Makao shënon 23-vjetorin e kthimit në atdhe
2022-12-20 20:34:25

Foto: VCG

Rajoni i Posaçëm Administrativ i Makaos i Kinës mbajti të martën një ceremoni të ngritjes së flamurit dhe një pritje për të kremtuar 23-vjetorin e kthimit të Makaos në atdhe dhe të themelimit të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos.

Në pritje, Ho Iat Seng, kryeekzekutivi i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos të Kinës, bëri thirrje për përpjekje të mëtejshme për të mbështetur parimin "Një vend, dy sisteme" dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të Makaos në epokën e re.

Në fjalimin e tij, Ho tha se ekonomia e Makaos, jetesa e banorëve të saj dhe punësimi u ndikuan rëndë gjatë tre vjetëve të fundit nga epidemia e COVID-19.

“Nën udhëheqjen dhe mbështetjen e fortë të qeverisë qendrore, qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos i është përmbajtur gjithmonë politikës kombëtare të parandalimit të epidemisë, duke i dhënë përparësi sigurisë dhe shëndetit të njerëzve dhe duke bashkuar të gjithë sektorët e shoqërisë,” vuri në dukje ai.

Sipas kryeekzekutivit, qeveria e Makaos ka marrë raunde të shumta masash lehtësimi financiar për të stabilizuar ekonominë, për të mbrojtur punësimin dhe për të lehtësuar vështirësitë e banorëve në tre vjetët e fundit.

Shpenzimet për ruajtjen e mirëqenies së rregullt të banorëve të Makaos kanë qenë rreth 68.3 miliardë pataka (8.5 miliardë dollarë), dhe shpenzimet për ofrimin e ndihmës financiare në përgjigje të pandemisë arritën në rreth 32.3 miliardë pataka, duke çuar në një shpenzim të përgjithshëm rreth 100.6 miliardë pataka, tha Ho.

Në fjalën e tij, ai foli gjithashtu për përpjekjet e qeverisë së Makaos për t'iu përmbajtur sundimit të ligjit, për të mbrojtur në mënyrë efektive sigurinë kombëtare dhe për të përmirësuar vazhdimisht cilësinë dhe standardin e përgjithshëm të qeverisjes në Makao.

Qeveria e Makaos ka punuar për të siguruar zbatimin e patundur të parimit "Qeverisje e Makaos nga patriotët" dhe ka lehtësuar amendamentet e ligjit për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, theksoi ai.

Kryeekzekutivi vuri në dukje edhe përpjekjet e Makaos për t'u integruar në mënyrë më proaktive në planin e përgjithshëm kombëtar të zhvillimit, duke shtuar se Plani i Dytë Pesëvjeçar për Zhvillimin Ekonomik dhe Shoqëror të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos është publikuar për t'u përafruar plotësisht me strategjinë kombëtare të zhvillimit. (Çang Çuo)