Projekti i Portit të ri Tregtar të Durrësit do të hapë 1500 vende pune
2022-12-19 19:16:16


Ministrja Belinda Balluku (Foto nga Facebook Belinda Balluku)

390 milionë euro do të kushtojë faza e parë e projektit për Portin e ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano, nga të cilat 46% do t’i paguajë qeveria shqiptare, ndërsa 54% do të investohen në formë Partneritet Publik Privat nga firma ndërtuese që do të fitojë nga një garë ndërkombëtare. Projekti tashmë është prezantuar   nga studio holandeze "Royal Haskoning DHV", ku u sqarua se porti i ri do të jetë në funksion të një tregu të përbashkët rajonal, që integron hekurudhën Durrës - Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut. Sipas planit ky port i ri tregtar do të krijojë 1500 vende të reja pune.

Projekti integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut i parashikuar t’i përgjigjet kërkesave Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, por edhe vendeve të tjera të rajonit për 4 dekadat e ardhshme. 

Zv Kryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se ky është një proces me rëndësi jetike për ekonominë vendase dhe jo vetëm.

“Linjat hekurudhore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës fqinje dhe gjithashtu krijimi i porteve të thata të Prishtinës dhe të Strugës si pjesë integrale e këtij projekti strategjik do të jenë jo thjesht zona logjistike, ato do të transformohen jo vetëm për aktivitetin ekonomik të vendeve tona, por dhe peisazhin ekonomik rajonal në tërësi, duke kthyer portin e ri të Durrësit në një nga portet më strategjike të Mesdheut. Pas një pune dy vjecare ku kemi kryer projekt fizibilitetin, atë ekonomik dhe teknik, vlerësimin e impaktit mjedisor që ka qenë një nga paketat më të rëndësishme të të gjithë punës së bërë, ne të gjitha këto i kemi bërë me ndihmën e një nga kompanive lider në fushën e projektimit inxhinierik të porteve, Royal Haskoning, të cilën nuk kemi lënë rast pa e përmendur pasi ndihemi krenarë që në krahun tonë punojmë me kompani të këtij niveli, me kompani evropiane të cilat e kanë lënë gjurmën e tyre në historinë e zhvillimit të porteve dhe të zhvillimit të tyre. Kështu që ne tashmë jemi gati të prezantojmë rezultatet e kësaj konsulence ekselente inxhinierike dhe financiare për ndërtimit e portit të ri të mallrave të Durrësit në zonën e Porto Romanos.”- shprehet Balluku.

Projekti i Portit (Foto nga Facebook Belinda Balluku)

Ky investim, sipas Ballukut, do të jetë me faza, modern e që do t’i përgjigjet nevojave të katër dekadave të ardhshme.

“Përmes dy investimeve madhore, nga njëra anë Porti Tregtar i Durrësit në zonën e Porto Romanos dhe nga ana tjetër Ballina ujrore dhe Marina Jaht e Durrësit, ne po ndërtojmë në fakt në kompleks portual, Durrës-Porto Romano tërësisht të modernizuar ku të gjitha terminalet dhe infrasktrukturat detare  janë në pronësi shtetërore dhe ku një autoritet shtetëror, Autoriteti Portual i Durrësit është ai që do të mbikqyrë dhe do të organizojë të gjitha aktivitetet e operatorëve dhe të koncensionarëve. Projekti, në trajtën e tij më të re vjen si rezultat i të gjitha hulumtimeve gjeologjike dhe hidrografike dhe i projeksioneve hidroekonomike dhe tregtare për vendin dhe rajonin deri në vitin 2050. Është një program, është një projekt strategjik i cili do të mbulojë nevojat për kapacitetet dhe volumet  të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës dhe pse jo dhe vendeve të tjera të rajonit që do të kenë dëshirë të operojnë përmes këtij porti per 4 dekadat e ardhshme”- thekson ministrja.

Balluku ka shtuar se në portin e Jahteve në Durrës dhe në Portin Tregtar në Porto Romano do të aplikohet një teknologji e fjalës së fundit.

“Duhet të theksoj se nuk bëhet fjalë për një kopje më të madhe të portit të Durrësit. Kjo është dicka që unë dua ta theksoj pasi e dëgjoj shpesh. Synojmë një investim me faza, një investim totalisht të ri, një investim modern i cili do ti përgjigjet kërkesave të katër dekadave të ardhshme si dhe një teknologji e cila nuk është aplikuar deri më tash në të gjitha portet e rajonit. Vizioni ynë është që t’i mundësojmë industrisë së transportit detar në Shqipëri një hapësirë zhvillimi pa kufizime detare dhe pa problematikat mjedisore apo të sigurisë me të cilat kjo industri përballet sot me portin e Durrësit. Në këtë investim prej 390 milionë eurosh ku pritet të punësohen 1500 vetë, një vëmendje të posacme u është kushtuar ndërlidhjes rrugore dhe asaj hekurudhore. “- shton Balluku.

Projekti i Portit të Durrësit (Foto nga  Facebook)

Kompanitë do të kenë mundësi të marrin pjesë në këtë garë  vitin që vjen.

“Me një hekurudhë të brendshme, e cila lidh të gjithë terminalet dhe me 8 km hekurudhë e cila e lidh Portin e Durrësit në Porto Romano me hekurudhën qendrore, atë të Tiranë-Durrësit duke i dhënë akses kështu si për linjat që do të ndërtohen në veri të vendit dhe për linjat që do të ndertohen në juglindje. 46% blerës të këtij projekti do të mundësohet nga qeveria shqiptare, ndërkohë që 54% do të jetë financim që do të sigurohet nga kompania ndërtuese pasi këtë instrument kemi zgjedhur me konsulencën e Royal Haskoning dhe kjo kompani sigurisht do të dalë nëpërmjet një gare ndërkombëtare dhe kjo kredi do të rimbursohet nga Autoriteti Portual i Durrësit pa ndikuar në buxhetin e shtetit. Në fund të janarit 2023 ne do të jemi të gatshëm për të lancuar garën ndërkombëtare,  e cila do të jetë e hapur për të gjitha kompanitë që kanë treguar interes të vecantë, ndërkohë që procesi sipas gjithë parashikimeve tona do të mbyllet i kësaj gare në korrik të 2023. “- thotë Balluku.

Përfaqësues të qeverisë thonë se ky investim ka marrë me të drejtë vëmendjen e shumë kompanive ndërkombëtare dhe aktiviteti i sotëm është një mundësi e parë që, përmes misioneve diplomatike të akredituara në vendin tonë, të komunikojmë në mënyrë transparente me palët e interesuara, operatorët dhe institucionet financiare, brenda ekosistemit më të gjerë ndërkombëtar të porteve dhe industrisë detare.