Ekspertja: Kostoja e “shkëputjes nga Kina”, shumë e madhe për botën
2022-12-19 21:48:15

Vizitorë në pavijonin e Gjermanisë në Panairin Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime të Kinës në Pekin, kryeqytetin e Kinës, 5 shtator 2021. / “Xinhua”

Ideja e "shkëputjes nga Kina" është një komplot gjeopolitik dhe do të përbënte një vetëvrasje ekonomike për Gjermaninë, ndërsa Bashkimi Evropian (BE) dhe ekonomia botërore do të vuanin pasojat, tha Helga Zep-LaRouche, themeluese dhe drejtore e Institutit gjerman të studimit të politikave “Schiller”.

Në një intervistë për  “Xinhua”, Zep-LaRouche paralajmëroi gjithashtu se përpjekjet e Gjermanisë për të ulur varësinë e saj ekonomike prej Kinës nën presionin e Shteteve të Bashkuara do ta çojnë vendin në trazira dhe do ta vënë ekonominë gjermane në rrezik të madh.

Ndërsa gjendja gjeopolitike përkeqësohet dhe kriza energjetike intensifikohet, mundësia dhe kostoja e "uljes së varësisë nga Kina" dhe "shkëputjes nga Kina" po diskutohen intensivisht në Gjermani dhe BE, u shpreh Zep-LaRouche, duke theksuar se Kina dhe Gjermania kanë potencial të madh për bashkëpunim dhe " shkëputja" është kundër interesave të Gjermanisë.

Një ndarje e BE-së dhe Gjermanisë nga Kina do t’i kushtonte Gjermanisë gati gjashtë herë më shumë se “Brexit”-i dhe industria e automjeteve do të ishte humbësja më e madhe në rastin e një lufte tregtare me Kinën, sipas një studimi nga Instituti për Kërkime Ekonomike “ifo” me qendër në Munih.

Konteinerët kinezë në portin e Hamburgut të Gjermanisë, më 26 tetor 2022/ VCG

Konteinerët kinezë në portin e Hamburgut të Gjermanisë, më 26 tetor 2022/ VCG

Zep-LaRouche vuri në dukje se vlerësimi i institutit “ifo” nënvlerëson ndikimin e shkëputjes ekonomike, që do të çonte në kundërvënie gjeopolitike dhe do të dëmtonte rëndë ekonominë botërore.

"Kështu që mendoj se ky është një hap drejt fatkeqësisë dhe ai nuk duhet të hidhet," tha ekspertja.

Gjermania ka arritur pikën ku duhet të ngrihet për të mbrojtur interesat e veta, në vend që të bëhet "shërbëtore e lojërave gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara," shtoi ajo.

Përplotësimi midis ekonomisë kineze dhe ekonomisë gjermane është i dukshëm dhe nuk do të ishte e mençur për Gjermaninë të ndalonte bashkëpunimin me Kinën, tha eskpertja, duke theksuar se është në interes të Gjermanisë të vazhdojë dhe të zgjerojë bashkëpunimin me Kinën. (Artan)

Vizita e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Kinë, në nëntor 2022/ VCG

Vizita e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Kinë, në nëntor 2022/ VCG