Ministrja Kumbaro merr pjesë në COP15 për biodiversitetin
2022-12-19 10:46:47

Foto nga Facebook Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

Ministrja shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ishte pjesë e Seancës Plenare të COP15, në Montreal të Kanadasë, në kuadër të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Biodiversitetin, njofton “RTSH”.

Përmes një postimi zyrtar në rrjetet sociale, ministrja Kumbaro deklaroi se Shqipëria ka treguar angazhimin më serioz për rritjen e sipërfaqes së zonave të mbrojtura deri në 21 për qind. Ajo ka veçuar edhe projektin e mbrojtjes së Lumit Vjosa, i fundit lumë i egër në Europë dhe i pari park kombëtar i tillë.

Shqipëria ka shprehur edhe mbështetje ndaj iniciativës më të fundit të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Aleancës së Mikpritjes së Qëndrueshme, për një qasje të re në sektorin e turizmit, atë të turizmit miqësor ndaj natyrës.

Në konventën më e rëndësishme të biodiversitetit COP15, ministrja Kumbaro ka zhvilluar takime të rëndësishme me sekretaren e Shtetit të Francës për Mjedisin dhe Ekologjinë, Bérangère Couillard, drejtoreshën ekzekutive të UNEP, Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara, Inger Andersen, si dhe drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay. (Fatosi)