Kina do të rritë mbështetjen për shtimin e lindshmërisë dhe rritjen e moshës së pensionit
2022-12-22 16:10:30

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Për t'u përgjigjur aktivisht problemit të plakjes së shpejtë të popullsisë, në një mbledhje të fundit mbi ekonominë në Kinë u kërkua më shumë mbështetje për rritjen e lindshmërisë dhe shtyrjen e moshës së pensionit.

Kina, me 1.4 miliard banorë, synon që kërkesa e brendshme të luajë një rol të madh në nxitjen e rritjes ekonomike. Por, së bashku me potencialin e tregut vendas, ekziston edhe presioni i strukturës në lëvizje të popullsisë.

Deri në fund të vitit 2021, në Kinë kishte mbi 267 milionë njerëz të moshës 60 vjeç e lart, që përbënin 18.9 për qind të popullsisë së vendit, tregojnë të dhënat nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë (NHC). Pjesa që zë grupmosha mbi 65 vjeç është rritur nga 9.1 për qind në vitin 2011 në 14.2 për qind vitin e kaluar, gjë që do të thotë se popullsia në moshë pune po zvogëlohet shpejt. Raportet e varësisë po rriten ndërsa popullsia plaket, duke ushtruar trysni mbi sistemin e pensioneve të vendit.

Vjet lindshmëria në Kinë ra në nivelin më të ulët që nga fillimi i viteve ’60 të shekullit të kaluar. 13 provinca regjistruan ulje të popullsisë për herë të parë në historinë moderne të vendit.

Përveç barrës financiare, ekspertët thonë se arsyet kryesore për rënien e interesit për lindjen e fëmijëve janë gjithashtu mungesa e kujdesit të përballueshëm për fëmijët dhe ndëshkimi ndaj mëmësisë për sa i përket zhvillimit të karrierës.

Mbi 20 provinca dhe qytete në Kinë kanë bërë ndryshime ligjore për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi shoqëror miqësor ndaj familjes, që kur filloi zbatimi i politikës së tre fëmijëve gushtin e kaluar. Shumë prej tyre kanë përfshirë zgjatjen e lejes së mëmësisë dhe lejen shtesë prindërore në rregullat mbi planifikimin e popullsisë dhe familjes.

Në gusht, 17 agjenci njoftuan së bashku një sërë masash të reja për të nxitur familjet të kenë më shumë fëmijë, duke ofruar mbështetje në formën e shërbimeve të kujdesit për fëmijët, strehimit, uljes së taksave, shtimit të lejeve të paguara dhe barazisë në vendin e punës.