Shtetet e BE-së bien dakord për çmimin e gazit prej 180 euro për të frenuar krizën energjetike
2022-12-21 18:03:25

BE per cmimin e gazit (Foto Xinhua)

BE per çmimin e gazit (Foto Xinhua)

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të kufizojnë çmimet e gazit natyror në bllok në 180 euro (191 dollarë amerikanë) për megavat-orë (MWh) në një përpjekje për të garantuar sigurinë e energjisë furnizimit, raportoi  “Xinhua”. 

Çeku Jozef Sikela, ministri përgjegjës për Industrinë dhe Tregtinë, i cili kryeson takimet e ministrave të Energjisë të BE-së, tha se kanë arritur një marrëveshje shumë të rëndësishme për tavanin e çmimit të gazit dhe Evropa do të ketë një paketë masash për ta ndihmuar atë të përgatitet për dimrin dhe të mbrojë qytetarët dhe bizneset nga luhatjet ekstreme të çmimeve.

“Ministrat morën një hap tjetër shumë të guximshëm për t'iu përgjigjur krizës energjetike, duke arritur një marrëveshje mbi propozimin e Komisionit (Evropian) mbi një mekanizëm korrigjues të tregut”,- komentoi Kadri Simson, eurokomisionerja për Energjinë.

Një mekanizëm pezullimi është vendosur për të siguruar që BE-ja të mbetet tërheqëse për furnizuesit e gazit dhe që të furnizohet mjaft gaz për shtetet e BE-së.

“Mekanizmi i korrigjimit të tregut do të pezullohet veçanërisht nëse kërkesa për gaz rritet me 15 për qind në një muaj ose 10 për qind në dy muaj dhe importet e LNG ulen ndjeshëm”,- tha Këshilli i BE-së.

Mekanizmi do të hyjë në fuqi më 15 shkurt 2023.

Çmimi i energjisë u rrit në vitin 2022, fillimisht si rezultat i pandemisë Covid-19 dhe më pas si rezultat i konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë. Thatësirat e krijuara nga vala e të nxehtit të verës theksuan më tej krizën e çmimeve të energjisë, pasi energjia e prodhuar nga uji u bë e pakët. (Elona)