粮食---[liáng shi]---ushqim
foto/VCG
Së shpejti do të mbahet në Kinë Konferenca Qendrore e Punës Rurale, në të cilën do të analizohet gjendja e tanishme dhe detyrat e punës lidhur me bujqësinë, çështjet rurale e fermerët, dhe do të studiohen e përcaktohen punët e ardhme në këtë drejtim.
Në Konferencën Qendrore të Punës Rurale të mbajtur në fund të vitit të kaluar, u theksua se duhet të mbahen me vendosmëri dy linjat kryesore, që janë garantimi i sigurisë kombëtare ushqimore të Kinës dhe parandalimi i kthimit në varfëri në shkallë të gjerë. Ndër to, ka kërkesa të qarta për garantimin e sigurisë ushqimore. Duhet të bëhet çmos për të siguruar prodhimin e drithërave dhe furnizimin e produkteve bujqësore të rëndësishme, për të stabilizuar sipërfaqen e mbjellë me drithëra dhe për të shtuar prodhimin e sojës e të bimëve të tjera vajore.
foto/VCG
Në vitin 2022, prodhimi i përgjithshëm kombëtar i drithërave në Kinë arriti në 686.55 miliardë kg, me një rritje prej 3.7 miliardë kg ose 0.5 % në krahasim me vitin e kaluar, duke ruajtur qëndrueshmërinë e prodhimit prej më shumë se 0.65 trilion kg për tetë vjet rresht. Ndër to, vëllimi i prodhimit të drithërave të verës dhe orizit të hershëm në Kinë ishte përkatësisht 149.205 miliardë kg dhe 28.125 miliardë kg, duke u rritur me 1.445 miliardë kg dhe 105 milionë kg krahasuar me vitin e kaluar. Prodhimi i drithërave të vjeshtës ishte 511 miliardë kg, 2.125 miliardë kg më shumë se vjet.
Për të arritur objektivin e stabilizimit dhe rritjes së prodhimit të drithit, të gjitha lokalitetet janë përpjekur maksimalisht për të ruajtur sipërfaqen e mbjellë me drithëra dhe vëllimin e prodhimit. Në hartën e drithërave të Kinës, ka 13 zona kryesore prodhimi, shtatë zona kryesore shitjeje dhe 11 zona të prodhimit dhe të shitjes. Sivjet prodhimi i drithit në 13 zonat kryesore prodhuese zë më shumë se 78 % të prodhimit të përgjithshëm të drithërave në mbarë Kinën, duke marrë përsipër detyrën e rëndë të garantimit të sigurisë ushqimore. Ndër 31 provinca, rajone automone e bashki të varura drejtpërdrejt nga qendra në mbarë Kinën, 23 kanë realizuar rritjen e prodhimit të drithërave.
Përveç rritjes së prodhimit të drithit, edhe sipërfaqja e mbjellë me drithë u shtua. Në vitin 2022, sipërfaqja kombëtare e mbjellë me drithë në Kinë është 1774.89 milionë mu, me një rritje prej 10.52 milionë mu ose 0.6 % në krahasim me vitin e kaluar. Qysh nga viti 2019, sipërfaqja e mbjellë me drithë në Kinë ka ndaluar prirjen disavjetore të uljes dhe ka filluar të rritet, duke u shtuar me 33.66 milionë mu brenda tre vjetësh, baras me dyfishin e madhësisë së qytetit Tianjin.
foto/VCG
Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike e sapopërfunduar u fokusua dhe një herë në sigurinë ushqimore dhe propozoi “zbatimin e një raundi të ri për veprimin e rritjes së kapacitetit të prodhimit të drithërave prej 50 miliardë kg”. Në “Planin Strategjik për Zgjerimin e Kërkesës së Brendshme (2022-2035)” u propozua promovimi i prodhimit të qëndrueshëm dhe i rritjes së prodhimit të grurit. Forcimi i ndërtimit infrastrukturor, nxitja e përmirësimit të tokës bujqësore me standard të lartë, rritja e shkallës së kontributit të shkencës e të teknologjisë dhe zgjerimi i mbulimit me varietete të përmirësuara janë masa gjithëpërfshirëse për të ndihmuar realizimin e objektivave të prodhimit të grurit për vitin e ardhshëm dhe dekadën në vijim.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Strategjisë së Sigurisë Ushqimore dhe profesor i Universitetit Renmin të Kinës, Cheng Guoqiang, vuri në dukje: “Nuk duhet të ketë indiferencë për çështjen e sigurisë ushqimore. Ne duhet të marrim masa paraprake, të ruajmë fort sigurinë ushqimore dhe të konsolidojmë themelet e sigurisë ushqimore në të gjitha aspektet.” (Fang Xiaoyu/Artan)