Ambasadori i Kinës, takim me ministren Muzhaqi për bashkëpunim në zhvillimin e të rinjve
2022-12-22 15:27:53

Forcimi i bashkëpunimit mes Kinës dhe Shqipërisë për zhvillimin e të rinjve dhe fëmijëve u diskutua në takimin që ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, pati me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.

Në një postim në “Facebook”, ambasadori i Kinës shprehu vlerësimin e tij për angazhimin e qeverisë shqiptare për kultivimin e brezit të rinj të talenteve në shkencë dhe teknologji dhe investimin në ndërtimin e kapaciteteve digjitale në shkolla.

“Pata një takim me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, dhe patëm një bisedë të këndshme për forcimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe Shqipërisë në fushën e zhvillimit të të rinjve dhe fëmijëve. Jam tepër i impresionuar nga angazhimi i qeverisë shqiptare për kultivimin e brezit të ri të talenteve në shkencë dhe teknologji dhe investimin në ndërtimin e kapaciteteve digjitale në shkolla”,- thuhet në postimin e ambasadorit, i cili shton se mirëpret bashkëpunimin për thellimin e miqësisë mes dy vendeve.

“Pres forcimin e bashkëpunimit me zonjën ministre, për të dhënë kontribute të reja për rritjen e mirëqenies së të rinjve dhe fëmijëve të të dy vendeve, si dhe për thellimin e miqësisë tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë”,- përfundon mesazhi i ambasadorit Zhou. (Elona)