Nis puna për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, Veliaj: Do të jetë më i bukuri në rajon
2022-12-22 13:46:56

Nisi të mërkurën puna për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar, për të cilin kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se do të jetë vepra më e bukur në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Veliaj deklaroi se Teatri i ri Kombëtar do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë, bën të ditur “RTSH”. Veliaj shtoi se teatri do të ndërtohet me para publike dhe jo me partneritet.

Kryeministri Edi Rama e quajti këtë projekt një gur të çmuar në një gjerdan veprash që e kanë projektuar Tiranën si një kryeqytet evropian.

Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se Teatri i ri Kombëtar nuk do të jetë vetëm një destinacion për komunitetin e spektatorëve dhe një vend prodhimi të shfaqjeve për komunitetin e aktorëve, por një vend ku do të organizohen aktivitete ndërkombëtare, festivale ndërkombëtare e do të bëhen ballafaqime të teatrove të ndryshëm nga rajoni, Evropa dhe bota. (Elona)