Xhilda Toska është producente spektaklesh për fëmijë dhe të rritur në fushën e modelingut dhe arte të tjera. Ajo ka krijuar agjensinë e spektakleve “Event Modeling Production” dhe zhvillon evente në qytete të ndryshme të Shqipërisë me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve. Këtë fundvit ajo do të sjellë eventin festiv në qytetin e Korçës me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve, ku do të ngjiten në skenë me recitim dhe këngë. Në një intervistë për Radio Ejani Xhilda Toska tregon për fillimet e saj në organizimin e eventeve artisike si dhe projektet në vazhdim.
CMG: Prej disa vitesh ju organizoni evente të ndryshme artistike me fëmijët dhe të rinjtë. Si ka qenë rrugëtimi juaj në organizimin e këtyre eventeve?
Xhilda Toska: Unë fillimisht kam nisur me një projekt, i cili ishte në fushën e bukurisë. Unë jetoj në qytetin e Elbasanit, i cili njihet si qyteti i luleve ku kemi një festë tradicionale prej shekujsh Dita e Verës, që ka kaluar në një festë kombëtare dhe festohet në të gjithë Shqipërinë. Duke marrë shkas nga kjo festë kaq e bukur unë vendosa të sjell një konkurs bukurie dhe modelingu me vajza nga e gjithë Shqipëria, të cilat u mblodhën në Elbasan për natën e verës dhe garuan për kurorën e më të bukurës “Miss lulja e verës”. Këtë projekt e solla për herë të parë, për të vijuar me projekte të tjera si “Vip Model”, një tjetër kompeticion modelingu dhe ky, por me djem dhe vajza nga i gjithë vendi, të cilët garuan për të rrëmbyer çmimin e Vip Model. Më vonë kaluam te kompeticioni i fëmijëve sepse pamë që kishte dëshirë edhe nga moshat e vogla që të merrnin pjesë në këto gara modelingu.
Momente gjate nje spektakli bukurie (Foto personale)
Projekti tjetër ka qenë “Miss dhe Mister fëmija yll”, ku nga gjithë Shqipëria mblidhen çdo vit djem dhe vajza dhe garojnë për çmimin e parë. Gjithashtu jam duke punuar për të sjellë dhe projektin e modelingut përsëri, që nuk do të jetë i mirëfilltë modeling, por ngritje zëri në kuadër të ditës së të drejtave të gruas në 8 mars “Miss Mama”. Ky event, i cili nuk është bërë asnjëherë në Shqipëri dhe shumë zonja po na bashkohen dita ditës dhe në 8 mars do të mblidhemi në Teatrin Skampa në Elbasan ku këto zonja në skenë do të performojnë me veshje të ndryshme. Janë shumë stilistë, të cilët po pregatiten për koleksionin e veshjeve. Gjithashtu do të ketë dhe mesazhe nga këto zonja për të drejtat e tyre dhe çfarë duhet të gëzojnë ato.
CMG: Si ka qenë interesi i fëmijëve por dhe të rinjve për të marrë pjesë në këto spektakle bukurie?
Xhilda Toska: Unë kam nisur t’i zhvilloj këto spektakle duke ndërtuar dhe emrin e agjensisë të liçensuar edhe në shtet me të gjitha të drejtat për organizimin e spektakleve në forma të ndryshme. Këto evente nisa t’i sjell para kohës së pandemisë, por kur ndodhi pandemia patëm probleme në të gjitha këndvështrimet, por përsëri dëshira e të rinjve ishte e madhe për pjesëmarrje dhe për të bërë diçka të bukur. Unë shikoj tek të rinjtë që duan të zhvillohen dhe prononcohen, dhe jemi ne ata që duhet të punojmë për të nxjerrë në pah këto vlera të rinisë.
Vajzat gjate nje spektakli bukurie (Foto personale)
CMG: Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur në organizimin e këtyre eventeve?
Xhilda Toska: Në fakt ka vështirësitë e veta, por gjithësesi unë jam shumë e apasionuar pas kësaj gjëje të bukur që bëj. Pra është pasioni im ai që i bën më të lehta gjërat, por normalisht ka dhe lodhje apo vështirësi sesi mund ta realizojmë ngaqë ka dhe kosto. Unë falenderoj të gjithë ata njerëz që më kanë mbështetur, siç janë sponsorët që kanë mundësuar realizimin e spektakleve tona.
CMG: Keni pasur mbështetje nga bashkitë e qyteteve në organizimin e këtyre eventeve artistike?
Xhilda Toska: Ky është viti i parë që unë do të kërkoj mbështetje nga bashkitë për të gjitha projektet që zhvilloj. Tani kam një projekt që bën bashkë talente të moshave 4 deri 18 vjeç nga të gjitha trevat shqipfolëse. Unë kam marrë një nismë që t’i sjell këto talente në çfarëdolloj fushe të talentit që ato kanë, duke studiuar në shkollë apo kurse për muzikë, instrumenta muzikore apo aktrim. Ky do të jetë një projekt shëtitës, të cilin do ta sjell në të gjitha skenat e Shqipërisë dhe më gjerë, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Malin e Zi. Këtë proejkt e kemi zhvilluar dy herë, dhe në tetor e sollëm në Teatrin Skampa të Elbasanit ku fëmijët u veshën si personazhe dhe performuan në skenë. Në festat e nëntorit ishim në Qendrën Kulturore “Lasgush Poradeci” në Pogradec, ku zhvilluam spektaklin në kuadër të festave të nëntorit. Gjithashtu jemi duke u pregatitur për festat e fundvitit ku do të jemi në teatrin “Andon Z.Çajupi” në qytetin e Korçës.
Xhilda Toska gjate nje emisioni televiziv (Foto personale)
Xhilda Toska gjate nje eventi me femijet (Foto personale)
CMG: Përzgjedhja e fëmijëve dhe të rinjve që marrin pjesë në këto spektakle bëhet nëpërmjet audicioneve?
Xhilda Toska: Njoftimet bëhen në rrjetet e mia sociale, në Instagram “Event Modeling Production” , por dhe në faqen time personale të Facebook ku bëj herë pas here njoftime për projektet dhe pjesën e përzgjedhjeve. Në këtë projekt që quhet “Yjet e talentuar” ne marrim talente nga mosha 4 deri në 18 vjeç, të cilët janë në një shkollë muzike apo në një qendër kulturore që studiojnë për kanto, instrumenta muzikorë dhe aktrim. Ne i marrim pothuajse të përgatitur dhe nuk ka nevojë për audicion, pra është thjesht performancë që këta fëmijë dhe të rinj të prekin skenat. Për momentin kemi gati 15 fëmijë të moshave të ndryshme dhe presim çdo ditë të na bashkohen që t’ju japim mundësinë të shijojnë skenën dhe publikun në çdo qytet.
CMG: Qëllimi i organizmit të këtyre eventeve është që këta fëmijë të kenë mundësi të prekin dhe skena më të mëdha në të ardhmen?
Xhilda Toska: Patjetër dhe ne jemi duke i stimuluar çdo ditë që ata të ndjehen artistë të vërtetë, jo vetëm të studiojnë në shkollë apo kurs, por që të preknin çdo ditë skenat deri në moshën 18 vjeç dhe më vonë të shkojnë në skenat më të mira. Kam dëshirën e madhe që përveçse këtyre organizimeve shëtitëse nëpër teatro, unë të bëj dhe një spektakël të madh dhe ta xhiroj në televizon siç bëhen spektaklet e fundvitit me këto talente, duke zgjedhur më të mirët në çdo fushë.
Xhilda Toska me femijet gjate nje spektakli (Foto personale)
CMG: A merrni kënaqësi nga kjo punë, duke promovuar këta fëmijë dhe të rinj të çdo fushe të artit?
Xhilda Toska: Unë këtë punë e bëj me shumë kënaqësi për të kontribuar në jetën e këtyre fëmijëve në të ardhmen për vendin tim dhe për veten sepse ndjehem artiste, dhe një njeri që ndjehet artist në shpirt nëse nuk merret me gjëra të tilla të bukura ndjehet i varfër. Këto projekte që unë zhvilloj më mbushin me plot kënaqësi dhe dashuri. Unë do kisha shumë dëshirë që të ftoja të gjitha bashkitë që të mbështesin këtë projekt me yjet e talentuar që bën bashkë të gjitha talentet e moshave 4 deri 18 vjeç dhe të kenë një mundësi që dhe ata të zhvillohen. Shpresoj që në të ardhmen të na mbështesë Ministria e Kulturës dhe bashkitë që të jetë më e lehtë organizimi i këtyre eventeve.
CMG: Cili është projekti juaj i radhës?
Xhilda Toska: Ne operojmë në çdo teatër të qyteteve të ndryshme dhe është i njëjti format që bëhet në të gjitha qytetet, por që vjen në kuadër të festave të fundivitit. Këtë fundvit do të jemi në Korçë ku do të përformojnë talente me recitime dhe këngë për festat. Pra në ço lloj kuadri festiv ne përshtatemi me atmosferën dhe zhvillojmë spektaklin duke i prezantuar këto talente përpara publikut.
Xhilda Toska pas nje eventi artistik (Foto personale)
CMG: Së fundi një urim për festat e fundivitit për dëgjuesit tanë.
Xhilda Toska: Uroj të gjithë shqiptarët dhe mbarë botën gëzuar me plot shëndet, harmoni dhe me një ekonomi të mirë. Mesazhi im është që mos u ndalni asnjëherë për atë që dëshironi të bëni sepse duhet të jemi të vullnetshëm për të arritur dëshirat tona.
Intervistoi: Gazmend Agaj