Miranda Dervishi: Jam mirënjohëse për gjithçka kam arritur
2022-12-19 19:11:50

Miranda Dervishi ka 30 vite që jeton bashkë me familjen e saj në Greqi. Ajo punon si agjente në sigurimet private ku ka krijuar dhe biznesin familjar në Athinë. Gjithashtu Miranda është aktive në shoqata të ndryshme, anëtare e Lidhjes së Grave Shqiptare në Greqi si dhe është pjesë e Dhomës së Biznesit të Diasporës. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ajo tregon për integrimin në shtetin grek si dhe arritjet profesionale në një vend të huaj.    


CMG: Keni 30 vite që jetoni në Athinë, flasim për largimin juaj nga Shqipëria dhe integrimin në Greqi?

Miranda Dervishi: Unë kam lindur dhe jam rritur në ish qytetin industrial të Laçit nga prindër që do i quaja emigrantë të brendshëm sepse edhe ata erdhën nga Skrapari në Laç në vitet 1965-1967 për një jetë më të mirë. Kështu historia përsëritet do të thoja, duke emigruar dhe unë bashkë me bashkëshortin në vitin 1993, por jashtë vendit tonë në Greqi ku krijuam dhe familjen tonë. Sigurisht që vitet e para ishin tepër të vështira si për çdo emigrant tjetër ashtu edhe për mua. Kemi bërë punë të rastit derisa u stabilizuam, pra nuk ishte aq e thjeshtë.

Përsa i përket integrimit në vendin ku jetoj do thoja se u desh një punë e madhe nga ana ime për të investuar në veten time, që të mundesha të integrohesha sa më shumë në vendin dhe në shoqërinë ku zgjodhëm të jetojmë. Në këtë aspekt fillova të studioja gjuhën greke dhe në vazhdim siguracionet private, ku jam çertifikuar nga Banka Kombëtare Greke dhe nga dhoma profesionale si agjente siguracioni. Prej shumë vitesh ushtroj këtë profesion, ku kemi krijuar dhe biznesin tonë familjar “Indurance” dhe ofrojmë shërbime siguracioni për çdo shtetas grek dhe shqiptar.

CMG: Këtë punë që keni vite që e bëni në Greqi ju pëlqen si profesion dhe e bëni me pasion?

Miranda Dervishi: Kjo punë më pëlqen jashtëzakonisht dhe e bëj me shumë dëshirë dhe është një shprehje të cilën e kam të huazuar, që nëse ndjen diçka duhet ta bësh, por që të bësh diçka duhet ta ndjesh. Në këtë aspekt ne jemi me një program posaçërisht për komunitetin shqiptar këtu me shërbime siguracioni. Më pëlqen vërtetë shumë puna që bëj dhe me shërbimet që ofroj sepse gjendesh pranë njerëzve në çdo moment që ata kanë nevojë.

Miranda Dervishi me familjen 

CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar në Greqi në organizime apo festa të ndryshme?

Miranda Dervishi: Jemi të organizuar dhe ka disa shoqata. Unë personalisht jam aktive në shumë aktivitete që organizohen nga shoqata të ndryshme. Gjithashtu unë aderoj në Lidhjen e Grave Shqiptare këtu në Greqi, si dhe jam pjesë e Dhomës së Biznesit të Diasporës. Pra jemi të organizuar si komunitet dhe kalojmë mirë kur jemi bashkë.

CMG: Fëmijët tuaj kanë lindur në Greqi. Për çfarë kanë studiuar dhe ku punojnë?

Miranda Dervishi: Unë kam dy vajza, Joanën që është 27 vjeç dhe Fedra 20 vjeç. Vajza e madhe ka studiuar në Universitetin Perëndimor të Athinës në degën e infermierisë dhe sot punon në qendrën diagnostike. Ndërsa vajza e vogël vazhdon studimet në vitin e tretë në universitet në degën e shkencave statistike dhe shërbime siguracioni.

CMG: E flasin mirë gjuhën shqipe vajzat tuaja?

Miranda Dervishi: Gjuhën shqipe e flasin mirë, ndoshta jo aq shkëlqyeshëm por  komunikojnë shumë lirshëm dhe pa problem, sepse e kanë mësuar dhe nëpërmjet anglishtes, e cila i ndihmon shumë.

CMG: E vizitoni shpesh Shqipërinë dhe a shikoni ndryshim sa herë që vini?

Miranda Dervishi: E vizitoj Shqipërinë, por jo kaq shpesh sa do doja për arsye të profesionit që ushtroj këtu dhe angazhimeve që kemi. Do të doja ta vizitoja dhe më shpesh, por kudo që gjendem në Shqipëri më duket shumë e bukur çdo herë, ka ndryshime sigurisht.

CMG: Mbani kontakte me njerëzit tuaj të afërt apo miqtë?

Miranda Dervishi: Sigurisht që mbajmë kontakte sidomos me njerëzit tanë, por edhe me miqtë me të cilët kemi pasur lidhjet tona familjare apo miqësore që atëhere, por do të thoja jo kaq shpesh siç ishim në atë kohë.

CMG: Keni nostalgji për vitet e rinisë që keni kaluar në Shqipëri?

Miranda Dervishi: Unë kujtoj me mall vitet e fëmijërisë sepse kanë qenë vite shumë të bukura, kur ishim në Laç dhe luanim të gjithë bashkë. Gjithashtu mbaj mend shumë mirë në atë kohë gjyshen time e cila na merrte çdo verë në fshat në Skrapar. Për këto vite kam një nostalgji të madhe.

CMG: Komuniteti shqiptar në Athinë organizohet në raste festash me koncerte apo evente të tjera kulturore?

Miranda Dervishi: Unë do të thoja se organizimet me muzikë dhe argëtim janë ndër më të shumtat që bëhen këtu, por edhe të tjera evente artistike. Këtu organizohen mjaft festa dhe sidomos festat e nëntorit bëhen shumë festive.

Miranda Dervishi ne ambientet e ambasades shqiptare ne Athine 

CMG: Përveç profesionit që ushtroni si agjente në sigurimet private, keni ndonjë pasion tjetër në jetë?

Miranda Dervishi: Mua më pëlqejnë shumë shëtitjet në natyrë, por kur e gjejmë kohën e përbashkët të lirë në familje preferoj të kalojmë dhe shumë kohë bashkë me familjen.

CMG: Keni menduar që të largoheni nga Athina në ndonjë vend tjetër?

Miranda Dervishi: Deri tani nuk e kam menduar që të emigroj diku tjetër sepse më pëlqen këtu ku jetoj. Jam mirënjohëse për gjithçka kam arritur, por asnjëherë nuk i dihet. Më pëlqen këtu ku jam dhe këto që kam.

CMG: Jeni e plotësuar me mënyrën e jetesës dhe karrierën profesionale?

Miranda Dervishi: Sigurisht që nga jeta jam e plotësuar, por për mua personalisht është moto në jetë që nesër të bëhem më e mirë se sot si mama, si motër, bashkëshorte dhe profesioniste, duke qenë një njeri i denjë për veten time dhe pastaj për shoqërinë akoma më e dobishme.

CMG: Sa e vështirë është që të mbash një biznes familjar në një vend të huaj?

Miranda Dervishi: Unë mendoj se është e vështirë por dhe e bukur dhe besimi i njerëzve është ai i cili kemi arritur deri këtu, korrektësia jonë dhe dashuria për atë që bëjmë. Sigurisht që asgjë nuk është e lehtë, duhet shumë punë, korrektësi dhe tepër përgjegjësi.

Miranda Dervishi ne asamblen e lidhjes shqiptare te grave ne Greqi 

CMG: Ku mund t’ju gjejnë shqiptarët që kanë nevojë për sigurime private në Athinë?

Miranda Dervishi: Unë gjatë përvojës së punës time kam vënë re se duke bashkëpunuar me bashkatdhetarët tanë, si ata dhe neve ndjehemi jashtëzakonisht mirë sepse të flasësh gjuhën tënde në gjithçka që bën dhe sidomos kur gjendesh në vend të huaj të bën të ndjehesh diçka ndryshe. Shqiptarët që ndodhen me banim në Greqi mund ta na gjejnë për çdo shërbim siguracioni privat në faqen tonë profesionale në Facebook, “Indurance” siguracioni i shqiptarëve në Greqi si dhe në websitin tonë.

CMG: Së fundi një mesazh urimi për festat e fundvitit për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Miranda Dervishi: Festa të gëzuara për të gjithë, me shëndet dhe suksese në çdo aspekt të jetës. Le të jetë vitit 2023 një vit ndryshe për të gjithë, shëndet, paqe, harmoni dhe prosperitet për të gjithë.

Intervistoi: Gazmend Agaj