Më 7 dhjetor, Këshilli i Shtetit i Kinës publikoi "Njoftimin për optimizimin dhe zbatimin e mëtejshëm të masave të parandalimit dhe kontrollit për epideminë e koronavirusit të ri", duke propozuar dhjetë masa optimizimi. Përmendet se nuk do të inspektohen më certifikatat negative të testit të acidit nukleik dhe kodet shëndetësore për migrantët ndërrajonalë në Kinë dhe nuk do të kryhen kontrolle zbarkimi.
Foto: VCG
Më pas, në njoftimin e "Hekurudha 12306", një aplikacion zyrtar për blerjen e biletave të trenit në Kinë, thuhej se sipas kërkesave të politikës së re, duke filluar nga data 7 dhjetor, certifikata 48-orëshe e acidit nukleik dhe inspektimi i kodit shëndetësor do të ndërpritet kur blini bileta, merrni trena apo hyni dhe dilni nga stacionet.
Politika e re relakson më tej nivelin e udhëtimeve, sidomos tani kur me afrimin e Vitit të Ri dhe Festës së Pranverës, entuziazmi i njerëzve për udhëtime është shumë më i lartë. Industria e turizmit më në fund sheh agimin. Dhjetori është piku i sezonit për turizmin. Me lirimin e politikave të udhëtimit, industria e turizmit pritet të ketë një “dimër të ngrohtë”, ose një “pranverë” deri në pranverën e vërtetë.
Pas publikimit të politikave të reja, vëllimi gjithëpërfshirës i kërkimit mbi udhëtimet në transportin e madh në platformën Tongcheng, një faqe e njohur në internet për turizmin në Kinë, pësoi një rritje të shpejtë. Vëllimi i kërkimit të menjëhershëm për bileta ajrore u rrit me 438 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një dite më parë, ndërsa vëllimi i kërkimit të menjëhershëm për biletat e trenit u rrit me 276 për qind.
Të dhënat e Meituan, një aplikacion i njohur në Kinë për shërbimin e jetës për njerëzit, tregojnë se që nga ora 15:00 e datës 7 dhjetor, kërkesat për biletat ajrore, ato të trenit etj. në Meituan kanë kaluar atë të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar dhe rritja është gati trefishuar në krahasim me një muaj më parë.
Foto: VCG
Qyteti Haikou, qyteti Sanya etj. në provincën Hainan të Kinës Jugore njoftuan më 5 dhjetor se nuk do të zbatonin më kontrolle të klasifikuara për njerëzit që ktheheshin nga jashtë provincës. Brenda një ore, numri i kërkimeve për bileta ajrore në Sanya u rrit me 115 për qind në krahasim me një ditë më parë. Deri në orën 20:00 të 6 dhjetorit, porositë e biletave ajrore për në Sanya u rritën me 340 për qind në krahasim me një ditë më parë.
Në të njëjtën kohë, kërkesa për udhëtime është gjithashtu shumë e lidhur me pushimet. Sipas Zyrës së Përgjithshme të Këshillit të Shtetit, nga data 31 dhjetor 2022 deri më 2 janar 2023 do të jetë pushim zyrtar në Kinë. Duke gjykuar nga të dhënat e platformës së internetit, më shumë njerëz kanë nisur të planifikojnë udhëtime gjatë këtij harku kohor. Në Meituan, vëllimi i kërkimit për fjalë kyçe të ndërlidhura si "Dita e Vitit të Ri" dhe "Viti i Ri" u rrit me më shumë se 797 për qind nga muaji në muaj. Rezervimet e akomodimit gjatë festës së Vitit të Ri u rritën me 606 për qind në krahasim me një javë më parë.
Përveç kësaj, sezoni i ardhshëm i udhëtimit gjatë Festë së Pranverës, festa më e rëndësishme për kinezët që kthehen masivisht në shtëpitë e tyre për t’u bashkuar me familjet, është një segment kohor që ka tërhequr më shumë vëmendje. Sipas të dhënave nga Tongcheng, deri tani, vëllimi i kërkimit të biletave ajrore për udhëtime një javë para Festës së Pranverës, ka arritur kulmin e volumit, duke llogaritur të njëjtën periudhë në tre vitet e fundit.
Zhang Mingyang, një studiues i nivelit të lartë në Institutin Tongcheng, thotë se qytetet kryesore në Kinë i kanë zbatuar gradualisht politikat e reja, duke çliruar më tej lëvizshmërinë e njerëzve nëpër provinca. Parashikohet që gjatë sezonit të udhëtimit për Festën e Pranverës këtë vit të ketë një raund të përqëndruar të lirimit të kërkesave për vizitat te të afërmit, kthimin në shtëpi dhe udhëtimin në të gjithë vendin.
Foto: VCG
Duke parë të dhënat e publikuara nga platforma të ndryshme të internetit, nuk është e vështirë të shihet se pjesa dërrmuese e përdoruesve priren ta kalojnë dimrin në jugun e Kinës, pasi atje është më ngrohtë. Si një destinacion turistik i njohur, provinca Yunnan e Kinës Jugperëndimore, është bërë një opsion popullor për të udhëtuar. Në platformën Meituan, numri i prenotimeve të biletave ajrore për qytetin Puer në provincën Yunnan u rrit me 400 për qind në krahasim me javën e kaluar.
Sipas të dhënave nga Tongcheng, më 5 dhjetor, numri i biletave ajrore të lëshuara në mbarë vendin për Haikou u rrit me 63 për qind krahasuar me të hënën e kaluar, ndërsa për në Sanya u rrit me 55 për qind. Përveç kësaj, prenotimet e hoteleve në provincën Hainan u rritën 21 për qind në krahasim me një javë më parë. Vëllimi i rezervimeve të hotelit Hilton Sanya Yalong Bay është rritur me më shumë se pesë herë krahasuar me të njëjtën periudhë të javës së kaluar. Shumica e klientëve do të qëndrojnë në dy javët e ardhshme. He Jiang, drejtori i marketingut i hotelit Atlantis në Sanya, parashikon: "Që nga tani deri në pushimet e Vitit të Ri dhe Festës së Pranverës, tregu i turizmit në Sanya do të nxehet gradualisht".
Ndërkohë shumë njerëz zgjedhin të shkojnë në Makao për Vitin e Ri. Më 7 dhjetor, numri i kërkesave për akomodim në Makao gjatë Vitit të Ri në platformën Meituan u rrit me 600 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të javës së kaluar. Përdoruesit e kërkimit janë kryesisht nga Guangzhou, Shanghai, Shenzhen, Wuhan, Suzhou dhe qytete të tjera.
Pan Helin, drejtori i Qendrës Kërkimore të Ekonomisë Dixhitale dhe Inovacionit Financiar të Shkollës Ndërkombëtare të Biznesit të Përbashkët të Universitetit Zhejiang thotë: "Në afat të shkurtër, pasi të jetë optimizuar parandalimi i epidemisë, njerëzit e zakonshëm do të priren të udhëtojnë me kujdes dhe ata mund të ketë shqetësime në fillim. Por në planin afatgjatë, politikat e reja të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë do t'i lejojnë njerëzit e zakonshëm ta shohin epideminë në mënyrë më të pjekur dhe vetëbesimi i njerëzve në udhëtime do të rritet gradualisht, duke rikthyer përfundimisht industrinë e turizmit në nivelin e vitit 2019. (Çang Çuo)