OBT, Shqipëria në vend të parë në botë për rimëkëmbjen e turizmit
2022-12-20 11:33:20

Mirela Kumbaro (Foto:Facebook)

Mirela Kumbaro (Foto:Facebook)

Pak ditë më parë, Organizata Botërore e Turizmit e renditi Shqipërinë në vend të parë në botë përsa i përket rimëkëmbjes krahasuar me periudhën para pandemisë, me një rritje me 18% krahasuar me vitin 2019. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka publikuar të dhënat e turizmit për dhjetë muajt e parë të vitit, ku numri total i vizitorëve është mbi 6,7 milionë duke tejkaluar edhe të gjithë vitin 2019 që deri tani ka qenë më i suksesshmi.

Kumbaro ka evidentuar edhe vendet që i konsideron flukse interesante turistike, siç janë Spanja, Anglia, Holanda, vendet skandinave apo Sllovenia.

“ Ishte i suksesshëm ky vit falë mobilizimit të gjithë sektorit të turizmit. Jemi takuar në momente të ndryshme kemi pasur dialog dhe shqetësime të cilat i kemi ndarë bashkë. Deri në 30 tetor kemi mbërritur shifrën 7.1 milion turistë të huaj dhe besoj që kemi shënuar një rekord. Ende nuk është shifra finale, sepse në dhjetor parashikojmë të kemi më shumë vizitorë. Ishte një vit i cili nisi me shumë optimizëm në janar dhe që na trembi në shkurt. I mbarë ishte edhe tetori për turizmin, duke vijuar trendin rritës krahasuar me vitin 2021, por po aq interesant edhe për flukset e reja turistike që po i shtohen mysafirëve që mikpresim çdo vit, siç janë rreth 4 herë më shumë vizitorë nga Spanja. Kemi pasur 97,1% më shumë vizitorë nga Anglia, rreth 3 herë më shumë vizitorë nga Holanda, më shumë se dyfishim i vizitorëve nga Sllovenia dhe po ashtu dyfishim i vizitorëve që vijnë nga vendet skandinave”, ka njoftuar ministrja.

Përfaqësues të ministrisë së turizmit (Foto facebook)

Përfaqësues të ministrisë së turizmit (Foto facebook)

Pak ditë më parë  edhe Organizata Botërore e Turizmit e renditi Shqipërinë në vend të parë në botë përsa i përket rimëkëmbjes krahasuar me periudhën para pandemisë, me një rritje me 18% krahasuar me vitin 2019.

“Dhe pse kemi pasur konliktin Rusi-Ukrainë, i gjithë sektori reagoi duke bërë që puna e bërë në këto 4-5 vitë në promovim, investime dhe bashkë me traumën e pandemisë. Shqipëria dhe sektori i turizmit tregoi në fakt që ishte në të njëjtin nivel siç është populli shqiptar, ku sa herë i ndodh diçka gjen energji për t’u ringritur” theksoi Kumbaro.

Rritja e numrit të turistëve që vizituan Shqipërinë në tremujorin e tretë të vitit ka gjallëruar tregtinë me pakicë në vend.

“Që nga sektori privat deri tek ai publik një nga mësimet ishte që dhe pse  nisëm më sezonin herët kuptuam që mund ta kishim filluar më parë. Jam shumë mirënjohëse të gjithëve për punën dhe sot që flasim të gjitha aplikimet për vitin e ardhshëm janë mbyllur. Janari duhet të jetë jo koha për fillimin e përgatitjeve, por koha që mbyllen këto përgatitje. Këtë sezon të ri do të kemi dhe shumë rregulla të reja.” u shpreh ministrja Kumbaro.

Gjatë tremujorin të tretë 2022, referuar INSTAT indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë shënoi 137,5. Shitjet në volum në tregtinë me pakicë janë rritur 4,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht është rritur 1,6 %.

Mbyllja e sezonit turistik (Foto facebook)

Mbyllja e sezonit turistik (Foto facebook)

Sipas INSTAT, në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e tretë 2022 është rritur me 4,8 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit të kaluar.