Dimri blu (Foto:Ypsilanti)
“Dimri blu” është një fenomen sa i zakonshëm aq edhe i jashtëzakonshëm. Në shumë vende të botës trajtohet specifikisht dhe ka shumë njerëz që në këtë fazë të dimrit e kalojnë gjendjen e trazuar emocionale të këtij fenomeni. Rreth dy milion njerëz në të gjithë botën vuajnë nga “Dimri Blu”. Psikologjia që ka folur në Shqipëri për “Dimrin blu” ka qenë Orjola Plaku, e cila zgjedh të flasë për problemet që vijnë nga ky fenomen. Orjola ka kryer ciklin e studimeve Bachelor në Shkencat sociale në Tiranë në vitin 2008 si dhe më pas master shkencor në psikologji shkollore. Sot ajo është anëtare e Urdhrit të psikologut. Prej vitesh ka punuar në Fshatrat e Fëmijëve SOS në Shqipëri. Orjola është mami i një djali 2-vjeçar për të cilin thotë se e gjithë koha e saj i dedikohet djalit të vogël. Për Radio Ejani ajo rrëfen mes emocionesh jetën e saj.
CMG:Flasim në këtë intervistë në dimër dhe pikërisht në dimër shfaqet edhe “Dimri Blu”, një fenomen i njohur?
Orjola Plaku: Po është shumë i njohur, është një fenomen që njihet edhe nga mjekësia. Gjendja emocionale e njerëzve ndryshon nga stina në stinë. Kështu edhe stina e dimrit ka pasoja apo vështirësi që duhen kaluar. Nëse gjendemi përballë një situate aspak të qëndrueshme emocionale nuk duhet të vonohemi për të shkuar tek psikologu apo psikoterapisti sepse mund të kemi dëmtime që nuk rikuperohen më. Dua të theksoj që shanset për t’u shfaqur tek të gjithë janë shumë të larta.
CMG: A ka pasur raste të cilat ju vetë i keni trajtuar?
Orjola Plaku: Po kanë qenë disa raste në fakt, të cilat duhet të trajtohen me shumë kujdes sepse në rast të kundërt përfundojnë në ekstreme. Nuk është diçka që ju ndodh të gjithëve, por nëse vëreni një gjendje shumë të ngarkuar emocionale dhe një mungesë dëshire për të punuar apo vepruar ju mund të jeni prekur nga kjo sindromë.
Depresioni dimëror (Foto:BBR Foundation)
CMG: Le të supozojmë që je gjendur përballë një pasqyrë, cilat do të ishin të vërtetat e tua ?
Orjola Plaku: Në çdo gjë që ne bëjmë përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë. Ajo që unë përcaktoj tek vetja është që jam një njeri shumë korrekt dhe që e dua rregullin. Nuk jam një femër që vonohem, përpiqem që çdo gjë të dalë në kohën e vet. Sigurisht që nuk ka asnjë njeri pa të meta, gjithsecili nga ne ndërton një ideal në kokë dhe përpiqet patjetër që t’i ngjajë. Unë jam ngritur mbi shembuj idealë. Shpresoj që jap më të mirën megjithëse nuk pëlqej që të flas për veten.
Kam përfunduar Fakultetin në Shkencat Sociale në vitin 2008, gjithashtu kam përfunduar master shkencor në psikologji shkollore. Këto arritje unë i kam marrë falë punës sime dhe besoj që çdo njeri ja njeh këto lloj meritash vetes.
CMG: A mund t’i kthehesh viteve të fëmijërisë, si kanë qenë ato?
Orjola Plaku: Më vjen ndërmend prindërimi i babait tim. Ai ka qenë një njeri shumë i qetë dhe organizativ në gjërat që bënte, ndoshta ketë edukatë dhe kulturë ma përcolli edhe mua. Ishte një ekuilibër për mua dhe një mbështetje shumë e madhe. Kam pasur një marrëdhënie shume të ngushtë me vëllain tim, të cilin e kam pasur për 8 vite shok klase. Ndërsa, mami im ka qenë këmbëngulëse në çdo aspekt që unë t’i arrija gjërat me çdo kusht. Nuk di të them nëse fëmijëria ime ka qenë një fëmijëri e shëndetshme apo e bukur. Më mirë të lëmë një ndërthurje mes të dyjave.
CMG: A janë plotësuar të gjitha ëndrrat e tua të fëmijërisë?
Psikologia Orjola Planu (Foto:Flas Shqip)
Orjola Plaku: Ëndrrat duke u rritur ndryshojnë shumë dhe ndoshta bëhemi ndryshe nga ajo çfarë ëndërrojmë. Unë nuk u bëra një këngëtare megjithëse e doja shumë. Por nuk u bëra as jurist, që e doja gjithashtu shumë. Jurist u bë vëllai im dhe kështu mendoj që e kam përmbushur sfidën time me karrierën. Kur ëndrrat pasohen nga njerëz që ti i do në jetë, janë njësoj sikur të jenë ëndrrat e tua.
CMG:Orjola duke u rritur, duke kuptuar që…
Orjola Plaku: Duke u rritur, duke kuptuar që duhet të bashkëjetosh me pasiguritë e jetës. Gjithashtu çdo gjë që vjen në jetë duhet ta presësh sepse është një sfidë për t’u kaluar, asnjë gjë më tepër. Çdo gjë që bëjmë sido të jetë duhet të nxjerrim një refleksion përkatës. Gjëja më e rëndësishme në jetë është familja dhe kujdesi që duhet të kemi për ta si edhe mirëqenia psikologjike.
CMG:Si nis dita juaj dhe si mbyllet?
Orjola Plaku: Dita ime ështe edhe dita e djalit tim. Unë marr kohë për t’u kujdesur për të maksimalisht dhe që prej lindjes së tij jam dedikuar për të. Kur e dërgoj në çerdhe mezi pres momentin që ta marr dhe t’i jap kujdesin që meriton. Patjetër që gjej edhe kohë për veten sepse nuk mund të jetohet duke mos u kujdesur për veten. Dashuria për njerezit lind vetëm nëse kemi dashurinë për veten.
CMG: Si ndryshoi jeta juaj pasi u bëtë mami?
Orjola Plaku: Ndryshoi plotësisht në fakt. Por ajo që i kam thënë vazhdimisht vetes është që nuk ka prindërim perfekt. Ne mësojmë nga gabimet në çdo aspekt.
Dimri blu (Foto:Lehigh Center)
CMG: Ka qenë e vështira periudha e shtatzënisë apo edhe postlindjes, sepse thuhet që gratë e kalojnë me vështirësi?
Orjola Plaku: Psikologjikisht njihet si një fenomen i vështirë. Periudha ime e shtatzënisë ka qenë shumë e vështirë në fillim, por falë mjekëve arrita ta tejkaloj. Ndërsa pas lindjes kalova atë që në fakt e kalojnë të gjithë, një gjendje emocionale tepër të rënduar dhe të vështirë. Falë suportit të mjekëve e kalova. por dua të përmend edhe babin e djalit tim, partneri i cili ka qenë me mua në çdo hap.
CMG: Çfarë do të thotë të jesh grua në Shqipëri?
Orjola Plaku: Të jesh grua në Shqipëri është shumë e vështirë, por mund t’ia dalësh nëse e ke vendosur qetësinë mes vetes dhe raportit që ke ndërtuar me botën. Siguria në vete është elementi primar.
CMG:Kujt i jeni mirënjohëse ?
Orjola Plaku: Mirënjohëse fillimisht u jam të gjithë pedagogëve të mi, të cilët pa hezitim i kanë ndarë me mua dijet e tyre. Jam shumë e nderuar që sot kam një jetë të shkëlqyer sepse kam mësuar prej tyre. Ndërsa jeta vazhdon dhe nuk do ta konceptoja dot pa ndihmën e partnerit tim në jetë.
CMG: Cila është motoja juaj në jetë?
Orjola Plaku (Burimi foto personale)
Orjola Plaku: Ndryshe nga të tjerët unë mendoj që “Jo çdo gjë vjen për një arsye”. Gjithashtu do të doja të këshilloja këdo që duhet të fillojë të jetojë me pasiguritë e tij.
Intervistoi: Megi Latifi