Wang Yi: Lidhjet Kinë-Francë, hov pozitiv zhvillimi
2022-12-20 16:17:48

Foto: VCG

Marrëdhëniet kino-franceze kanë përballur testin e kohëve, duke ruajtur stabilitetin e përgjithshëm dhe një hov pozitiv zhvillimi, theksoi këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi të hënën gjatë një videotakimi me ministren franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme Catherine Colonna.

Wang Yi, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), përmendi takimin e suksesshëm ndërmjet dy krerëve të shtetit në Bali të Indonezisë, duke thënë se bisedimet mes tyre “kanë shtuar njohjen e besimin e ndërsjellë dhe kanë zgjeruar konsensusin e bashkëpunimin" ndërmjet të dy vendeve.

Kina është e gatshme të punojë me Francën për të nxitur shkëmbimet e nivelit të lartë, për të forcuar planifikimin dhe projektimin, për të përmirësuar stabilitetin e parashikueshmërinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe për të thelluar bashkëpunimin konkret në ekonomi, tregti, bujqësi e aviacion, tha Wang. Ai shtoi se Kina dëshiron të zgjerojë bashkëpunimin me Francën në fusha të tilla si energjia e gjelbër, mjekësia e shëndetësia dhe risitë tekniko-shkencore.

Kryediplomati theksoi gjithashtu se Kina do të vazhdojë të optimizojë masat e kontrollit të COVID-19 dhe do të lehtësojë shkëmbimet e personelit me vendet e tjera.

Nga ana e saj, Colonna tha se Franca është e gatshme të punojë me Kinën për të përgatitur fazën tjetër të shkëmbimeve dypalëshe të nivelit të lartë, për të hartuar një program bashkëpunimi dhe për të thelluar partneritetin e gjithanshëm strategjik.

Pala franceze është optimiste në lidhje me modernizimin me karakteristika kineze dhe është e gatshme të ndihmojë Kinën gjatë këtij procesi, tha ajo, duke shtuar se Parisi po pret me kënaqësi të riaktivizojë shkëmbimet njerëzore e kulturore franko-kineze dhe të rinisë gradualisht shkëmbimet normale të personelit.

Colonna vlerësoi gjithashtu lart rolin e Kinës si vend kryesues i mbledhjes së 15-të të Konferencës së Palëve të Konventës për Diversitetin Biologjik. Franca është e gatshme të forcojë bashkërendimin shumëpalësh me Kinën në përballimin e përbashkët të sfidave globale, shtoi ajo.