Institucionet mjekësore dhe autoritetet shëndetësore në mbarë Kinën po bëjnë përpjekje maksimale për të zgjeruar kapacitetin e klinikave të etheve për të përballuar një rritje të pacientëve të infektuar nga COVID-19.
Foto nga VCG
Rritja e papritur e infeksioneve të reja kohët e fundit ka çuar në një trysni të madhe mbi burimet mjekësore. Në kushtet e zhvendosjes së fokusit në strategjinë e reagimit ndaj COVID nga parandalimi i infeksioneve në trajtimin e rasteve, Kina po përshpejton përpjekjet për të krijuar më shumë klinika për trajtimin e etheve.
Një klinikë e tillë e përkohshme, e ndërtuar në një stadium në distriktin Xicheng të Pekinit, është vënë në shërbim, në përgjigje të kërkesës në rritje për shërbime mjekësore në kohë.
Foto nga VCG
Klinika, ku shërbejnë mjekë nga disa spitale publike të distriktit, ka katër salla konsultimi dhe është e pajisur me farmaci të përkohshme dhe kapacitete të mjaftueshme për ruajtjen e barnave. Pacientët me temperaturë mund të kenë shërbim të shpejtë konsultimi nga një mjek dhe të marrin barna.
Numri i përgjithshëm i klinikave të etheve në Pekin është rritur me shpejtësi nga 94 në 1 263, përfshirë ato të hapura në 960 institucione të kujdesit shëndetësor në lagje, tha në një konferencë shtypi të hënën Tu Zhitao, drejtor i Administratës së Mjekësisë Tradicionale Kineze të Bashkisë së Pekinit.
Gjatë dimrit, për shkak të mbivendosjes së efekteve të gripit stinor, pacientët me sëmundje të mushkërive dhe sëmundje kardiovaskulare e cerebrovaskulare bëhen më të cenueshëm dhe kërkojnë më shumë kujdes mjekësor, duke i vënë institucionet mjekësore nën trysni të madhe.
Në Harbin, kryeqendra e provincës verilindore Heilongjiang, spitalet vendore kanë shtuar klinikat e tyre të etheve e sallat e urgjencës dhe kanë krijuar klinika të posaçme për pacientët e COVID-19, që kanë nevojë për kujdes për probleme të tjera shëndetësore.
Spitali i Parë pranë Universitetit Mjekësor të Harbinit e ka shtuar numrin e klinikave të etheve në tre. Në të njëjtën kohë, stafi mjekësor në spital ka marrë trajnime për kontrollin e infeksionit, vetëkujdesin dhe çështje të tjera.
Departamenti i urgjencës së spitalit ka pasur një rritje prej 85 për qind të vizitave të pacientëve ditët e fundit, tha Yu Kaijiang, drejtor i spitalit, duke shtuar se më shumë salla urgjence do të vihen në përdorim në varësi të nevojave të tanishme.
Foto nga VCG
Në Xian të provincës Shaanxi, pacientët me COVID-19 dhe simptoma të ngjashme mund të marrin kujdes mjekësor 24 orë si në vend, ashtu edhe në internet.
Klinikat e etheve janë të hapura gjatë gjithë kohës në Spitalin e Dytë pranë Universitetit Jiaotong të Xi'an-it, të cilat gjithashtu ofrojnë konsultime në internet për COVID dhe gripin, dërgimin e ilaçeve në shtëpi dhe shërbime të tjera, për të ulur kohën e pritjes së pacientëve dhe për të zvogëluar rrezikun e infeksionit.
Po ashtu, gratë shtatzëna dhe pacientët me sëmundje gjaku ose sëmundje të tjera të rënda mund të marrin trajtim në kohë në spital, pasi departamenti i obstetrikës dhe gjinekologjisë, departamenti i infeksioneve dhe hemodializa urgjente janë të hapura 24 orë në ditë.
Spitalet në Shangai kanë përmirësuar procedurat për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve me simptoma të COVID-19. Pacientët e mitur mund të kryejnë analizat e antigjenit, acidit nukleik dhe analizat rutinë të gjakut në klinikën e etheve të Spitalit të Fëmijëve të Universitetit Fudan, gjë që ka kursyer në masë të madhe kohën e vizitës te mjeku.
Në Suzhou të provincës lindore Jiangsu, kabinat e testimit të acidit nukleik janë shndërruar në qendra të trajtimit të etheve. Falë këtyre klinikave të përkohshme, pacientëve me temperaturë u duhen vetëm rreth 10 minuta për t’u vizituar nga një mjek dhe për të marrë barna.
Tani ka 1035 klinika të tilla në qytet, që mund të presin më shumë se 80 000 pacientë në ditë.
Si vija e parë e mbrojtjes së shëndetit publik, institucionet e kujdesit shëndetësor parësor po luajnë një rol aktiv në ofrimin e shërbimeve mjekësore të përshtatshme, vuri në dukje Nie Chunlei, zyrtar në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë.
Pritet që deri në mars të vitit 2023, rreth 90 për qind e qendrave shëndetësore në nivel qyteze të kenë klinika kundër etheve, shtoi Nie.