Shefi i OKB-së: Ideologjia e ekstremit të djathtë ushqen terrorizmin në Perëndim
2022-12-21 17:21:52

Guterres (Foto Xinhua)

Guterres (Foto Xinhua)

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi se ideologjia e ekstremit të djathtë është burimi kryesor i terrorizmit në vendet perëndimore. “Është demonstruar se kërcënimi më i madh i terrorizmit sot në vendet perëndimore vjen nga e djathta ekstreme, neo-nazizmi dhe supremacia e bardhë”, - tha ai në një konferencë shtypi nga selia e OKB-së në Nju Jork.

“Mendoj se ne duhet të jemi shumë të qartë dhe shumë të vendosur në dënimin e çdo forme të neo-nazizmit, çdo forme të antisemitizmit, urrejtjes anti-myslimane që po shohim të shumuar në shoqëritë perëndimore dhe gjithashtu në pjesë të tjera të botës. Ky është padyshim një kërcënim dhe ne duhet ta luftojmë atë kërcënim me vendosmëri të madhe”,- tha ai.

Përpjekjet e grushtit të shtetit të ekstremit të djathtë për të përmbysur qeverinë gjermane janë ndër shembujt e kërcënimit për shoqëritë demokratike në mbarë botën, tha ai, citon “Xinhua”.

Ka një përgjegjësi të veçantë të platformave të mediave sociale për të ruajtur lirinë e shtypit dhe, në të njëjtën kohë, për të shmangur gjuhën e urrejtjes dhe format e ekstremizmit, tha Guterres. “Kushdo që zotëron një platformë të mediave sociale duhet të sigurohet që liria e shprehjes, veçanërisht e gazetarëve, të respektohet dhe që gjuha e urrejtjes mos ta gjejë rrugën nëpër ato platforma”,- tha ai. (Elona)