Me përmirësimin e mëtejshëm të masave të kontrollit ndaj COVID-19 këtë muaj, Kina po përpiqet ta nxitë ekonominë e saj, e cila ka qenë nën trysni për tre vjet si pasojë e pandemisë.
Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike e Kinës, një veprimtari e përvitshme, që u zhvillua në Pekin javën e kaluar, kërkoi që t’i jepet përparësi stabilitetit ekonomik dhe të arrihet përparim i qëndrueshëm në vitin 2023.
Ndërkohë, analistët besojnë se ekonomia kineze do të rimëkëmbet dhe do të vazhdojë të jetë një forcë nxitëse e besueshme dhe e rëndësishme e ekonomisë globale në vitin e ardhshëm.
Organet e pushtetit vendor në shumë provinca kanë organizuar fluturime me avionë të posaçëm për dërgimin e delegacioneve tregtare për t’u takuar me klientët jashtë vendit, duke i nxitur ndërmarrjet të rigjallërojnë biznesin.
Zhang Chunlong, studiues në Akademinë e Shkencave Shoqërore të provincës Jiangsu, theksoi se rivendosja e rendit është e rëndësishme, por më e rëndësishmja është rikthimi i besimit dhe i gjallërisë ekonomike. “Kemi nevojë të shpejtojmë qarkullimin dhe zhvillimin ekonomik të brendshëm dhe të jashtëm,” u shpreh Zhang.
Ruajtja e funksionimit të ndërmarrjeve
Gjatë tre vjetëve të kaluar, organet e pushtetit në të gjitha nivelet në Kinë kanë ndërmarrë një sërë politikash për ruajtjen e funksionimit të ndërmarrjeve, në mes të valëve të herëpashershme të COVID-19.
Për të mbrojtur kompanitë vendore të prodhimit të mikroçipave, metropoli i Kinës Lindore, Shangai, i lejoi ato të vijonin funksionimin në një sistem “me qark të mbyllur”.
Prodhuesit e mikroçipave atje siguruan prodhimin normal pavarësisht nga shpërthimi i madh i COVID-19 në fund të marsit, kur në Shangai pati një shtim të shpejtë të numrit të të prekurve prej variantit “Omicron”.
Kompania e Gjysmëpërçuesve “Hua Hong”, prodhuesja numër dy më e madhe e mikroçipave në Kinë, strehoi mbi 6 mijë punëtorë në pesë fabrikat e saj në Shangai qysh nga fundi i marsit.
Foto nga VCG
Wang Lijing, një punëtor në “Hua Hong”, i tha Grupit Mediatik të Kinës (CMG) në prill se kishte qëndruar në fabrikë gjatë dy javëve të fundit.
Një kompani prodhimi anijesh në Shangai gjithashtu vazhdoi prodhimin në prill dhe dorëzoi në mes të majit një superanije të etanit (VLEC), më e madhja në botë.
Për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, kjo kompani vendosi sisteme të pavarura ajrimi, duke u kërkuar punonjësve që dolën pozitivë në testimin e koronavirusit të viheshin menjëherë në karantinë, që të ndalohej përhapja e mëtejshme e virusit.
Me masat efektive kundër COVID-19, kompania kineze e automjeteve BYD zëvendësoi “Tesla”-n e Elon Musk-ut, duke u bërë prodhuesja e automjeteve elektrike më e madhe në botë, me një vëllim shitjesh prej 641 mijë automjetesh në gjysmën e parë të vitit 2022.
Jeff Chun, një analist automjetesh nga “Citygroup”, e përshkroi rritjen e shitjeve të BYD-së si “mbresëlënëse”.
Ndërmarrjet kineze shkojnë jashtë vendit
Me lehtësimin më tej të kufizimeve lidhur me COVID-19 në dhjetor në Kinë, qytetet e ndryshme kineze dërguan delegacione në tregjet jashtë vendit për herë të parë në tre vjet, për të nxitur tregtinë dhe për të garantuar marrëveshje biznesi.
Provinca Zhejiang e Kinës Lindore është në krye të rimëkëmbjes së tregtisë së jashtme. Ajo organizoi një grup prej afro 100 përfaqësuesish nga 50 ndërmarrje për të marrë pjesë në Panairin e 36-të Aziatik të Modës në Tokio të Japonisë.
“Një takim ballë për ballë është më mirë se një mijë e-maile,” i tha CMG-së Li Lin, zv.drejtori i Zyrës së Zhvillimit të Tregtisë së Jashtme të Departamentit të Tregtisë të provincës Zhejiang.
“Dalja jashtë vendit është e domosdoshme,” vuri në dukje nga ana e tij Wang Yuanpei, menaxheri i përgjithshëm i Kompanisë së Makinerive të Precizionit “Jiejin” të Wuxi-së. “Tregjet ndërkombëtare kanë përjetuar ndryshime kolosale gjatë tre vjetëve të kaluar dhe mezi presim të komunikojmë me klientët tanë ballë për ballë, për të konsoliduar marrëdhëniet tona.”
Kompanitë e huaja kanë besim te Kina
Ndër mbi 500 ndërmarrje të huaja të anketuara, 96.7 për qind pohuan arritjet e zhvillimit të Kinës gjatë dekadës së kaluar dhe 96.9 për qind shprehën besimin e tyre të fortë te tregu kinez. (Wang Lei/ Artan)