjesën e koordinimit është kjo një përgjegjësi e madhe?
Irena Myzeqari:Po unë do të pres deri në momentin e fundit të gjitha materialet dhe kjo është përgjegjësi për mua. Nuk është aspak e lehtë sepse kam një presion shumë të madh dhe të vazhdueshëm, por gjej mundësinë që t’iu them të gjithë atyre që kane vendosur të marrin pjesë ta bëjnë këtë gjë sa më shpejt.
Intervistoi :Megi Latifi