Gjermania inauguron terminalin e parë LNG
2022-12-19 12:48:29

Foto: VCG

Gjermania inauguroi terminalin e saj të parë të gazit natyror të lëngshëm (LNG), i ndërtuar në kohë rekord, ndërsa vendi përpiqet të përshtatet me jetën pa energjinë ruse, njofton “CGTN”.

Hapësira në portin e Detit të Veriut të Wilhelmshaven u hap nga kancelari Olaf Scholz në një ceremoni në bordin e një anijeje të specializuar të njohur si “FSRU” dhe të quajtur “Hoegh Esperanza”.

“Është një ditë e mirë për vendin dhe një shenjë për të gjithë botën se ekonomia gjermane do të jetë në gjendje të mbetet e fortë”,- tha Scholz.

Anija tashmë është e pajisur me gaz nga Nigeria që mund të furnizojë rreth 50.000 shtëpi për një vit dhe terminali pritet të fillojë dërgesat në 22 dhjetor.

Gjermania planifikon të hapë katër terminale të tjera LNG të financuara nga qeveria gjatë muajve të ardhshëm, si dhe një terminal privat në portin e Lubmin.

Së bashku, terminalet mund të japin 30 miliardë metra kub gaz në vit nga viti i ardhshëm, ose një e treta e nevojave totale të gazit të Gjermanisë, nëse vendi mund të gjejë mjaftueshëm LNG për t'i shërbyer.

Deri më tani, Gjermania nuk kishte terminale LNG dhe mbështetej në gazin e lirë të dërguar përmes tubacioneve nga Rusia për 55 për qind të furnizimit të saj.

Që nga fillimi i konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, furnizimet me gaz në Gjermani janë ndalur dhe Berlini është detyruar të mbështetet në LNG të përpunuar nga portet belge, franceze dhe holandeze, duke paguar një çmim për kostot e transportit.

Qeveria vendosi të investojë në ndërtimin e terminaleve të saj LNG sa më shpejt të ishte e mundur. Megjithatë, Gjermania nuk ka nënshkruar ende një kontratë të vetme të madhe afatgjatë për të filluar mbushjen e terminaleve nga janari.

Një kontratë për LNG është nënshkruar me Katarin për furnizimin e terminalit Wilhelmshaven, por dërgesat nuk janë vendosur të fillojnë deri në vitin 2026.

Furnizuesit duan kontrata afatgjata, ndërsa qeveria gjermane nuk është e prirur të përfshihet në marrëveshje shumëvjeçare të gazit pasi dëshiron që vendi të bëhet neutral ndaj klimës deri në vitin 2045. (Fatosi)