Pavarësisht kohës, e cila rrjedh dhe venit të shkuarën ka disa këngë që nuk vdesin kurrë. Nuk ka rëndësi nga vjen, apo ku ndodhesh, pasi kur vjen puna te disa këngë nostalgjike, bëhemi kor dhe i këndojmë të gjithë tok këngët që lidhen me ne dhe të shkuarën tonë.
Për të rinjtë e viteve 90 kënga “Makina e memories”, është ndër më të dashurat dhe më përfaqësueset e atij brezi. Kjo këngë, me një vijë melodike të kapshme dhe të pëlqyeshme për veshin, ritmike, emocionuese dhe shpërthyese njëkohësisht, e bëri kantautorin e saj, artistin Ardit Gjebrea, të adhuruarin dhe artistin më të pëlqyer të asaj periudhe.
Ardit Gjebrea sot - foto politiko
Çdo këngë ka historinë e vet, sikundër çdo njeri ka një histori për të treguar. E, nëse njerëzit e duan këngën “Makina e memories”, kjo vjen pasi teksti i kësaj kënge ngacmon makinën tonë të memories, dashuritë dhe dhimbjet tona personale, në një mënyrë shumë elegante dhe të ndjeshme gjithashtu. Kjo këngë, provokon emocionet tona dhe vlera estetike që marrim prej saj është shumë e madhe.
Çfarë e bën këngën kaq depërtuese, së pari është teksti i saj. Me tekst nga Giancarlo Milone, me të cilin Gjebrenë e lidhte një miqësi e mirë, që zuri fill që nga koha e studimeve të tij në Itali dhe me shqipërimin që i bëri tekstit Jorgo Papingji , kënga e Gjebresë edhe sot dëgjohet me po aq adhurim nga publiku. Teksti, të cilin autori italian e kishte shkruar në gjuhwn e tij, emocionoi Gjebrenë dhe iu duk i përshtatshëm për tu bërë këngë, prandaj ai kërkoi ndihmën e Jorgo Papingjit, i cili solli variantin e tij shqip të këngës. Menjëherë më pas, Gjebrea krijoi muzikën e një dnër këngëve ndër më të dashura, e cila sipas gjasave do të vijojë të jetë e tillë për publikun, Themi kështu, pasi ajo këndohet në festa, në makinë, në shtëtitje, etj. E kemi motiv ndër vite e do ta kemi më tej.
Kush kujton këtë këngë, me siguri kujton edhe imazhet e bukura të klipit që e shoqëroi këngën, i cili shënoi edhe një rekord, si kënga e parë me klip në muzikën e lehtë shqiptare.
Dhe ajo çfarë mbete në mendje, sigurisht që është imazhi i vajzave tepër të bukura që u shfaqën aty. Në pamjet, të cilat ishin të pazakonta për kohën e publikimit të videos, marrin pjesë figura që më vonë do të bëheshin të njohura në Shqipëri, si stilistja Enada At’Nikolla, por edhe plot vajza të tjera të cilat nuk është se patën ndonjë jetë publike më tej, pavarësisht se për shumë u identifikuan si vajzat e klipit.
Regjia e klipit i takon regjisorit Petri Bozo, i cili ishte i ri në moshë dhe profesion, por me shumë dëshirë për të krijuar diçka të re dhe moderne për kohën. Xhirimet u bënë në plazh, pamjet janë xhiruar krejt spontanisht dhe ajo çfarë bie në sy është se vajzat nuk kanë as truk dhe as ekzagjerime. Gjithçka në atë klip është e vërtetë dhe e pastër, si vetë mosha e protagonisteve të klipit të tij. Kjo gjë mbase ka ndikuar pozitivisht. Ndryshe nga klipet sot, ku xhirimet zgjasin me pak ditë dhe gjithçka i nënshtrohet proceseve të tjera ku ndërhyhet në çdo element të saj, xhirimet për klipin zgjatën rreth 1 muaj dhe u bënë në bregdetin e Vlorës. Pas këtij klipi fshihet një punë kolosale e një regjisori të ri dhe disa vajzave të reja, të cilat me klipin e tyre përcollën një mesazh të bukur dashurie.
Imazh nga klipi i kenges Ardit Gjebrea dhe Fatjona Lubonja
Klipi i “Makinës së memories” i përket atyre krijimeve mbështetëse, që në cilën do kohë ta shohësh, të duket po kaq i freskët sa ditën e parë. Sigurisht që një këngëtar i mirë dhe një muzikë e mirë e bën të paharrueshëm klipin, duke i shtuar dhe imazhin e mirë. Kjo është edhe arsyeja që kënga i ka qëndruar fort kohës. Pasi në të janë bashkuar puna e disa artistëve të talentuar si Ardit Gjebrea, Giancarlo Milone, Jorgo Papingji, Petri Bozo; me portrerin e disa vajzave modele, të një bukurie të pastër dhe natyrore, sic ishte vajza protagoniste e klipit Fatjona Lubonja ; me disa plazhe të një bukurie të patrazuar, si ishin dikur plazhet e Vlorës dhe mbi të gjitha me një publik të etur për t’i shkuar pas një rilindjeje estetike që koha po e prodhonte në fillimin e viteve ’90.
Prandaj mund të themi pa hezitim që historia e këngës “Makina e memories”, është historia e tërë e një brezi, pasioneve dhe ëndërrave të tyre.
Neritana Kraja