Shefi i OKB-së, i alarmuar nga talebanët që ndalojnë gratë në universitete
2022-12-22 13:12:43

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u alarmua nga raportet se talebanët afganë kanë ndaluar gratë dhe vajzat të ndjekin universitetet, tha zëdhënësi i tij të martën, citon “Xinhua”.  

“Sekretari i përgjithshëm është thellësisht i alarmuar nga lajmet se talebanët kanë pezulluar aksesin në universitete për gratë dhe vajzat. Shefi i OKB-së përsërit se mohimi i arsimit jo vetëm që cenon të drejtat e barabarta të grave dhe vajzave, por do të ketë një ndikim shkatërrues në të ardhmen e vendit”, bëri të ditur përmes një deklarate Stephane Dujarric, zëdhënësi kryesor i Guterres.  

Në deklaratë thuhet se Guterres u kërkon autoriteteve de fakto në Afganistan që të sigurojnë qasje të barabartë në arsim në të gjitha nivelet për gratë dhe vajzat.  

Më herët, përfaqësuesja speciale e shefit OKB-së dhe shefja e Misionit të Ndihmës së OKB-së në Afganistan, Roza Otunbayeva, tha se ishte e pikëlluar nga lajmi.  

“Jam shumë e pikëlluar nga lajmi që u raportua gjerësisht këtë mëngjes se ministri i Arsimit të Lartë taleban i ka ndaluar gratë të ndjekin universitetet. Kjo është e dëmshme për gratë, por edhe për Afganistanin”,- tha ajo.  

Lajmi për ndalimin u përhap ndërsa Otunbayeva ishte në Nju Jork për të informuar Këshillin e Sigurimit mbi situatën në Afganistan. Ajo tha se Kombet e Bashkuara po kërkojnë informacione dhe sqarime të mëtejshme rreth këtij lajmi. (Elona)