Destinacionet dimërore të turizmit shqiptar
2022-12-21 17:43:25

Korça dhe Razma vijojnë të jenë  të vetmet destinacione që plotësojnë siç duhet kërkesat e turistëve gjatë dimrit në Shqipëri. Në një intervistë për mediat  tur-operatorja Aida Gjecaj thotë se fatkeqësisht vendi ynë nuk plotëson kushtet për turizëm dimëror. Sipas saj ende ka probleme që mbajnë larg arritjen e standardeve që kërkon një turizëm malor edhe pse potencialet janë të mëdha.

“Potenciali turistik i Shqipërisë për një turizëm dimëror mund të themi që është një potencial shumë i madh, por akoma i pazhvilluar. Për këtë arsye turizmi dimëror lë për të dëshiruar, nëse mund ta themi në këtë sens pasi nëse flasim për turizëm dimëror do të flasim për Aplet e Shqipërisë si dhe për juglindjen që është Korça bashkë me fshatrat e saj. Nuk mundet që turizmi dimëror të mbulohet i gjithi nga vetëm një qytet apo një rajon siç është Korca me Voskopojën, me Dardhën dhe me fshatrat e saj të mirëorganizuara, ndërkohë që Alpet e Shqipërisë e vuajnë akoma këtë pjesë, pasi ofrojnë shumë potencial por nuk janë të organizuara.”- shprehet Gjecaj.

Pa,mje nga Thethi( Foto Albanian Construction Portal )

Pa,mje nga Thethi( Foto Albanian Construction Portal )

Sipas udhërrëfyesve Shqipëria ende nuk ja arrin qëllimit me turizëm gjithëvjetor, pavarësisht dëshirës.

“Nuk mundet që ne tentojmë dhe duam të kemi një turizëm gjithëvjetor por sezoni turistik të përfundojë në fund të shtatorit apo në fund të tetorit, pasi aktualisht ne çdo fundjavë kemi kërkesa nga tregu ynë lokal, nga shqiptarët që duan  të vizitojnë Alpet për shkak të borës së bukur, por që nëse ti do doje të shkoje në Theth, Valbonë apo në Vermosh ke një sërë problematikash qoftë logjistike siç mund të jenë mungesa e elektricitetit dhe deri tek aktivitetet rekreative. Pra, mund të shkosh në Valbonë, Theth, Vermosh dhe Razëm, por përveçse një hoteli me një komfort të një standardi të 3 yjëshit, se nuk mund të flasim akoma për standarde më të larta, turisti nuk di se çfarë të bëjë për pjesën tjetër. Unë do e quaja më shumë një turizëm të aventurës akoma. Pra, sportdashësit e aventurës nëse do të donin të shkonin në këto zona malore dhe pastaj të bënin ecje malore deri në pikat e larta dhe të bënin free skiing, pra të mbanin skitë në krahë, të shkonin deri në një pikë të lartë dhe pastaj të zbrisnin kjo ka sens për ta, por nuk do ta quaja një turizëm dimëror familjar turizmin akoma në Alpet tona.”- thotë Aida Gjecaj.

Ende në Alpet Shqiptare nuk janë kushtet e duhura për turizëm.

“Kjo është për shkak të mungesës së informacionit dhe të mos përgatitjes siç duhet. Gjithmonë kur vjen fillimi i dimrit dhe deri në fund të dimrit në maj- qershor, pasi dimri në Alpe përfundon nga fundi i majit, pra majat tona janë të mbuluara me borë deri në atë periudhë asnjë turist i huaj apo shqiptar nuk mund të ndërmarrë ngjitje malore pa një udhërrëfyes local. Prandaj gjithmonë ne të fushës së udhërrëfyesve sugjerojmë që mos u nisni pa një udhërrëfyes lokal të asaj zone ku po shkoni. Normalisht që mali, dëbora është e pabesë dhe ka mjegull, borë, kafshë të egra që janë më të pranishme në zonë në periudhën e dimrit kur ka më pak lëvizje, fshatrat janë më pak të gjallëruara seç janë në sezonin veror”, bën të ditur tur operatorja.

E ndërsa jemi në prag festash, tur- operatorët na orientojnë në destinacionet e duhura.

Pamje nga Valbona(Foto Gazeta Si)

Pamje nga Valbona(Foto Gazeta Si)

“Le të themi që këtë pjesë akoma e mban Korça me destinacionet e saj. Në Korçë mund të shkosh të gjesh një hotel të këndshëm të ngrohtë dhe të kesh aktivitete rekreative plotësuese në qytet apo dhe në resortet e skive në Dardhë, në Voskopojë ku mund të ecësh në dëborë sepse ka një lartësi mbi nivel deti të tillë. Në pjesën e veriut këtë më së miri i mbulon akoma Razma me dy hotelet e saj dhe me borën që mund të gjesh në atë nivel lartësie. Pra, jemi akoma larg kësaj prespektive. Më vjen keq për pesimizmin tim. Ne duam shumë pasi unë marr shumë telefonata në këtë periudhë për të pasur paketa për veriun e Shqipërisë, por përtej aktiviteteve që mund të bëhen në qytet, pra një kombinim mes Razmës dhe Shkodrës apo një atraksion shumë interesant për veriun e Shqipërisë do të ishte qyteti i Pukës që tashmë ka marrë një farë zhvillimi, por kërkon akoma më shumë marketing, pasi në afërsi të Pukës ka një resort të mirë dhe disa bujtina. Pra, aty mund të plotësosh edhe një paketë turizmi për familjet apo për grupe amatore që nuk janë profesionistë të skive apo të sporteve të aventurës. “- shprehet Gjecaj.