Kina përmirëson masat antiepidemike, mëkëmbet sektori i transportit
2022-12-21 16:01:29

VCG

VCG

Ditët e fundit, Këshilli i Shtetit i Kinës ka paraqitur një sërë masash të reja antiepidemike, duke përmirësuar masat e tanishme për garantimin e prodhimit ekonomik dhe veprimtarisë shoqërore. Më pas, shumë krahina publikuan një sërë masash konkrete, me synimin për të mbështetur mëkëmbjen e rregullt të sektorit të transportit rrugor, hekurudhor dhe ajror. Me këto masa të reja, sektori i transportit është në mëkëmbje të vazhdueshme dhe numri i udhëtarëve është në rritje të qëndrueshme.

 

VCG

VCG

Rritja e dukshme e fluksit të udhëtarëve

 

Qysh nga fillimi i dhjetorit, sipas masave të reja, sektori hekurudhor ka hequr kufizimet për kthimin e njerëzve me tren në Pekin dhe nuk bëhet më testimi i acidit nukleik dhe kontrolli i kodit shëndetësor.

 

Tani njerëzit mund të blejnë bileta treni drejtpërdrejt me aplikacion në celular dhe në uebsajtin e rezervimit nuk dalin më mesazhe njoftimi për kontrollin antiepidemik.

 

Grupi shtetëror i shërbimeve hekurudhore “China Railway” u shpreh që tani, me zbatimin e masave të reja antiepidemike, është shtuar edhe numri i trenave, për t’u përshtatur me kërkesat e udhëtarëve. Në dy ditët e para të zbatimit të masave të reja, numri ditor i trenave dhe i udhëtarëve është rritur përkatësisht në 5023 dhe 3.5 milionë. Krahas kësaj, në uebsajtin zyrtar të shitjes së biletave, numri i shitjeve dhe rezervimeve ka shënuar rritje të dukshme e të vazhdueshme.

 

Sipas kërkesave konkrete, janë rihapur shërbimet e udhëtarëve për linjat e drejtpërdrejta ekspres mes Pekinit dhe qyteteve ku ka nevojë më të madhe, si Taiyuan, Xi’an, Weihai, Nanchang, Harbin, Dalian, Qingdao dhe Wuhan, çka ka përmbushur kërkesat e studentëve që udhëtojnë shumë gjatë pushimeve dimërore.

 

Krahas kësaj, në departamentin e Shangait të grupit “China Railway” janë shtuar shërbimet e udhëtarëve për zonat përreth Shangait, për në Sichuan, Chongqing, Henan, Hunan dhe Hubei. Edhe në departamentet e Nanning-ut dhe Nanchang-ut janë rivendosur përkatësisht 43 e 11 trena udhëtarësh, të cilët kanë mbuluar krahinat jugperëndimore dhe jugore të Kinës.

 

VCG

VCG

Transporti ajror civil mëkëmbet gradualisht

 

Pas publikimit të masave të reja antiepidemike, edhe tregu i transportit ajror civil është në mëkëmbje graduale.

 

Tani në aeroportet kryesore të Kinës, si ato në Pekin, Shangai, Guangzhou, Shenzhen, Chengdu, Chongqing dhe Hangzhou, numri i anulimeve dhe pezullimeve të fluturimeve  është ulur dhe numri i vendeve të ofruara është në rritje të pandërprerë.

 

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Kontrollit të Trafikut Ajror, numri i fluturimeve në dy aeroportet kryesore civile të Pekinit ka pasur rritje të dukshme. P. sh., më 10 dhe 11 dhjetor, numri i fluturimeve shënoi rritje përkatësisht me 100 e 169 % dhe parashikohet që numri i fluturimeve në këto dy aeroporte të arrijë në 70% të nivelit të vitit 2019, para shpërthimit të epidemisë.

 

VCG

VCG

Sipas të dhënave nga uebsajti “veryzhun.com”, numri i fluturimeve në mbarë vendin më 11 dhe 12 dhjetor ka ruajtur rritjen e qëndrueshme. P. sh., më 12 dhjetor, numri i fluturimeve arriti në 7421, 93 % më shumë se një javë më parë dhe mbi 60 % e nivelit të së njëjtës periudhë të vitit 2019.

 

Krahas kësaj, numri i rezervimeve për pushimet e Festës së Pranverës ka pasur rritje të madhe. Në platformat kryesore të biletave, rezervimi i biletave është përqendruar kryesisht në dhjetë destinacione: Harbin, Sanya, Chengdu, Haikou, Shangai, Changchun, Shenzhen, Shenyang, Pekin dhe Kunming.

 

Sipas “Qunar.com”, tani numri i fluturimeve ka arritur në 90 % të nivelit para shpërthimit epidemik. Me masat e reja, mëkëmbja e plotë në transportin ajror ende kërkon njëfarë kohe. Parashikohet që numri i rezervimeve për bileta avioni gjatë Festës së Pranverës 2023 do të shënojë pikun në tre vjetët e fundit dhe mund të arrijë në 80 % të nivelit para epidemisë. (Jiang Lei)