Foto: Xinhua
Amerikanojugorët kaluan në epërsi dy herë në pjesën e parë, por dy gola të shpejtë pas njëri-tjetrit nga Kylian Mbappé në fund të pjesës së dytë e barazuan rezultatin, duke çuar në një fund shumë të tensionuar.
Lionel Messi ishte i pari që gjeti rrjetën në minutën e 23-të nga pika e bardhë, pasi Ousmane Dembele e pengoi Ángel Di María-n në zonën e rreptësisë.
Di Maria e dyfishoi epërsinë e skuadrës së tij në minutën e 36-të pasi mori një pasim perfekt nga Alexis Mac Allister, duke përmbyllur një kundërsulm të shpejtë.
Didier Deschamps u përgjigj duke larguar Dembele e Olivier Giroud dhe duke futur Marcus Thuram dhe Randal Kolo Muani.
Ndryshimet dukej se kishin efektin që trajneri i “Les Bleus” kishte dëshiruar, pasi skuadra e tij u forcua në sulm në pjesën e dytë.
Përpjekjet e tyre dhanë rezultat kur Muani u rrëzua në minutën e 80-të pas një tërheqjeje te Nicolas Otamendit dhe gjyqtari tregoi pikën e bardhë të penalltisë.
Mbappe shënoi, duke i rikthyer “gjelat” në lojë.
Një minutë më vonë, po Mbappe bëri një goditje të bukur fluturimthi, duke barazuar.
Të dyja ekipet u përpoqën për të arritur fitore, por asnjëra nuk e çoi dot më topin në rrjetën e tjetrës, me rezultatin 2-2 në fund të kohës normale.
Në kohën shtesë, të dyja skuadrat patën raste të mira për të siguruar triumfin.
Në pjesën e dytë të kohës shtesë, në minutën e 108-të, Messi shënoi, pasi Hugo Lloris priti një goditje të Lautaro Martinez.
Kur kishin mbetur vetëm tre minuta për të luajtur, Francës iu dha një tjetër penallti kur Gonzalo Montiel preku topin me dorë në zonë.
11-metërshi u mor përsëri përsipër nga Mbappe, që arriti të shënojë kështu një tregolësh në ndeshje, duke u shpallur edhe si golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës.
Të dyja skuadrat patën raste të tjera për ta tundur rrjetën, por asnjëra nuk mundi dhe ndeshja shkoi në penallti.
Argjentina doli triumfuese pasi Kingsley Coman dhe Aurelien Tchouameni humbën 11-metërshat e tyre. (Çang Çuo)