Banka e Francës ul perspektivën e rritjes për vitin 2023, pavarësisht optimizmit të qeverisë
2022-12-19 14:22:40

Foto: VCG

Ekonomia franceze pritet të ngadalësohet ndjeshëm në vitin 2023 për shkak të krizës energjetike dhe inflacionit, por duhet të rikuperojë disa terrene të humbura në 2024 dhe 2025, parashikoi Banka e Francës, njofton “CGTN”.

Rritja e PBB-së do të ngadalësohet nga 2.6 për qind në vitin 2022 në 0.3 për qind në vitin 2023, sipas skenarit makroekonomik më të mundshëm të bankës qendrore për tre vitet e ardhshme.

“Ngadalësimi i rritjes do të pasohet nga një rikthim 1.2 për qind në 2024. Kjo është më e ulët se 1.8 për qind e parashikuar më parë, sepse dimri i 2023-2024 mund të jetë ende pak i komplikuar për shkak të krizës energjetike”,- deklaroi drejtori i përgjithshëm i Bankës, Olivier Garnier.

Sipas bankës, rikthimi do të vazhdojë në vitin 2025, kur rritja pritet të arrijë në 1.8 për qind.

Megjithatë, parashikimet mbeten shumë të pasigurta për shkak të çmimeve jashtëzakonisht të paqëndrueshme të energjisë dhe tensioneve gjeopolitike, veçanërisht konfliktit Rusi-Ukrainë.

Perspektiva e Bankës së Francës është më pak optimiste se ajo e qeverisë, e cila parashikon rritje prej 2.7 për qind në vitin 2022 dhe 1 për qind në 2023-shin.

“Ne nuk mund të përjashtojmë një recesion, por nëse ka një të tillë, ai do të jetë i kufizuar dhe jetëshkurtër”,- tha Garnier.

Çmimet e naftës dhe gazit pritet të zbresin nga majat e vërejtura këtë vit, por mbeten të larta dhe vazhdojnë të ushqejnë inflacionin. Çmimet do të jenë rritur me 7.3 për qind deri në fund të vitit 2022.

Inflacioni do të vazhdojë të rritet në gjysmën e parë të 2023 përpara se të bjerë në 4 për qind në fund të 2023 dhe 2 për qind në fund të 2024, bëri të ditur banka qendrore. (Fatosi)