Autoritetet e krahinave të ndryshme të Kinës po punojnë aktivisht për të nxitur tregtinë ndërkufitare dhe investimet e huaja, pasi vendi përmirësoi masat reaguese kundër COVID-19 për rikthimin në normalitet të jetës së përditshme dhe të prodhimit. Shumë qeveri lokale, sidomos ato të rajoneve të zhvilluara bregdetare të Kinës Lindore, po zhvillojnë aktivitete promovuese për investitorët e huaj, ose po rregullojnë avionë të posaçëm për të dërguar delegacione biznesi që të takojnë klientët ose investitorët potencialë jashtë vendit.
Që nga 7 dhjetori, Kina deklaroi një sërë masash të reja për të optimizuar reagimin e saj ndaj COVID-19, duke lejuar karantinën e të prekurve në shtëpi për rastet e buta dhe asimptomatike, duke zvogëluar në mënyrë të ndjeshme vendet publike ku kërkohet testi i acidit nukleik si dhe liruar udhëtimet ndërrajonale. Mendohet gjerësisht se këto ndryshime dhe masat pasuese do t'i japin një shtysë të fortë ekonomisë së dytë më të madhe në botë, e cila u vu nën presion gjatë këtij viti nga ringjallja e COVID-19.
Promovimi për të tërhequr investime
Kohët e fundit, qyteti Shenzhen, një qendër prodhuese dhe teknologjike në Kinën Jugore, i cili po përpiqet të rrisë besimin e investitorëve globalë në zhvillimin e tij të ardhshëm, siguroi një sasi të madhe investimesh në një panair ndërkombëtar. Metropoli lidhi më 9 dhjetor kontrata për 315 projekte, me një investim total prej 879 miliardë juanësh (rreth 126.36 miliardë dollarë amerikanë) në Konferencën e Promovimit të Investimeve Globale të Shenzhenit 2022.
Foto: Konferenca e Promovimit të Investimeve Globale e Shenzhenit 2022, Provinca Guangdong e Kinës Jugore, 9 dhjetor 2022. (Xinhua/Liang Xu)
Kontratat e nënshkruara mbulojnë fushat e informacionit elektronik të gjeneratës së re, biomjekësisë dhe shëndetit, si dhe industrisë së gjelbër me lëshim të ulët të karbonit dhe asaj oqeanike. Mes investitorëve globalë që morë pjesë janë edhe Amazon, Intel dhe A.P. Moller-Maersk.
Caroline Wu, kryemenaxhere e A.P. Moller - Maersk-ut për rajonin e Kinës së Madhe, thotë se 50 për qind e biznesit të menaxhimit të zinxhirit të furnizimit të Maersk-ut në zonën e Kinës së Madhe vjen nga Shenzheni. "Maersk-u është shumë i lidhur me strategjinë e zhvillimit të Shenzhenit dhe do të vazhdojë të rrisë investimet këtu në të ardhmen."
Konferenca është zhvilluar bashkërisht në një numër seancash paralele jashtë vendit dhe aktivitetesh promovuese për investime industriale në 16 qytete të pesë kontinenteve. Në seancën e Tokios, Shenzheni dhe Shoqata Ekonomike Japoni-Kinë nënshkruan një dokument për të promovuar bashkërisht shkëmbimin dhe bashkëpunimin midis bizneseve dypalëshe në fushat e energjisë së re, kursimit të energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit. "Ne u dërguam edhe një herë një ftesë biznesmenëve globalë që të investojnë në Shenzhen dhe të ndërtojnë një të ardhme të ndritur," - thotë Zhang Feimeng, kreu i zyrës së Tregtisë në bashkinë e Shenzhenit. Zhang shton se Shenzheni do të vazhdojë të lehtësojë dhe thellojë bashkëpunimin e investimeve, duke zhvilluar më shumë aktivitete për prezantimin e politikave dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Më shumë delegacione biznesi në rrugë
Shumë qeveri lokale kineze po dërgojnë gjithashtu delegacione biznesi për të marrë pjesë në panaire tregtare dhe për të vizituar klientët e vjetër ose të njohur të rinj në tregjet kryesore jashtë vendit, në një përpjekje për të nxitur tregtinë ndërkufitare dhe investimet si dhe për stimulimin e ekonomisë.
Foto: Përfaqësuesit e ndërmarrjeve nga provinca Zhejiang e Kinës Lindore në bisedime me tregtarët në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, 8 dhjetor 2022. (Xinhua)
Më 9 dhjetor, qyteti i Suzhou në provincën Jiangsu të Kinës Lindore dërgoi një avion të posaçëm me një delegacion biznesi prej më shumë se 200 personash në Francë dhe Gjermani. Ishte udhëtimi i parë i tillë i dërguar nga provinca në të dy vendet që prej fillimit të pandemisë. "Është udhëtimi im i parë i biznesit jashtë vendit në tre vite," - thotë Han Lifen, kreu i departamentit të shitjeve jashtë vendit të Kingclean Electric Co., Ltd. në Suzhou. "Ne mbështetemi shumë tek eksportet, por gjatë këtyre tre viteve, përdornim video-konferenca ose WeChat për të komunikuar me klientët tanë jashtë vendit," - thotë Han, duke shtuar se 13 anëtarë të kompanisë do të vizitonin 10 vende evropiane gjatë udhëtimit. "Ne presim shumë surpriza gjatë udhëtimit," – tregon Qi Zhenyu, një zyrtar qeveritar në delegacionin tregtar. "Krahas integrimit ekonomiko-kulturor, do të vazhdojmë të jemi dëshmitarë të një Kine më të hapur që ndan fitimet e zhvillimit me botën, duke punuar së bashku për rezultate me leverdi të ndërsjellë." – shton ai.
Po në të njëjtën ditë, qyteti Wuxi në këtë provincë dërgoi edhe një delegacion biznesi prej 20 anëtarësh për një udhëtim 10-ditor në Evropë. Është udhëtimi i dytë i biznesit jashtë vendit që autoritetet vendore kanë organizuar këtë vit për të sjellë më shumë porosi dhe investime. Zhang Jun, president i Wuxi Zehua Business Co., Ltd., i cili siguroi 21 milionë juanë porosi gjatë udhëtimit të saj të parë në Japoni në tetor, thotë se kompania planifikon të vizitojë edhe një klient të vjetër në Francë për të diskutuar për ndërtimin e një fabrike në Kinë.
"Tregjet ndërkombëtare kanë përjetuar ndryshime të jashtëzakonshme gjatë tre viteve të fundit dhe ne jemi të etur të komunikojmë me klientët tanë ballë për ballë për të konsoliduar marrëdhëniet tona", - thotë Wang Yuanpei, menaxher i përgjithshëm i Wuxi Jiejin Precision Machinery Co., Ltd. Z. Wang shprehet se kompania do të diskutonte një porosi blerjeje vjetore me vlerë 50 milionë juanë, si dhe një projekt të ri 10 milionë juanë me dy partnerë biznesi gjatë udhëtimit të kësaj here. Zheng Yeping, një tjetër anëtar i delegacionit dhe një zyrtar i Zonës së Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjik Xishan në Wuxi, ka një plan të gjerë për udhëtimin evropian. "Unë nuk do të kursej asnjë përpjekje për të tërhequr më shumë investime me cilësi të lartë," – premton ai.
"Rivendosja e porosive është e rëndësishme dhe ajo që është më e rëndësishme është rikthimi i besimit dhe vitalitetit ekonomik," - thotë Zhang Chunlong, një studiues në Akademinë të Shkencave Shoqërore të provincës Jiangsu. "Ne duhet të përshpejtojmë qarkullimin dhe zhvillimin ekonomik të brendshëm dhe ndërkombëtar." Sipas tij, “një detyrë tjetër e rëndësishme është të sigurohet që këto ndërmarrje të orientuara nga eksporti të mund të rikthehen në nivelet e tyre ideale të prodhimit sa më shpejt të jetë e mundur, me mbështetjen e rekrutimit të fuqisë punëtore dhe logjistikës së qëndrueshme”.
Më shumë udhëtime për delegacionet e biznesit janë në përgatitje e sipër. Autoritetet në qytetin Hefei, kryeqendër e provincës Anhui, po planifikojnë të dërgojnë një delegacion biznesi për të marrë pjesë në panaire tregtare dhe për të vizituar klientët jashtë vendit.
Foto: Përfaqësues të ndërmarrjeve nga qyteti Chengdu i Kinës Jugperëndimore negociojnë me agjencinë ndërkombëtare të bashkëpunimit ekonomik dhe shkencor të Baden-Wurttemberg, në Gjermani, 11 dhjetor 2022. (Xinhua)
Dërgimi i delegacioneve të biznesit jashtë vendit jo vetëm që do të ndihmojë në rritjen e porosive për eksport, por gjithashtu do të tërheqë më shumë investime të huaja në industritë e teknologjisë së lartë dhe me vlerë të lartë të shtuar, vë në dukje Tu Lifeng, një studiues në Universitetin Suzhou. Sipas Tu, udhëtimet e tyre “po dërgojnë gjithashtu sinjale pozitive për bizneset globale në lidhje me hapjen e vazhdueshme të Kinës dhe ato do të ndihmojnë në rritjen e besimit në ekonominë kineze".
Mbështetje ndaj ndërmarrjeve të rikuperohen
Autoritetet e krahinave të ndryshme po marrin edhe masa të tjera mbështetëse për të ndihmuar ndërmarrjet të përballen me presionet aktuale dhe të sigurojnë që funksionimi i tyre t’i kthehet shpejt normalitetit. Në qytetin Guangzhou të provincës Guangdong të Kinës Jugore, projektet e prodhimit me një investim prej mbi një miliard juanësh mund të gëzojnë jo vetëm subvencione në nivel provincial, por edhe mbështetje në nivel distrikti, sipas zyrtarëve.
Politika të tilla, si kredi me interes të ulët, do të zbatohen për të mbështetur nisjen e projekteve të mëdha që konsolidojnë dhe plotësojnë zinxhirët industrialë. Projektet e transformimit teknologjik me një investim të pasurive të fiksuara jo më pak se 7 milionë juanë mund të gëzojnë subvencione prej 20 për qind të investimit. Ndërkohë, shërbimet e kualifikuara të hotelierisë, akomodimit dhe shërbimeve të punës shtëpiake mund të subvencionohen maksimalisht me dy milionë juanë (rreth 287.300 dollarë amerikanë).
"Nga kjo paketë politikash pritet të përfitojnë më shumë se 500 mijë operatorë tregu dhe sigurohen mbi 100 miliardë juanë fonde ndihme për ndërmarrjet," - thotë Chen Xu, zëvendësdrejtor i Komisionit të Zhvillimit dhe Reformës të qytetit Guangzhou.
Punëtorët e një fabrike të veshjes në qytetin Qingdao, 16 dhjetor 2022,provincë Shandong, Kinë Lindore(Foto:VCG)
Provinca Hubei ka ndarë një fond të posaçëm prej 500 milionë juanësh (rreth 71.85 milionë dollarë amerikanë) për të ndihmuar ndërmarrje të mesme dhe të vogla lokale që janë nën presione financiare për të përballuar vështirësitë. "Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vështirësi duhet vetëm të aplikojnë te bankat e tyre huadhënëse për të marrë kredi urgjente me interes të ulët dhe afatshkurtër.” - thotë Shen Lijie nga departamenti i Financave i provincës Hubei. Ndërkohë, kuponat e konsumit janë shpërndarë edhe në disa provinca, duke përfshirë Heilongjiang dhe Jiangxi, Jiangsu etj.